Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (59)

  • 23 March 2019 - 15:51
Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (59)

"Nuk do të duhej", tha ai, por nuk isha e sigurt se a ishte duke ia tërhequr vërejtjen vetes, apo mua. Ia mbylla buzët para se ai të mund ta pengonte këtë të ndodhte. Kurrë në jetën time nuk kam qenë më e sigurt për diçka. Nuk mund të thosha pse, por kurrë nuk isha ndier më e sigurt sesa që ndihesha aty, në errësirë, me dikë që vuante sikurse unë. Sa herë që isha afër tij, ekzistonte një sens i thellë i sigurisë dhe rehatisë. Daniel Daniels më dukej si njeri i shtëpisë.

KAPITULLI 15

Pra, ajo më puthi me sytë e saj E, më pas, edhe me ato kofshë Dhe, o Zot, si puthnin buzët e saj ~ Romeo's Quest Javët e ardhshme ishin të mbushura me eksitime sekrete. Daniel dhe unë komunikonim kryesisht me anë të mesazheve të shkruara. Në korridore, rastësisht ndeshnim në njëri-tjetrin - gjë që kurrë nuk ndodhte aksidentalisht. Ai kërkonte nga unë që të rrija me të pas orëve, për disa puthje romantike. Më pëlqente lidhja sekrete, më dukej vetja si një spiun, i cili bën tërë atë që mundet, vetëm që të mos e zënë. Kur hyra në klasë një të premte, mbi tavolinën time kishte lule Margarita. Ryan po ashtu hyri në klasë dhe i vërejti lulet. "Keqbërësit tani të dhurojnë lule"? Unë u zgërdhiva dhe i afrova lulet te hunda. U mora erë. "E di, keqbërësit janë me të vërtetë kompleksë". Ai qeshi dhe u ul në vendin e vet. "A nuk jemi të gjithë? Nejse, Hailey më tregoi për listën tënde të prioriteteve". Kjo nuk më befasoi. Ai vazhdoi. "Dhe, nga ajo që kuptova, duke hallakatur nëpër dhomën tënde, derisa ti ishe duke bërë dush... kjo Gabrielle me të vërtetë dukej si një loçkë e vërtetë". Qesha me ironi. "Dua të them, sikur ajo të ishte këtu, me gjasë nuk do të shkoja me djem, por me vajza". "Do të shkoje me motrën time", ia ktheva me shaka, "por jo me mua?" "A ke vdekur ti dhe a i ke lënë motrës tënde binjake nga një letër për çdo rrethanë?" "Jo". "Atëherë, pra, nuk do të dilja me ty. Ka diçka tepër seksi rreth shpirtrave, që lënë porosi të shkruara për më të dashurit e tyre". Nuk mund të mos qeshja. "Pra, ty mund të të 'ndezin' vetëm vajzat fantazma, e jo ato të gjallat". "Ohhh, më pëlqen kur e thua atë. Thuaje sërish…" Ia dhashë një goditje të lehtë. "Çka të them? Vajzat fantazmë?" Ai buzëqeshi dhe pohoi me kokë. "Vajzat fantazmë, vajzat fantazmë, vajzat fantazmë", ia thashë disa herë duke pëshpëritur. Ai i mbylli sytë dhe u shtir kinse ishte tërësisht i ndezur. "Mmm! Kështu më pëlqen mua". "Je idiot", i thash duke qeshur. "Ti e do këtë idiot". Me të vërtetë e doja. "Por, le t'iu kthehemi gjërave me rëndësi. Së shpejti Theo do ta organizojë një ndejë tjetër dhe unë..." Ai u zgërdhi dhe e futi dorën në xhepin e tij të pasmë. Një kartë e plastikës doli nga aty dhe ai buzëqeshi edhe më shumë. "Kam një letërnjoftim fals". Ia mora atë letër nga dora dhe buzëqesha. "Ku hamamin e more këtë?!" Ai buzëqeshi në mënyrë të mistershme. "Njoh njerëz, të cilët njohin njerëz të tjerë". "Burt Summerstone?" i thash, duke lexuar emrin e tij nga letërnjoftimi fals. Ai ma mori atë nga dora dhe e ktheu përsëri në xhep. "Mos u përqendro te emri, vocërrake. Me rëndësi është datëlindja. Unë zyrtarisht jam një student 21 vjeçar. Dhe, ne do të dehemi dhe do ta kryejmë edhe këtë detyrë nga lista e detyrave që duhen bërë". Ai ma dha një letërnjoftim fals edhe mua. Summer Burtstone. Sa kreativ. "Por, unë e urrej Theon", i thashë. Ai ishte sjellë si gomar ndaj Haileyt. "Ky është vetëm edhe një rast më shumë që të vish dhe t'ia tregosh atij gishtin e mesëm", tha Ryan. "Unë e bëj këtë gjatë tërë kohës". (vijon)

(Kosova Sot)