Rikthehet Championsi, sonte krejt sytë kah Grupi F

  • S.A /
  • 07 November 2023 - 11:35
Rikthehet Championsi, sonte krejt sytë kah Grupi F

Liga e Kampionëve do të rikthehet sonte me ndeshjet e xhiros së katërt të fazës së grupeve. Pa dyshim vëmendja e të gjithëve do të jetë e fokusuar kah Grupi F, ku na presin dy ndeshje mjaft interesante dhe të rëndësishme po ashtu, transmeton "Kosova Sot Online ".

Milani dhe Paris Saint-Germaini do ta zhvillojnë lojën kryesore të natës.

“Rossoneri” gjenden në vendin e fundit në grup dhe e kanë të domosdoshme fitoren në shtëpi nëse duan t’i mbajnë gjallë shpresat për kualifikim. Kuqezinjtë u mposhtën në Paris 0:3 dy javë më parë dhe po e përjetojnë një moment krize. Për ta, sonte do të jetë treni i fundit. Nga ana tjetër, parisienët prijnë në grup, por kjo nuk i bën ata që të relaksohen assesi. Kylian Mbappe me shokë kanë shkuar në Milani me qëllim që të dalin të pamposhtur. Edhe përballja tjetër e grupit do të jetë e zjarrtë. Borussia Dortmundi e mposhti Newcastlen në Angli në ndeshjen e kaluar duke i turbulluar ujërat në këtë grup. E sonte, Verdhezinjtë do t’i presin Bardhezinjtë në Gjermani. Dy ekipet i kanë nga 4 pikë dhe fitorja do t’i afronte me kualifikim në fazën eliminuese. Në Grupin G, Manchester City pritet ta sigurojë sonte kualifikimin pas duelit që do ta ketë me Young Boys në shtëpi. “Citizens” janë të qind për qindtë me 3 fitore nga 3 ndeshje. Ndërkohë, Leipzigu me fitore në Beograd ndaj Zvezdës po ashtu mund ta prejë biletën për fazën tjetër. Edhe Barcelona nga Grupi H mund të shkojë tutje sonte. Gjiganti katalunas me një rezultat pozitiv ndaj Shakhtar Donetskut mund ta prekë të tetën e finales së Championsit. Në duelin tjetër të grupit, Antwerpi i Arbnor Mujës do ta ketë një udhëtim të vështirë, pasi do ta vizitojë Porton. Pjesa dërrmuese e ndeshjeve të sontme do të fillojnë prej orës 21:00. 

(Kosova Sot Online )