Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (45)

  • 30 January 2018 - 15:17
Roman dashurie: Triumfi i dashurisë (45)

Shihte në ëndërr atë shtëpinë në Breg të Diellit, e cila gjatë viteve 1990 shfrytëzohej si Dekanat i Fakultetit të Mjekësisë, meqë tërë Universitetin e Prishtinës, si dhe shkollat e mesme të tërë Kosovës i kishin uzurpuar serbët, duke ua ndaluar shqiptarëve qasjen. Ëndërronte veten duke u baravatë me dokumente, sikur donte të paraqiste provimet, por nuk mundej. Herëve të tjera shihte në ëndërr një shtëpi trekatëshe, gjysmë të përfunduar, te Hani i Dilit, ku gjatë studimeve, kishin mbajtur disa nga ligjëratat dhe provimet. Ëndërronte sikur ishte vonuar në një provim të rëndësishëm. Sikur ngjitej shkallëve të asaj shtëpie të pameremetuar, vetëm në blloqe. Zërin e studentëve dhe profesorit e dëgjonte, por assesi ta gjente klasën, sallën, a më mirë të themi, dhomën, ku mbahej provimi. Ndonjëherë shkallët nuk kishin të sosur. Ai ngjitej e ngjitej përpjetë, nga kati në kat, pa e gjetur klasën, por as pa e parë fundin e shkallëve. Ndodhte edhe që, krejt papritmas, ta shihte veten ulur mbi një bllok të thjeshtë, të kuq, duke tentuar që të përgjigjej në pyetjet tejet të vështira të profesorit. Kaplohej nga djersët meqë nuk dinte as edhe një fjalë ta thoshte. Kur e shihte këtë ëndërr, sikur që kishte ndodhur atë natë, Kujtimi zgjohej i bërë qull nga djersët, me të rrahura të shpejtuara të zemrës. Sapo shihte që bëhej fjalë për ëndërr, ndjente një lehtësim të madh. Meqë këtë ëndërr e kishte parë sa e sa herë, i kishte ndodhur që edhe në ëndërr ta dinte se ishte duke parë ëndërr. Në raste të tilla sikur nuk e kapte aq fort ankthi. Si psikiatër i ardhshëm që ishte, duke u bazuar në njohuritë e tij të psikodinamikës, Kujtimi mundohej që t'ia jepte një shpjegim kësaj ëndrre, që e mundonte kaq shpesh, por deri tani nuk kishte gjetur ndonjë shpjegim bindës. Herë-herë mendonte ta pyeste për interpretimin e kësaj ëndrre dr Naimin, një psikiatër të ri, që ishte ndër të paktët që interesohej më shumë rreth psikodinamikës, por deri tani nuk e kishte bërë një gjë të tillë, meqë nuk kishte ndonjë muhabet kushedi sa të madh me të. Ai disi kishte një natyrë të rëndë, të vështirë, e as Kujtimi nuk kishte kushedi çfarë aftësish socializuese. Kujtimi habitej sesi asnjëri nga regjisorët kosovarë thuajse nuk e kishin trajtuar aspak atë periudhë të vështirë, por megjithatë interesante, të rezistencës paqësore gjatë kohës së okupimit më të egër serb në Kosovë. Ishte i bindur se një film, apo edhe seri TV, që do të bazohej në atë periudhë, psh ku protagonistët do të ishin studentë, që studionin në shtëpitë-fakultete, pa vështirësi do të dilte një film a seri e mrekullueshme. Sepse gjatë atyre viteve, përkundër asaj se mbretëronte një situatë tejet e vështirë, një situatë e okupimit klasik, kishte edhe momente qesharake, por edhe të paharruara, të përjetuara vetëm në atë "kohë pa kohë" (sikur që thuhej atëherë, e që tani më shumë përdorej si klishe). Kështu psh, flitej se disa studentë të Fakultetit elektroteknik, që mbanin ligjëratat në një ish-kafene, sa herë që shihnin se ishin duke ardhur policët serbë, fshihnin ato pak fletore dhe bëheshin sikur me të vërtetë ishin mysafirë të kafenesë. Autor: H. B. I. (vijon) 

(Kosova Sot)