Mbyllet pa fitues ndeshja mes Realit dhe Man Cityt

  • A.P /
  • 09 April 2024 - 23:01
Mbyllet pa fitues ndeshja mes Realit dhe Man Cityt

Nuk prodhoi një fitues ndeshja e parë çerekfinale mes Real Madridit dhe Manchester Cityt.

Ndeshja spektakolare e zhvilluar në “Santiago Bernabeu” u mbyll me rezultat të barabartë 3:3, ku pati shumë kthesa në rezultat.

Ndeshja u zhbllokua shumë herët, kur Bernardo Silva realizoi gol nga gjuajtja e lirë në minutën e dytë të takimit.

Por, 10 minutave më vonë, një goditje e Camavingas e cila u devijua nga Ruben Dias përfundoi në portë, për ta barazuar ndeshjen.

E vetëm dy minuta më pas, Rodrygo shënoi për ta përmbysur rezultatin dhe për ta kaluar Real Madridin në epërsi.

Me rezultatin 2:1 u mbyll edhe pjesa e parë.

Manchester City arriti të barazonte rezultatin në minutën e 66-të, kur Foden shënoi gol të bukur nga distanca.

E edhe më të bukur e shënoi golin Josko Gvardiol pesë minuta më pas me këmbën e tij të djathtë për ta kaluar Manchester Cityn në avantazh për herë të dytë sonte.

Por, spektakli në “Santiago Bernabeu” vazhdoi ende, kësaj radhe në të mirë të “Los Blancos”.

Ishte Valverde që shënoi tjetër gol të bukur për të barazuar rezultatin në 3:3.

E rezultati 3:3 ishte edhe epilogu i këtij ballafaqimi, teksa gjithçka do të vendoset pas tetë ditësh në “Etihad”.

(Kosova Sot Online)