Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (27)

  • 16 February 2019 - 16:11
Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (27)

Faqet m'u skuqën dhe u ngrita, duke i prekur flokët me dorë. Biseda rreth buzëve të mia më bëri që të mendoja rreth buzëve të tij, e më pas më erdhën disa mendime rreth gjërave për të cilat nuk do të duhej të mendoja. Ishte koha për ta ndryshuar temën. "Pra, të gjitha këngët tuaja kanë të bëjnë me drama të ndryshme të Shakespeare-it, apo gabohem?", pyeta. Daniel e lakoi kokën dhe goja e tij u hap. Një shikim i habisë i kishte mbetur në fytyrë. Më pëlqente ajo pamje. OK, e vërteta ishte se më pëlqenin të gjitha pamjet e tij. "Qenke me të vërtetë e zonja! Shumë njerëz nuk e vërejnë këtë, por po. Çdo këngë bazohet në vepra të ndryshme të Shakespeare-it". "Kjo është aq demode, por edhe tepër 'hot' në të njëjtën kohë. Nuk kuptoj si ia dilni kësaj"? "Çka mund të them? Jam një gjeni demode". Unë u gajasa dhe mu derdh pak gota. "Pra, aty ishin Romeo dhe Juliet. Më pas kishte…", pauzova, duke u munduar që ta recitoja renditjen e saktë të veprave të dramaturgut të madh, të cilat lidheshin me këngët e tij. "Hamleti, Richard III, Stuhia, Ëndrra e një nate vere dhe Othello?" Danieli u befasua nga kjo që thashë dhe, pasi u mbështet për muri, tha gjysmë seriozisht. "Martohu me mua". Unë buzëqesha, por sa do të doja që ai ta kishte thënë këtë me seriozitet. Buzët e tij u hapën dhe, thënë sinqerisht, do të doja aq shumë që t'i bashkoja buzët e mia me ato të tijat. "Më trego, vajzë e paemër, me çka merresh ti?" "Me çka merrem, apo me çka do të doja që të merresha? Këto janë dy gjëra të ndryshme, mendoj. Aktualisht jam një studente e cila shpreson që, një ditë, të mund të quhet shkrimtare". "Nuk ka mundësi! Njëmend?", tha ai, duke u dukur me të vërtetë i interesuar. "Po, po. E vërtetë është". Ai qeshi dhe unë ofshava nga zëri i tij i ëmbël. Nga mënyra e bukur sesi qeshte ai, fillova të mendoja se isha një vajzë me sharm.

"Epo, bëje atë! Bëju shkrimtare". Tani e kisha unë radhën që të qeshja. "Po, de! Se kjo punë është aq e lehtë". Koka e tij filloi që të tundej në shenjë mohimi. "Asnjëherë nuk thashë se do të jetë e lehtë. Vetëm të thash ta bësh atë. Fundja, gjërat më të mira në jetë nuk janë të lehta. Ato janë të vështira, të dhembshme, të vrazhda. Kjo e bën aq të ëmbël arritjen e rezultatit". "Po, kështu është...", zëri im u dridh, por Daniel nuk e humbi interesimin në bisedën tonë. "E kam pasur një bashkë-shkrimtar". "E ke pasur?", tha ai. "Po dhe, nuk mund ta paramendoj ta përfundoj librin pa të". Kur mbarova së foluri, fillova që t'i shtrëngoja dhëmbët, me qëllim që t'i pengoja lotët që të më dilnin. Daniel i vërejti ndjenjat e mia dhe dora e tij u zgjat, duke kapur dorën time. Prekja e tij ishte sikur të më prekte rryma, duke më dërguar valë të nxehtësisë nëpër tërë trupin". "Më vjen keq për humbjen tënde". Gjashtë fjalë. Gjashtë fjalë nga një i huaj dhe një prekje e thjeshtë ma kthyen kuptimin e jetës, të cilin nuk e kisha pasur më parë. një sjellje kaq e njerëzishme atë natë ishte mëse e mirëseardhur për mua. "Faleminderit"! Pas pak ai ma lëshoi dorën, por menjëherë filloi që të më mungonte prekja e tij. "Ndoshta zgjidhja është që të filloni të shkruani diçka tjetër". "Ndoshta. Por, nuk mund të them se jam e gatshme që ta përmbyll librin tim aktual". Ai e qiti dorën prapa qafës së tij dhe, pasi që e fërkoi atë, buzëqeshi. "Atëherë me respekt do ta mbylli këtë të shkretën gojë". Ai ishte me të vërtetë sharmant. "Më fal që mora guximin t'ju këshilloja pa e ditur mirë situatën. Këtë e bëra sepse, kur ju pash duke hyrë në bar për herë të parë. dukeshit ashtu..." "Si dukesha?", pyeta e interesuar. Ai u mërrol. "Sikur çdo gjë që kishe dashur ndonjëherë kishte marrë zjarr dhe ti nuk mund të largoheshe derisa shikove gjithçka duke u djegur deri në themel. Dhe, e tëra që doja të bëja, ishte t'ju përqafoja". (vijon)

 

(Kosova Sot)