Fonseca pranon se gaboi me zëvendësimin e Zhegrovës
Paolo Fonseca ka pranuar se ka gabuar me zëvendësimin e Edon Zhegrovës mbrëmë, në ndeshjen të cilën Lille e humbi ndaj Lyonit.
Ylli kosovar u inkuadrua në ndeshjen në minutën e 26-të, teksa gjeti golin vetëm 11 minuta më vonë duke e dyfishuar epërsinë e skuadrës së tij, shkruan Gazeta Express.
Por, Fonseca vendosi që ta zëvendësonte atë në pjesën e dytë, saktësisht në minutën e 75-të.
Lille ishte duke fituar deri në ato momente me rezultatin 2:1, kurse në fund humbi 3:4.
Fonseca tregoi arsyen e zëvendësimit të Zhegrovës, teksa tha se është penduar për një vendim të tillë.
Gjithsesi, trajneri portugez tha se ai e mban përgjegjësinë për këtë.
“Zëvendësova Zhegrovën sepse ekipi nuk e mbante topin dhe ne duhej të mbroheshim. A pendohem për zgjedhjen time? Tani po. Pas ndeshjes, është e lehtë të thuash se jam penduar, por mbaj përgjegjësinë për të”, deklaroi Fonsenca.
(Kosova Sot Online)