Ngjarje e vërtetë: Në shtrat të vdekjes më tregoi se kishim një vajzë (3)

  • 14 March 2019 - 16:26
Ngjarje e vërtetë: Në shtrat të vdekjes më tregoi se kishim një vajzë (3)

 Nuk po të rrej. Nuk kam arsye për këtë. As ajo ende nuk e di të vërtetën. Por, nuk mund të vdes para se të përkujdesem për këtë. Nuk kuptoja asgjë nga fjalët që thoshte ajo. Isha i sigurt se ishte duke gënjyer, e më pas mendova se arritja e saj këtu me siguri ishte shkaktuar nga sëmundja. Me gjasë ishte duke përdorë shumë ilaçe, gjë që mund të ndikojë në aftësinë e të gjykuarit. Vazhdonte që të më vinte keq, por në të njëjtën kohë isha edhe i zemëruar për shkak të insistimit të saj se kemi një vajzë. - Gane, të lutem shko! Nuk e di qëllimin tënd, por më nuk dua as të dëgjoj. Por, nuk ka arsye që të më bindësh në rrena të tilla. - Hesht! A mendon se mërzitem unë për ty dhe për keqardhjen tënde? Gjatë tërë këtyre viteve, asnjëherë nuk më ka rënë ndërmend për ty. Këtë jam duke e bërë vetëm për Drenushën. Nëse nuk beson se është vajza jote, bëje testin e ADN-së atëherë! - tha ajo, duke e humbur kontrollin. Frymëmarrja filloi t'i përshpejtohej, e në faqet e zbehta iu paraqit një skuqje. Kur filloi të kollitej, u shqetësova edhe më shumë. - Mirë, mirë. Qetësohu! Nuk do të grindemi. Më thuaj çka ke për të thënë - lëshova pe. Sanija hyri në zyrë: - Thirri përsëri ai zotëriu. Tha se nuk je duke iu përgjigjur në telefon. Takimi sa s'ka filluar. - Nuk do të shkoj në takim! Thuaju se bëhet fjalë për probleme shëndetësore. Do ta thërras më vonë atë - i thashë me gjakftohtësi të rreme. - Por…

- A nuk dëgjove çka të thashë? - më nuk munda ta mbaja veten. Nuk mund ta injoroja pretendimin e Ganes, se isha baba i një vajze. Ajo dukej se ishte seriozisht e sëmurë dhe, po të mos e dëgjoja tani, ndoshta me të vërtetë më nuk do të kem rast për një gjë të tillë. - Fol, po të dëgjoj - iu ktheva asaj. - Kështu, pasi që ti pësove aksident, kur të lash, isha shtatzënë tri javë. Nuk të tregova për këtë. Ishe në spital, e më pas vendosa që të të braktis. Isha njoftuar me Drenin. Ai punonte në bankë... - E di. Këtë e mora vesh më vonë. E dija se ishe martuar me të dhe se kishe lindur një fëmijë, por mendoja se ishte fëmija i tij - fillova të besoja në fjalët e saj. Fundja, ato mund t'i vërtetoja me anë të atësisë, sikur që tha edhe ajo. - Të gjithë mendonin kështu. Pas shkurorëzimit desha t'i tregoja Drenit, gjatë një grindjeje, por mirë që nuk i tregova. Do të mbesja pa alimentacion. - Je shkurorëzuar? - Po, para dy vjetësh. E, ai me Drenushën kurrë nuk ishte i afërt. Sikur ta kishte ndier se ajo nuk ishte e bija e tij. edhe pagesën e alimentacionit m'u desh që ta rregulloja me gjyq. - Ia vure emrin vajzës sipas tij - arrita të kuptoja. - Po, me gjasë kisha frikë se do të dyshonte. Bebja lindi me kohë, por gënjeva sikur kishte lindur para kohe - më tha ajo, pa manifestuar asnjë shenjë se kishte brejtje të ndërgjegjes. - Pse m'i thua tani këto mua? - e pyeta edhe pse mund ta merrja me mend përgjigjen. - Meqë Drenusha nuk e ka askënd përpos meje. Prindërit i kam të vjetër, me babanë ka vite që nuk flas. Dreni nuk dëshiron të dëgjojë për vajzën, e vëllai im i ka telashet e veta. Ai pranoi që ta marrë Drenushën pas vdekjes sime, por e di se këtë e bëri vetëm hatri im. Ai jeton larg kryeqytetit, e Drenushës nuk i pëlqen që të zhvendoset. Nuk kam kujt t'ia lë. Ajo është vajza jote, gjaku yt. E di se ti je njeri i sinqertë, me moral. Edhe pse nuk na ishte shkruar të jetonim bashkë, ti je njeriu të cilit i besoj më së shumti - përfundoi ajo rrëfimin e saj të pabesueshëm. - Nuk mund të besoj, më le pasi që mbeta invalid. Më rrejte tërë këto vite... - Nuk të kam rrejtur! Vetëm nuk të kam treguar se ke vajzë. - Vetëm?! - qëndrimi i saj më tmerronte. Aspak nuk kishte ndryshuar. Megjithatë, e dija se kësaj here nuk mendonte për vete. Fakti që unë dhe ajo kishim një fëmijë të përbashkët, ishte një zbulim aq i pabesueshëm, sa që ende e kisha problem që ta pranoja. (vijon)

 

(Kosova Sot)