Në këtë shtet evropian, 65 për qind e veturave që u shitën janë me rrymë

  • E.K /
  • 04 January 2022 - 13:47
Në këtë shtet evropian, 65 për qind e veturave që u shitën janë me rrymë

Veturat elektrike përbëjnë gati dy të tretat e shitjeve të reja në Norvegji gjatë vitit të kaluar. Prodhuesi që shiti më shumë vetura ishte “Tesla”, përderisa shteti skandinav synon të bëhet i pari që i jep fund shitjes së veturave me naftë e benzinë.

Norvegjia, shtet me rreth 5.4 milionë banorë, e ka numrin më të madh të veturave elektrike për numër banorësh, Kina, me rreth 1.4 miliard banorë, është bindshëm tregu më i madh i veturave elektrike në përgjithësi, shkruan Reuters.

Shteti që prodhon naftë, Norvegjia, e ka inkurajuar zgjedhjen e veturave elektrike duke ua hequr taksat që u ngarkohen motorëve me djegie të brendshme.

Ky vendim pritet që të ndikojë që përqindja e shitjes së veturave elektrike këtë vit të shkojë deri në 80 për qind, para afatit të caktuar për t’i dhënë fund shitjes së veturave me naftë e benzinë më 2025.

Numri i përgjithshëm i shitjes së veturave u rrit për 25 për qind në Norvegji vitin e kaluar dhe shkoi në 176.276 vetura, prej tyre 65 për qind plotësisht elektrike. Vitin e kaluar, kjo shifër ishte 54 për qind.

(Kosova Sot Online)