Ngjarje e vërtetë: E shita veshkën për ta shpëtuar të dashurin (5)

  • 31 March 2019 - 15:40
Ngjarje e vërtetë: E shita veshkën për ta shpëtuar të dashurin (5)

Më nuk dyshoja, e dija se situata ishte më se serioze. - A mund ta rregullosh që edhe unë ta shes veshkën time? - e pyeta, me tërë seriozitetin e mundshëm. - Këtë kurrë nuk do të mund ta kërkoja nga ti. Unë nuk pata çare, por vet e kam fajin që gjendem në një situatë të tillë. Ti nuk ke nevojë që të përfshihesh në aktivitete ilegale për të më ndihmuar. Këtë nuk e kam merituar. - Po, po. E ke merituar dhe do të të ndihmoj me gjithë qejf. Ti nuk e kërkove këtë nga unë. Vetë të thash, por ti duhet t'i rregullosh të gjitha. Ekziston vetëm një kusht, e ky është që kurrë më të mos luash me letra me para, i thashë me vetëbesim dhe, dy ditë më pas, edhe unë u gjeta në tavolinën kirurgjike. Kjo ishte një përvojë aq e tmerrshme, saqë as nuk dua të flas për të. Tmerr! Por, për shkak të dashurisë isha e gatshme edhe për gjëra më të vështira. E shita veshkën dhe paratë që i mora, ia dhashë Petritit. Ai i pagoi borxhet dhe, me kalimin e ditëve ndiheshim gjithnjë e më mirë. për fat, ai operacion nuk kishte lënë pasoja te ne. Petriti më ishte falënderues dhe më premtonte se do të ma kthente këtë të mirë që ia kisha bërë. Një ditë, kur u ktheva nga puna, nëna e tij më priti me një drekë të shijshme. E dita se diçka ishte duke u përgatitur. - Sanije, duhet të bisedoj me ty seriozisht.

E di se ti dhe im bir planifikoni që të fejoheni dhe të martoheni, por e sheh se çfarë vakti ka ardhur, jetojmë keq e më keq. Unë kam një shoqe në Gjermani dhe, ka kohë që jam duke e lutur që t'ia gjejë Petritit një punë atje. Tani ajo ia ka gjetur punën atij, por me gjasë Petriti nuk do të dojë të ndahet nga ti. Ai nuk do të më dëgjojë dhe nuk do ta shfrytëzojë mundësinë e cila të ofrohet vetëm një herë në jetë. Të lutem, binde që të shkojë në Gjermani, ta fitojë ndonjë lek, e më pas mundeni edhe të martoheni. Kur të keni para, çdo gjë do ta keni më të lehtë. Nuk jetohet vetëm nga dashuria. Ti duhet të ndikosh te ai. Paramendo sa mirë do të ishte sikur ai të fitonte ca para, e ti të mund ta hapje dyqanin tënd. Do të ishe pronar i vetvetes dhe askush nuk do të të mund të shfrytëzonte. Të dy jeni ende të ri. Çka dmth në rini një a dy vite? E, gjatë asaj kohe do të mund ta siguroni të ardhmen. Meshkujt shpesh nuk mendojnë me arsye, por instinktivisht. Edhe ti e di se Petriti im është i tillë. Ti duhet të jesh zëri i arsyes në këtë lidhje. Ai të dëgjon ty. Bëje këtë për Petritin, për veten po ashtu, të lutem - më përgjëronte ajo, aq sa edhe më bindi. Nuk ishte njësoj për mua që Petriti të largohej, por ajo më bindi se kështu ishte më së miri për të dy ne. Petriti shkoi me përtesë, e te unë grumbullohej ngadalë ajo ndjenja e vjetër, e njohur, e mërzisë dhe vetmisë. Petriti më mungonte sa s'ka dhe shumë net i kalova me lot, duke e pyetur veten se si ishte ai dhe çka bënte. Në fillim më shkruante shumë, duke më treguar sesi ishte duke punuar vazhdimisht, edhe atë, në profesionin e tij të vjetër. Më thoshte se e kishte vështirë, por se të gjitha i kalon me lehtësi kur i kujtohet se këtë është duke e bërë për ne.

Edhe unë i shkruaja çdo ditë, por një ditë pushuan së ardhuri letrat e tij. Iu drejtova nënës së tij, e cila në ndërkohë kishte filluar që të sillej ndryshe me mua, tani kur i biri i saj nuk jetonte më me ne. Kryesisht evitonte çdo bisedë, e edhe ajo që më thoshte, nuk kishte kuptim. Isha e dëshpëruar. Kisha ndjenjën se ishte duke ndodhë diçka e keqe. Kur nëna e tij, përkundër lutjeve të shumta të mia, nuk më tregoi se çka ishte duke ndodhur, vendosa që të shkoja në Gjermani dhe ta kërkoja. Pasi arrita në adresën nga ku m'i kishte dërguar letrat e fundit, një zonjë e vjetër më tregoi se ai më nuk jetonte aty

(Kosova Sot)