Parashikim interesant i ambasadorit gjerman Rohde për “Euro 2024”: Shqipëria mund të shkaktojë surpriza, por në fund Gjermania fiton

  • S.A /
  • 11 May 2024 - 09:13
Parashikim interesant i ambasadorit gjerman  Rohde për “Euro 2024”: Shqipëria mund të shkaktojë surpriza, por në fund Gjermania fiton

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, në një intervistë të dhënë së fundi për “A2CNN” foli edhe për Kampionatin Evropian “Euro 2024”, si dhe për Kombëtaren e Shqipërisë, transmeton "Kosova Sot Online".

Kur u pyet se “a është gati Gjermania që të presë tifozët në Evropian, veçanërisht ata nga Kosova”, Rohde tha se shteti gjerman është se gati dhe se shpreson që verës të ketë një festë të madhë miqësie dhe futbolli.

“Po, mendoj se jemi gati. Liberalizimi i vizave erdhi në kohë. E di që shumë miq të mi, madje edhe anëtarë të qeverisë shkojnë në Gjermani për të brohoritur, për të parë ndeshje. Dhe unë mendoj se Shqipëria, për shembull, është e kualifikuar, është e shkëlqyer dhe shpresojmë në një turne të ngjashëm si kampionati botëror i vitit 2006, i cili ishte një sukses i madh. Dua të them, jo për Gjermaninë sepse nuk arritëm në finale. Kështu që personalisht si tifoz futbolli, shpresoj sigurisht për një fund më të mirë këtë herë, por shpresoj vetëm për një festë të madhe miqësie dhe futbolli”, tha ambasadori gjerman.

Rohdes iu kërkua një mendim edhe për Kombëtaren e Shqipërisë, e cila do të jetë pjesëmarrëse në “Euro 2024”.

Ai vlerësoi lart “Kuqezinjtë” dhe theksoi se Kombëtarja shqiptare mund të shkaktojë surpriza. Natyrisht, Rode pranoi se dëshira e tij është që Gjermania të shpallet kampione e Evropës.

“Ata kishin një grup të fortë në kualifikuese, por mund të shkaktojnë surpriza. Kanë shanse për të kaluar në raundin e dytë, por kanë një grup shumë të vështirë. Por siç e kemi parë në futboll, gjithçka mund të ndodhë. Kjo është e bukura e kësaj loje. Por në fund, Gjermania do të fitojë. Ju e dini atë shprehjen: loja quhet futboll, por në fund, Gjermania fiton gjithmonë. Kjo nuk ishte aq e vërtetë vitet e fundit, por shpresoj që ta përdorim sërish. Kjo është një dëshirë personale”, deklaroi ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde.

(Kosova Sot Online )