Risia në Instagram, komenti juaj mund “të zhduket”

  • E.K /
  • 06 October 2020 - 12:26
Risia në Instagram, komenti juaj mund “të zhduket”

Instagram-i do të fillojë të fshehë automatikisht komentet fyese, si pjesë e përpjekjes së saj të vazhdueshme për të adresuar ngacmimet në internet.

Gjiganti i rrjeteve sociale, tha se komentet që do të fshihen do të jenë të ngjashme me ato që janë raportuar si ofenduese nga përdoruesit në të shkuarën.

Po ashtu, Instagrami tha se po përdor sisteme të inteligjencës artificiale për të identifikuar gjuhën ngacmuese ose bullizuese në komente.

Instagram-i njoftoi se do ta testonte këtë risi të martën, ditë që përkon me ditëlindjen e dhjetë të aplikacionit.

Megjithatë, përdoruesit do të jenë akoma në gjendje të klikojnë mbi “Shiko komentet e fshehura” për t’i parë ato.

Adam Mosseri, i cili mori drejtimin e Instagramit dy vjet më parë, është zotuar të luftojë ngacmimin në internet.

Vitin e kaluar, kompania në pronësi të Facebook, hapi një mjet të quajtur “Kufizo”. Kjo ju lejon të “kufizoni” një përdorues tjetër, që do të thotë që komentet në postimet tuaja nga ai person janë të dukshme vetëm për të, dhe jo për njerëzit e tjerë.

Instagram-i, gjithashtu, shtoi një opsion që i lejon njerëzit të dinë se kur komenti i tyre mund të konsiderohet ofendues para se të postohet, pasi kjo iu jep njerëzve aftësinë për të ndaluar dhe reflektuar.

Edhe Twitter-i ka marrë masa të ngjashme. Në fillim të këtij viti, kompania filloi të nxisë përdoruesit të marrin në konsideratë rishkrimin e përgjigjes së tyre përpara se ta botonin, nëse përmbante gjuhë potencialisht të dëmshme.

(Kosova Sot Online)