Pse dita e çlirimit nuk është festë shtetërore?!

Pse dita e çlirimit nuk është festë shtetërore?!
Pse dita e çlirimit nuk është festë shtetërore?!

Florim Zeqa

  • 12 June 2026 - 12:20

Shkruan: Florim Zeqa

Të paktë janë popujt që kanë pritur më gjatë dhe që kanë sakrikfikuar më shumë sesa shqiptarët për lirinë e tyre, sikurse që janë të paktë ata popuj që i ka zhgënjyer liria më shumë sesa shqiptarët! Ky zhgënjim shqiptarëve u erdhi si pasojë e një lidershipi të papërgjegjshëm dhe qeverisje të keqe në vitet e paspavarësisë.

Thënja e të vërtetës sot, e qartëson të ardhmen e gjeneratave nesër

Sot me 12 qershor u bënë 27 vite nga hyrja e forcave paqeruajtëse në Kosovë, që njëherit shënon çlirimin faktik të Kosovës. Pra 27 vite liri dhe mbi 18 pavarësi për shqiptarët e Kosovës në rrethana normale do të ishin tepër shumë, madje do të mjaftonin shumë më pak vite se kaq për ndërtimin dhe zhvillimin ekonomik të shtetit!

Megjithatë është kjo liri na solli shtetin, edhe pse ndryshe nga ai që projektuan atdhetarët dhe atë ëndërruan martirët dhe dëshmorët e kombit! Megjithatë, ne kemi shtet me flamur lara-lara dhe himn pa tekst, “mrekulli” që askush nuk e kishte imagjinuar!

Si do që të jetë, liria e Kosovës nuk mund të identifikohet me një emër të përveqëm, grupacion apo parti politike. Secili nga shqiptarët e Kosovës dhe jo vetëm, rezistoi dhe luftoi në mënyrën e vet, për të hequr nga qafa vargonjët serbosllav dhe robërinë shekullore.

Njerëzit kanë deshirë ta kujtojnë të kaluarën e tyre. Mirëpo me kalimin e viteve, kjo e kaluar ndryshon trajtën, ku shumë gjëra hipërbolizohen dhe iu përshtaten rrethanave kohore!

Mirëpo, njerëzit e gjallë të kohës së kaluar duhet ta thonë të vërtetën pa kamuflime dhe pa shtrëmbërime për t'ua lehtësuar rrugëtimin gjeneratave të reja.

12 qershori i vitit 1999 ditë e bekuar për Kosovën

Për secilin popull që ka përjetuar një pushtim të gjatë, dita e çlirimit është dita më e dashur, kremtja më e madhe dhe data më e paharruar në kujtesën popullore.

Për shqiptarët e Kosovës, 12 qershori i vitit 1999 është dita më e madhe, më e lumtur dhe e paharruar. Marshimi i ushtrisë se NATO-s rrugëve të Prishtinës dhe Kosovës shënoi gëzimin më të papërshkruar më fjalë të qytetarëve, të cilin e përshkroj në mënyrën më besnike blici i aparatit dhe syri i kamerave televizive.

Për nderë të ditës së çlirmit bëhen nominime (gradime), avancime në poste të shërbyesve civil dhe ushtarak, falje të dënimeve për të burgosurit e shumë veprimtari tjera më karakter shtetëror.

Ndërsa tek ne nuk ndodhin asnjëra nga këto, për arsyen e thjeshtë së Kosova në kushtetutën e saj nuk ka ditë të çlirimit!

Madje as në vargun e shumë datave e festave shtetërore nuk gjendet dita e çlirimit të vendit, pasi ajo është zëvendësuar më "Ditën e Paqes"!

"Dita e paqes" tjetërsim i luftës çlirimtare

Pavarësisht kësaj prapësie politike, krerët e lartë shtetëror dhe partiak më 12 qershor 2026, në 18 vjetorin e çlirimit të vendit ishte dashtë të jenë në ballë të organizimeve, për të festuar me popullin e tyre ditën e madhe të çlirimit të Kosovës nga UÇK dhe NATO.

