Ja çmenduria e re virale në TikTok

  • A.P /
  • 23 April 2026 - 08:46
Ja çmenduria e re virale në TikTok

Strawberrina, bananito, mangorina…

Kush shpenzon kohë në TikTok, i njeh mjaft mirë këto emra të përmendur më sipër, si dhe dramën e tyre.

Fruta të krijuara përmes Inteligjencës Artificiale kanë arritur të tërheqin vëmendjen e çdo grupmoshe në platformën TikTok, shkaku kryesor: tradhtia. Një çift luleshtrydhesh që pret të bëhen prindër, por fëmija del banane, e shumë raste të tjera.

Në pamje të parë, videot duken të çuditshme dhe groteske, saqë është e vështirë t’i marrësh seriozisht. Por kjo pikëpamje ndryshon kur kupton se këto video arrijnë qindra milionë shikime, që gjithashtu përkthehen në fitime për autorët.

 

Ngrihet pyetja, përse këto “telenovela”, ku personazhet shfaqin vetëm sjellje problematike dhe shpesh seksuale, kanë kaq shumë “fansa”?

“Sistemi i shpërblimit të trurit”

Pedagoget e Universitetit Katolik Australian, Niusha Shafiabady dhe Theresa Dicke, shkruajnë për “The Conversation” se këto video shfrytëzojnë tiparet thelbësore të psikologjisë njerëzore.

Të kombinuara me veçoritë e platformës që krijon varësi edhe tej, siç është “scrolling”, rezultati është një rrjedhë e pafundme përmbajtjeje që na mban të angazhuar, edhe pse mesazhi është imoral, apo thjesht qesharak.

Truri i njeriut është jashtëzakonisht i ndjeshëm ndaj risisë dhe paparashikueshmërisë, të cilat lidhen me transmetimin e dopaminës në të nxënit e bazuar në shpërblim.

Videot e përdorura në inteligjencën artificiale ofrojnë risi të shpejta vizuale dhe kthesa të papritura emocionale. Nuk e di kurrë se çfarë do të ndodhë më pas: absurde, qesharake, tragjike apo emocionuese.

Një klip i vetëm mund të kalojë nga tradhtia, në trishtim, në hakmarrje, në humor brenda sekondash. Kjo krijon paqëndrueshmëri emocionale, e cila rrit kohën e qëndrimit zgjuar dhe mban të përqendruar vëmendjen.

Sharmi i gjërave që duken “të gabuara”

Shumë prej shikuesve i cilësojnë këto video si të çuditshme.

Personazhet janë ekspresivë, por jo plotësisht koherentë. Narrativat janë të ngjashme me dramat njerëzore, por u mungon logjika.

Ato janë mjaftueshëm të çuditshme për të provokuar kuriozitet, por jo aq të pakëndshme sa të të bëjnë të ndalosh së shikuari. Kjo krijon tension kognitiv, njerëzit janë të motivuar për të zgjidhur mospërputhje të tilla. Dhe mënyra për të zgjidhur tensionin në këtë rast është të vazhdojmë të vëzhgojmë, në kërkim të një zgjidhjeje.

Gjithashtu, kemi më shumë gjasa të injorojmë mesazhet jo etike për shkak të formatit. Personazhet janë shumë sintetikë. Kjo i bën skenarët të duken si imagjinarë, edhe kur ato pasqyrojnë sjellje të vërteta shoqërore.

Me fjalë të tjera, kur shihni një mollë që ngacmon seksualisht një luleshtrydhe, kjo është shumë më e “pranueshme” sesa një përfaqësim njerëzor.

Hulumtimet mbi shkëputjen morale tregojnë se njerëzit kanë më shumë gjasa të zbusin gjykimin e tyre moral kur dëmi duket abstrakt ose indirekt.

Influenca përmes ndërveprimeve të vogla

Algoritmet nuk i japin përparësi kuptimit apo cilësisë, por përmbajtjes që na tërheq vëmendjen.

Këto sisteme drejtohen nga metrika të tilla si koha e shikimit, shkalla e përfundimit dhe ndërveprimi.

Angazhimi i lartë çon edhe në shfaqje më të madhe të këtyre përmbajtjeve. Nga perspektiva e IA-së, këto video nxjerrin në pah një rrezik që shpesh anashkalohet: formimi i një sjelljeje që ne nuk e kuptojmë. E gjithë kjo është edhe një nga shqetësimet më të mëdha në etikën e Inteligjencës Artificiale lidhur me ndikimin në sjellje dhe dizajnin manipulues që vepron në shkallë të gjerë.

Seksizmi si “qershia mbi tortë”

Videot përmbajnë një numër të madh elementesh që janë hartuar në mënyrë të përshtatshme për të mbajtur trurin e njeriut të angazhuar.

Ngjyra, shprehi, dramë, kohëzgjatje e shkurtër, seks.

Lind pyetja, pse duhet të shtohet mizogjinia si një “karakteristikë tërheqëse”?

Për këdo që ka parë më shumë se 2-3 video, bëhet shumë e qartë se ato pothuajse gjithmonë bazohen në stereotipe thellësisht seksiste.

Narrativat zakonisht përqendrohen në një personazh femëror, e re, tërheqëse në mënyrë konvencionale, që tradhton partnerin e saj me një personazh mashkullor që paraqitet si më i pasur e me nivel më të lartë shoqëror.

Alessia Tranchese, pedagoge në Universitetin e Portsmouth, u shpreh për “Glamour” se “këto rrëfime pasqyrojnë temat që gjenden zakonisht në diskursin e androsferës, veçanërisht idenë se gratë shfrytëzojnë burrat e ‘mirë’ për përfitime financiare dhe shoqërore”.

“Nuk çuditem që shohim klishe të tilla mizogjiniste në versionin digjital. Këto teknologji të reja mbështeten në skenarët ekzistues seksistë në shoqëri dhe mund t’i përforcojnë ato”, shton Tranchese.

Normalizimi i stereotipeve

Të gjitha këto duket se po normalizojnë stereotipet e krijuara, madje po pasqyrohen edhe tek frutat.

Shumë përdorues në TikTok komentojnë apo prodhojnë përmbajtje ku “i hedhin fajin” një fruti, por është diçka që i projektohet figurës njerëzore, kryesisht vajzave. Madje ka nga ata që shprehen se nuk mund t’i shohin më frutat me të njëjtin sy, apo që imagjinojnë se të tilla drama “po ndodhin” brenda frigoriferit.

Kerry McInerney, eksperte për etikën e Inteligjencës Artificiale, shprehet se në parim këto përmbajtje duken të padëmshme, por rreziku është mjaft i madh.

“Normalizimi i këtyre stereotipeve të vjetruara gjinore po u jep jetë të re videove të inteligjencës artificiale. Është e lehtë t’i konsumosh dhe t’i ndash pa menduar shumë për këtë. Por kjo kontribuon në një kulturë ku ky lloj sjelljeje dhe këto ide janë normale. Nëse njerëzit po angazhohen në këto, ironikisht, mund të na çojë në një botë ku njerëzit në të vërtetë janë të nxitur të krijojnë gjithnjë e më shumë përmbajtje të këtij lloji”, tha McInerney.

(Kosova Sot Online)