Roman dashurie:Triumfi i dashurisë (73) - Dashuri - Kosova Sot
Roman dashurie:Triumfi i dashurisë (73)

Roman dashurie:Triumfi i dashurisë (73)

- Shiko, Kujtim! Nuk është se di shumëçka për periudhën osmane, por di për mentalitetin e çifutëve të asaj kohe. E, mos harro se autori i këtij dokumenti ishte një çifut, një donmeh. Është e vërtetë se në dokument lihet të kuptohet se e Martja e vrarë ishte varrosur në oborrin e Xhamisë së Çarshisë. Por, kjo ka qenë mënyra më e mirë që të gjithë, të them ashtu, laikët e kësaj çështjeje, të pengoheshin nga gjetja e varrit të vërtetë të së Martës. Pasi që ata do ta gjenin varrin e punëtorit të shkretë, i cili vdiq gjatë ndërtimit të xhamisë, e që gjendet në oborrin e Xhamisë së Çarshisë, shumica e njerëzve do të mendonin se kjo meseleja e së Martës të vrarë qenka rrenë dhe do të hiqnin dorë nga kërkimi i mëtejmë. Vetëm ata më të pasionuarit dhe më mendjemprehtit do të mendonin dhe do të vinin në përfundim se e Martja e vrarë ka mundur të varroset edhe në oborrin e Xhamisë së Madhe. Kujtimit i dukeshin me vend fjalët që ia thoshte profesori, por ai nuk e dinte se befasinë më të madhe ende nuk e kishte dëgjuar.

- Kjo që thua, profesor, ka logjikë...

- Faleminderit... Ishte e qartë se Moshe u ndie mirë nga kjo që i tha Kujtimi.

- Po, po... Derisa te Xhamia e Çarshisë kemi simbolin mysliman dhe çifut, te Xhamia e Madhe kemi simbolin mysliman dhe të krishterë.

- Saktësisht! - Por, kur jemi këtu... desha të të them diçka. Edhe unë isha në Xhaminë e Madhe, por kryqi që pashë më shumë mu duk si kryq nazist, sesa si kryq i krishterë.

- Është e vërtetë. Por, mos harro se, në kohën kur është vizatuar ai kryq, Hitleri dhe ideologjia e tij ende nuk ekzistonin.

- E di, e di. Por...

- Po, tani nga perspektiva jonë, ai për ne është një kryq nazist, por në fakt nuk është.

- Po, kuptoj. Edhe?! A e ke gjetur varrin e së Martës? Moshe nuk u përgjigj menjëherë, por e shikoi me një shikim analizues, të cilin Kujtimi e kishte parë edhe herë të tjera te profesori. Sikur donte ta testonte, ta vlerë- sonte se a mund t'ia thoshte atë që kishte në mendje. Ndonjë sekret, ndoshta?!

- Kujtim! Më fal që nuk të thirra menjëherë sapo erdha në Prishtinë...

- Pse, kur paske ardhur?

- Pesë ditë më parë.

- Njëmend?!

- Po... dhe, ti e di se, për ta identifikuar varrin e së Martës, më është dashur t'i hapi të tri varret osmane që gjenden në oborrin e Xhamisë së Madhe. Përsëri profesori e shikoi me atë shikimin e tij analizues. Por, kësaj radhe për ta vlerësuar se çfarë efektesh pati ajo që sapo i tha.

- Por... a nuk të është dashur të merrje ndonjë leje për ta bërë një gjë të tillë?! - Natyrisht se më është dashur. - Dhe? Ta dhanë menjëherë, a?

- Është dashur ta kërkoja, por nuk e kërkova. - I hape varret ilegalisht?!

- Po... Kujtim, unë jam shkencëtar. Ti je intelektual dhe mendoj se nuk e ke të vështirë ta kuptosh dëshirën e madhe për dije.

- E kuptoj, por...

- Thjesht, nuk kisha durim që të ndiqja procedurat burokratike. Kujtimi u ndie paksa i ofenduar. Disi nuk i pëlqente që të huajt silleshin me aq jo respekt ndaj autoriteteve të vendit, çfarë- do qofshin ato. Thjesht, merrnin atë që iu duhej, pa marrë parasysh pasojat për Kosovën, apo kosovarët. Thënë ndryshe, e konsideronin Kosovën si ndonjë vend të humbur të Afrikës, apo edhe më keq. Për këtë shkak nuk tha gjë. Këtë e vërejti shumë mirë edhe Moshe. Autor: H. B. I. (vijon)

(Kosova Sot)

14 orë e 24 minuta më parë
15/12/18