Pikërisht në ketë ditë madhështore të vendit tonë, liderët partiak i gjenë të zënë me numërimin e votave dhe me kalkulimet për marrjen e pushtetit. Qytetarët e Kosovës në vend që t'i shohin liderët partiakë të bashkuar në ditën e çlirimit, duke vënë buqeta lulesh tek varrezat e dëshmorëve të lirisë, ata i shohin të ndarë në bastionet partiake duke i bërë kalkulimet partiake për të ardhur tek pushteti në gjysëmshtet.

Pranimi i termit "Ditë e paqes" në vend të ‘Ditës së Çlirimit’ paraqet gabimin më fatal të politikës kosovare.

Sipas kësaj logjike i bie, se në Kosovë nuk ka pas luftë çlirimtare, por vetëm një konflikt të vogël ndëretnik!

Më mohimin e ditës së çlirimit, po tentohet të mohohet lufta çlirimtare, ku si pasojë kemi Gjykatën Speciale, e cila për qëllim ka kriminalizimin e UÇK-së, përkatësisht burgosjen dhe dënimin e çlirimtarëve në ëmër të "drejtësisë" ndërkombëtare!

Po ndodhë pikërisht kështu sepse mungon mbrojtja institucionale e vlerave të luftës çlirimtare!

Ketë vakum institucional është duke e shfrytëzuar Serbia gjenocidiale me një pjesë të bashkësisë ndërkombëtare për të ndëshkuar luftën çlirimtare!

Mungesa e ‘Ditës së Çlirimit’, gabim fatal i hartuesve të Kushtetutës

Shënimi i ditës së çlirimit në mënyrë institucionale dhe shtetërore do t’a madhështonte luftën çlirimtare dhe sakrificat e gjata dhe të panumërta popullit shqiptarë, kurse lirisë së vendit i jepte kuptimin e plotë, ndërsa popullit do t’i shtonte dashurinë ndaj atdheut.

Në çdo përvjetor të çlirimit të shtetit të Kosovës, qytetarët duhet ta kthejnë kujtesën e tyre në vitet e krenarisë kombëtare, të rezistencës së gjatë paqësore të viteve të '90-ta, përkatësisht 2 Korrikun dhe 7 Shtatorin e vitit 1990 dhe Referendumin Popullor për Kosovën shtete sovran dhe të pavarur (26-30 Shtator 1991), të cilat i vunë themelet e shtetit të Kosovës si dhe ta kujtojmë me pietet të lartë periudhën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (Mars 1998-Qershor 1999), për të kujtuar dhe nderuar përgjithmonë gjakun e dëshmorëve të lirisë.

NATO, forca mbrojtëse dhe garantuese e lirisë sonë

Përderisa 27 vite më parë, intervenimi i NATO-s, për më tepër se intervenim ushtarak, ishte kuptuar si mision humanitar për shpëtimin e një popullate krejtësisht të pambrojtur, që i kanosej shfarosja dhe deportimi kolektiv nga trojet e veta, 27 vjet më pas, prezenca e NATO-s në Kosovë dhe baza ushtarake BONDSTEEL konsiderohen forca mbrojtëse dhe garantuese të lirisë sonë.

Disa subjekte dhe liderë partiakë kanë filluar të harrojnë luftën, bashkë me këtë edhe ndihmën e madhe, të pa parë ndonjëherë gjatë historisë sonë shekullore, që na erdhi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe bota e civilizuar e demokratike në përgjithësi.

Pavarësisht sjelljeve të liderëve partiakë, populli shqiptar i Kosovës përgjithmonë do t'u jetë mirënjohës dhe falenderues SHBA-ve dhe shteteve më të fuqishme të Bashkimit Evropian për ndihmën e pakursyer në çlirimin e vendit tonë, rindërtimin dhe konsolidimin e shtetit, ndihmë e cila po vazhdon edhe në ditët e sotme.

Në fund të këtij shkrimi natyrshëm vjen pyetja logjike për lexuesit e këtyre rreshtave, pse dita e çlirimit nuk është festë shtetërore?!

Ditën e çlirimit e ka bekuar edhe Zoti, prandaj kemi arsye të festojmë.

Kosovë urime 12 qershori, dita e bekuar e çlirimit!

Zoti e bekoftë gjakun e gjakun e derdhur për lirinë e Kosovës!

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".