Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (76)

  • 09 April 2019 - 16:01
Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (76)

Pashë një përpëlitje në sytë e tij. Duke mos ditur çka të thoshte, apo çka të bënte. Ryan kërkoi nga Daniel që edhe ai ta lexonte esenë e tij të shkurtër rreth të ardhmes. "Shakespeare, puthjet, listat. Vizioni para realitetit. Edhe një ëndërr". E urreja, meqë më rroku lemza dhe faqet mu njomën nga lotët. Klasa qeshi me esenë e tij, por asgjë që tha ai nuk ishte qesharake. "Kjo nuk ka kurrfarë domethënieje", tha Ryan. Ra zilja dhe Daniel qeshi vetë me vete. "Në rregull, njerëz. Keni bërë punë të mirë sot. Mos harroni t'i lexoni kapitujt nga i pari deri te i treti, të librit "To Kill a Mockingbird". Ka mundësi që të bëjmë test befasie". Ryan nuk u durua pa u përgjigjur. "Nuk është kurrfarë testi i befasisë nëse që më parë na tregon për të, z. Daniel". "Jo të gjitha ato që thuhen janë të vërteta, Ryan, por është më mirë të planifikojmë sikur janë", u zgërdhi Daniel. Unë i rrotullova sytë. I urreja zgërdhimjet e tij. Rrejta. Më pëlqente kur zgërdhihej. Ryan më tha se do të takoheshin gjatë drekës. Vetëm edhe pak studentë kishin ngelur në klasë. U afrova te banka ime dhe i mora librat. "Z. Daniels, kam një pyetje në lidhje me detyrën për të lexuar. A mund të më ndihmoni?" Ai i rrudhi sytë, derisa më shikonte. "Natyrisht. Për çka bëhet fjalë?" Ai donte të më thoshte edhe diçka tjetër, por priti derisa nga klasa doli edhe studenti i fundit. Më pas ofshau.

"Ashlyn"! "Kjo ka të bëjë me letrën që ta dhashë, apo jo? Rreth asaj se të dua? Sepse nëse kjo është e vërtetë...". "Ashlyn, jo. Të betohem se kjo nuk është e vërtetë". "Atëherë është për shkak se ti, thënë thjesht, je budalla"?, prita një përgjigje të cilën ai kurrë nuk ma dha. "Kam një letër tjetër për ty, nga motra ime". Ai e ngriti njërën vetull. Ia vendosa letrën në tavolinë. Në fillim të saj, shkruante: #25. Klubi i zemrave të thyera. Ai ofshau, e mori letrën dhe e hapi atë. Derisa shikoja se si nxirrte një foto të Gabby-t, ofshava. Sikur kalova në një dimension tjetër, sapo e pashë foton e saj. Ajo kishte shikuar drejt e në fotoaparat, me dy gishtat e saj të mesëm lart. Kjo ishte motra ime. Në pjesën e prapme të fotografisë shkruante: "Shko në rr.s. për shkak se e ke lënduar"!. Doja të qeshja, por nuk qesha. Doja të qaja, por nuk qava. Danieli buzëqeshi. "E paska pasur sharmin tënd". Ai e kishte gabim. Gabby ishte shumë më sharmante sesa unë. "Më kishe thënë se dëshiroje të isha jotja…", i pëshpërita, duke iu afruar tavolinës së tij. "E di, Ashlyn. Edhe unë dua... kjo thjesht... është e komplikuar". I rrotullova sytë. "Si një njeri inteligjent që je, je goxha idiot. Unë jam shembull tipik i të qenit i komplikuar, Daniel. Ku qëndron problemi? Më injorove gjatë tërë natës për shkak të vëllait tënd". "A je duke folur me mua"? Ja ku ishte ai përsëri, duke qëndruar te dera dhe duke na shikuar. U ktheva kah ai dhe pash tronditjen në sytë e tij, pasi që më pa mua". "Oh… Oh, uau". Oh jo.

"Kjo është e re, apo jo? Tani ju jemi qepur studenteve, apo jo"? Ai hyri në klasë dhe u ul në skaj të tavolinës së Danielit. "Nuk është ashtu sikur që duket, Jace…" tha Daniel me një zë të ulët. Jace! Nuk e dija se dreqi kishte një emër kaq të bukur. "Vërtetë?", tha ai, duke i pëshpëritur Danielit. "Meqë duket sikur je duke e punuar studenten tënde". Mbeta gojëhapur, e tronditur nga fjalët e tij. "Kjo nuk është e vërtetë". "Ashlyn!", ndërhyri Daniel, duke i mëshuar tavolinës me dorë. "Mos fol me të". "Mos u mërzit. Erdha vetëm të të përshëndes. Ja"! Jace nxori një copë letër dhe ia përplasi të vëllait në dorë."Më thirr më vonë për një bisedë vëllazërore. Unë do t'i sjell birrat. A do t'i sjellësh ti femrat?", derisa e tha këtë, u kthye kah unë, duke buzëqeshur si kriminel. Do të doja ta rrëzoja përtokë me grushte. "Përkujdesu që të miat të jenë të moshës madhore. Mjaft kam qëndruar prapa grilave". Ai doli nga klasa, duke më lënë të habitur. (vijon)

(Kosova Sot)