Apple bëhet kompania e parë që arrin vlerën 3 trilionë dollarë

  • E.K /
  • 04 January 2022 - 08:49
Apple bëhet kompania e parë që arrin vlerën 3 trilionë dollarë

Apple sot u bë kompania e parë me një vlerë prej 3 trilionë dollarësh në treg, e ngritur nga besimi i investitorëve se prodhuesi i iPhone do të vazhdojë të lansojë produktet më të shitura.

Në ditën e parë të tregtimit në vitin 2022, aksionet e kompanisë arritën një rekord prej 182,88 dollarësh rreth mesditës, raporton Reuters.

Kompania më e vlefshme në botë është e para që arrin momentin historik pasi investitorët vënë bast se konsumatorët do të vazhdojnë të paguajnë më shumë për iPhone, MacBook dhe shërbime të tilla si Apple TV dhe Apple Music.

“Është një arritje fantastike dhe sigurisht e denjë për t’u festuar”, tha Jake Dollarhide, shefi ekzekutiv i Longbow Asset Management në Tulsa, Oklahoma. “Ajo thjesht ju tregon se sa larg ka arritur Apple dhe sa dominuese shihet në sytë e shumicës së investitorëve.”

Apple ndau vlerën e tregut prej 2 trilionë dollarësh me Microsoft Corp, i cili tani vlen rreth 2.5 trilionë dollarë. Alphabet (GOOGL.O), Amazon.com Inc dhe Tesla (TSLA.O) kanë vlerë tregu mbi 1 trilion dollarë.

Përqafimi i shpejtë i teknologjive të tilla si 5G, realiteti virtual dhe inteligjenca artificiale i ka ndihmuar gjithashtu këto aksione të bëhen të dashura në treg, ndërsa investitorët u zhvendosën drejt kompanive të pasura me para dhe larg nga bizneset që kanë qenë më të ndjeshme ndaj rritjes ekonomike.

Adoptimi i shpejtë i 5G nga Apple, një teknologji që ka implikime të gjera në të ardhmen, dha një nxitje të madhe. Së fundmi ajo lançoi iPhone 13 në valën e dytë të telefonave me teknologji 5G.

Në Kinë, një nga tregjet më të mëdha të Apple, ajo vazhdoi të udhëheqë tregun e telefonave të mençur për të dytin muaj radhazi, duke mposhtur rivalët si Vivo dhe Xiaomi, treguan të dhënat e fundit nga CounterPoint Research.

Aksionet e Apple arritën një rekord të lartë prej 182.88 dollarë, duke e vendosur vlerën e saj të tregut pak mbi 3 trilion dollarë, bazuar në rreth 16.4 miliardë aksione në qarkullim. Aksionet u rritën me 2.4% në 181.86 dollarë.

(Kosova Sot Online)