
Lexoni edhe:
Vetëvendosje mbetet forca dominuese e skenës politike por ky rezultat nuk e çliron fituesin nga nevoja për dialog
Shkruan: ANALISTI-Zef Prenka
Pas rezultateve preliminare të zgjedhjeve të 7 qershorit, po krijohet përshtypja sikur secila parti po gjen arsye për të festuar. Vetëvendosja feston fitoren, LDK-ja feston rritjen, PDK-ja ruajtjen e pozitës së dytë, ndërsa AAK-ja mbijetesën dhe ringritjen graduale. Por, nëse i shoh me qetësi këto rezultate, unë mendoj se mesazhi kryesor i zgjedhjeve është krejt tjetër: Askush nuk fitoi aq sa të qeverisë i qetë dhe askush nuk humbi aq sa të dalë jashtë loje.
-Sa i përket deklaratës së Vjosa Osmanit se Vetëvendosja nuk ka asnjë arsye ta refuzojë emrin e saj për presidente, unë e lexoj këtë si një mesazh politik dhe jo si një kërkesë personale. Megjithatë, ajo deklaratë bart edhe një dozë vetëbesimi të madh politik. Kur partia fituese ka mbi 43% të votave, normalisht pret që vetë ta përcaktojë drejtimin e institucioneve. Në anën tjetër, Vjosa Osmani e di se figura e saj vazhdon të ketë peshë të konsiderueshme në opinion dhe se zgjedhja e presidentit mbetet një çështje që kërkon konsensus më të gjerë. Prandaj, deklarata e saj mund të shihet si kujtesë se stabiliteti institucional nuk ndërtohet vetëm mbi rezultatin e një partie.
Për Lumir Abdixhikun kam një vlerësim më të balancuar. Ai ka të drejtë kur flet për rritje. Kalimi nga rreth 13% në afër 18% është sukses politik dhe nuk mund të mohohet. Por po aq e vërtetë është se LDK-ja mbetet larg pozitës së partisë që mund të sfidojë seriozisht Vetëvendosjen për pushtet. Prandaj, unë besoj se Abdixhiku po arrin dy objektiva njëkohësisht: po forcon pozitën e tij brenda LDK-së dhe po përpiqet t’ua rikthejë anëtarëve besimin se partia ka hyrë në një trajektore ngritjeje. Nëse kjo është fillimi i rikthimit të madh të LDK-së, këtë do ta tregojnë zgjedhjet e ardhshme.
PDK-ja, sipas meje, është fituesja më e heshtur e këtyre zgjedhjeve. Ajo vazhdon të mbajë një elektorat të qëndrueshëm dhe besnik, edhe pas goditjes së madhe që mori me arrestimin dhe burgosjen e figurave kryesore të saj. Për vite me radhë shumëkush parashikonte dobësimin e saj të thellë, por rezultatet tregojnë se ajo ende mbetet forca e dytë politike në vend. Pikërisht për këtë arsye, nëse Vetëvendosja nuk arrin të krijojë shumicën e nevojshme për qeverisje stabile, pesha politike e PDK-së vetëm sa do të rritet.
Sa i përket AAK-së, unë shoh shenja të një ringjalljeje graduale. Nuk bëhet fjalë ende për rikthim të madh, por për stabilizim dhe rikuperim politik. Më duket domethënës fakti që në Gjakovë, qyteti votoi më shumë për Vetëvendosjen, ndërsa fshatrat përreth i dhanë mbështetje më të madhe AAK-së. Kjo tregon se AAK-ja ende ruan rrënjë të forta organizative në terren dhe se Ardian Gjini ka filluar të rikthejë besimin tek një pjesë e elektoratit tradicional të kësaj partie.
Një nga debatet më të mëdha që po zhvillohet pas zgjedhjeve është ai për natyrën e elektoratit të Vetëvendosjes. Unë nuk besoj se vota e Vetëvendosjes mund të shpjegohet më me argumentin klasik të luftës kundër korrupsionit. Nëse do të ishte vetëm kjo arsye, atëherë shumë prej mbështetësve të saj do të duhej të ishin larguar pas akuzave dhe skandaleve që kanë shoqëruar qeverisjen e viteve të fundit. Përkundrazi, ajo që unë shoh është krijimi i një bërthame elektorale shumë të qëndrueshme, e cila identifikohet fort me liderin dhe narrativën politike të tij.Madje, unë mendoj se Vetëvendosja ka krijuar tashmë një bazë prej afërsisht 40 deri në 45 për qind të elektoratit, të cilën mund ta ruajë pothuajse në çdo proces zgjedhor. Kjo nuk do të thotë se secili prej atyre votuesve ka të njëjtat arsye, por tregon se kemi të bëjmë me një elektorat që nuk lëviz lehtë dhe që është bërë pjesë e një identiteti politik të konsoliduar.
Në aspektin politik, unë shoh gjithashtu një segment të konsiderueshëm të këtij elektorati që mbështet qasjen konfrontuese të Albin Kurtit ndaj kërkesave dhe presioneve të partnerëve ndërkombëtarë. Kjo është arsyeja pse shumë kundërshtarë të Vetëvendosjes e konsiderojnë atë elektorat si politikisht anti-amerikan. Natyrisht, kjo mbetet një vlerësim politik dhe jo një fakt i matshëm për secilin votues individual, por është e qartë se raporti me SHBA-në dhe aleatët perëndimorë është bërë një nga vijat kryesore ndarëse në politikën kosovare.
Përfundimisht, unë besoj se problemi më i madh i Kosovës nuk është rezultati i këtyre zgjedhjeve, por mungesa e gatishmërisë për bashkëpunim ndërmjet partive kryesore. Për sa kohë që secila palë e trajton tjetrën si armik dhe jo si kundërshtar politik me të cilin mund të ndërtohet një marrëveshje shtetërore, vendi do të vazhdojë të prodhojë kriza institucionale.
Prandaj, unë mendoj se nuk do të ketë qeverisje plotësisht stabile derisa subjektet kryesore politike të kuptojnë se Kosova nuk mund të ndërtohet mbi mllefe, hakmarrje politike, kundërthënie të pafundme dhe hasmëri partiake. Stabiliteti afatgjatë mund të vijë vetëm nga një koalicion parimor, nga respektimi i institucioneve dhe nga vendosja e interesit shtetëror mbi interesin partiak. Pa këtë kulturë politike, do të vazhdojmë të shohim të njëjtin cikël: zgjedhje, bllokada, negociata, krizë dhe zgjedhje të reja.
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".