Gjigantët e pagesave braktisin kriptovalutën e Facebook-ut

  • 12 October 2019 - 10:21
Gjigantët e pagesave braktisin kriptovalutën e Facebook-ut

Platformat e njohura botërore për pagesa, Mastercard, Visa, eBay dhe Stripe, janë tërhequr nga projekti i kompanisë “Facebook” për ta futur në tregun financiar kriptovalutën e njohur me emrin “Libra”.

Vendimi i këtyre kompanive, i raportuar fillimisht në gazetën “The Financial Times”, vjen pas tërheqjes së platformës tjetër, PayPal, javën e kaluar.

Kjo tërheqje është goditje e rëndë për planet e rrjetit social që ta hedhë në treg kriptovalutën e prezantuar si valutë botërore.

Projekti kishte nxitur reagime të shumta nga rregullatorët financiarë dhe politikanët, sidomos në Shtetet e Bashkuara.

Rregullatorët kanë ngritur shumë dyshime për kriptovalutën “Libra”, përfshirë rrezikun se ajo mund të përdoret për pastrim parash.

Përmes një deklarate të publikuar të premten, eBay tha se e respekton projektin “Libra”. “Megjithatë, eBay ka marrë vendim që të mos vazhdojë të jetë anëtare themeluese. Në këtë kohë, ne jemi të përqendruar në kryerjen e pagesave për konsumatorët tanë”, thuhet në deklaratë, shkruan “BBC”.

(Kosova Sot Online)