Ngjarje e vërtetë: Në shtrat të vdekjes më tregoi se kishim një vajzë (7)

  • 19 March 2019 - 15:55
Ngjarje e vërtetë: Në shtrat të vdekjes më tregoi se kishim një vajzë (7)

- Kjo është e tmerrshme. Kush është ajo grua? A e njeh? E njeh nga më herët - Marina e kishte kuptuar se bëhej fjalë për dikë nga e kaluara. Kështu ma ka lehtësuar. - Marina … - po e shikoja atë, duke kërkuar fjalët më të mira. Por, pasi që edhe më tutje po heshtja, ajo tha: - Artan, edhe ti edhe unë kemi një të kaluar. Nuk jemi martuar si fëmijë. A është kjo ndonjë ish e jotja - Marina më njihte kaq mirë. Ia vendosa duart në krah. - Po. Quhet Ganimete, dikur ishim bashkë. Moti. Para aksidentit. - Përse të ka kërkuar? Pas kaq shumë viteve. - Është e sëmurë rëndë. Jemi ndarë pas aksidentit. Nuk kam dashur as ta kujtoj. Sot jam i lumtur që ajo lidhje ka përfunduar. Madje edhe në atë mënyrë. - Të ka braktisur - më pyeti dhe i kam sqaruar gjithçka rreth Ganes. - Tmerr. Nuk po mundem as ta imagjinoj se dikush mund të jetë i tillë. Ajo nuk të ka dashur, Artan - fjalët e Marinës dhe mirëkuptimi im edhe njëherë më ka dridhur. - E di. - Pra, përse ka ardhur tani? Shkaku i sëmundjes? Çfarë dëshiron prej teje - nuk po kuptonte, e te unë po shtohej frika. - E di, Ganja e ka një vajzë. I ka katërmbëdhjetë vjet. Dhe më ka thënë … - nuk kisha më forcë të vazhdoj, e në dhomë mbretëronte qetësia. Sytë e Marinës u hapën, prandaj erdha në përfundim se përgjigja ishte e qartë. Kur disa herë e solli kokën, e kam kuptuar se e vërteta është e vështirë. - Çfarë? Se ai fëmijë është i yti? Për hir të Zotit - u shtang, e më pas pasuan edhe shumë pyetje të tjera: - Ke fëmijë me grua tjetër? Ka lindur fëmijën tënd? A e ke ditur ti - kjo pyetja e fundit më ka prekur. - Natyrisht se nuk e kam ditur. Sot ma ka thënë. Kur më ka braktisur, nuk e kam ditur se ishte shtatzënë.

U martua për tjetrin dhe ia ka imponuar fëmijën. Nuk e di si ta quaj ndryshe këtë - thashë për t'u sqaruar para Marinës. - Ka përfshirë tjetrin me fëmijën tënd?! Si e di se është yti? Ndoshta po gënjen. Një grua si ajo është e gatshme për gjithçka - po fliste ende duke mos besuar. - Ajo është e sëmurë Marina. Po vdes. Kjo po vërehet. Nuk e kam njohur madje. Pos kësaj, më ka thënë se mund ta bëjmë testin. Nuk ka arsye të më gënjejë. - E ku është babai i fëmijës? Burri i saj po mendoj. - Janë ndarë. - Dhe, tani ta tha? Para se të vdiste. Përse? I bie pishman se ka gënjyer? - Marina, ajo dëshiron të kujdesem unë për Adelinën. Babai, njerku i saj nuk e dëshiron edhe mendon se është e tij. Kur Ganja të vdesë, vogëlushja nuk e ka askënd. Marina mbeti pa fjalë. E di se një tregim si ky i ka ardhur si vetëtimë nga qielli. Kaq shumë kishte dashur të ketë fëmijë me mua, e më pas e kemi humbur. U ngrit në këmbë. - Po shkoj ta bëj një dush. - Marina - pothuajse bërtita. - Më fal, më duhet ta kthjelloj mendjen. Kemi ngrënë shpejt dhe qetë. E kam ditur se bisedën duhej vazhduar, or se nuk po guxoja ta filloja i pari. Po ndihesha fajtor, edhe pse për këtë nuk e kisha asnjë arsye të vetme. Përfundimisht, kur jemi shtrirë në shtrat, Marina më tha: - Ajo që ka ndodhur, ka ndodhur! Nëse fëmija është yti, atëherë si të jetë edhe imi. Merre sa më shpejt. E kam përqafuar fort, duke menduar se kishte ekzistuar arsyeja e fortë pse kam përjetuar fatkeqësi. Nëse s'e kisha, Ganja do të më braktiste dhe kurrë nuk do ta takoja Marinën. Me një grua si Ganja, kurrë nuk do të isha i lumtur. Të nesërmen e kam thirrur dhe kam marrë një informatë të shkurtë: - I kam treguar. Nuk mund të them se ishte e lumtur. Por, do të mësohet, ajo tani është në pubertet. Ka probleme me shkollën. S'e ka të lehtë. - Do të doja ta njoftoj. - Do të lajmëroj shpejt - më tha dhe ma mbylli telefonin. (vijon)

(Kosova Sot)