Ngjarje e vërtetë: U ktheva nga Kanadaja dhe e gjeta të dashurën (5)

  • 09 April 2019 - 16:03
Ngjarje e vërtetë: U ktheva nga Kanadaja dhe e gjeta të dashurën (5)

Ja çka më tha më pas nëna: "Pasi ma refuzuan kërkesën për të shkuar në specializim, për pedagoge shkollore, e në vendin tim u dërgua një kolege, e cila këtë nuk e meritonte me asgjë. Ajo ishte përzgjedhur për shkak të meritave të paraardhësve të saj në luftën paraprake. Atëherë kuptova ku e kisha vendin. Vëllai im përfundimisht m'i hapi sytë, kur m'i tregoi arsyet e tij të shkuarjes në Kanada. Për këtë shkak e dëgjova kur më tha që ti të shkoje atje. Atje do të kesh mundësi të specializosh, gjë që këtu e ke të pamundur. Më dëgjo dhe përgatitu për udhë sa s'janë mbyllur udhët. Suksesi yt i mirë në botën e jashtme do të t'i hapë udhët për përparim në karrierë, gjë që nuk mund ta arrish në vendin tënd. Nuk më erdhi mirë kur mora vesh se gjyshi im kishte qenë në anën e atyre që kishin shkaktuar aq të këqija për njerëzimin. Veprimet e tij ishin pasqyruar edhe te pasardhësit e tij. Unë gjithmonë e kisha ditur se nuk bëja pjesë në mesin e të të privilegjuarve dhe se çdo gjë duhej ta arrija me anë të punës sime.

Si fëmijë nga një martesë e përzier dhe i papërcaktuar në aspektin nacional, nuk përshtatesha në rrethanat e reja të shoqërisë, prandaj menjëherë pranova këshillën e nënës që të shkoja në një ambient të ri. Daja më priti krahëhapur dhe zemërhapur. Si avokat i suksesshëm, me lidhje të shumta, pa problem ma gjeti një punë në spital, ku një vit më vonë ma miratuan specializimin në kirurgji. - A e di, Valmir, kur nëna jote më kërkoi që të të ndihmoja të vije në Kanada, ajo ishte dita më e lumtur në jetën time. Kisha filluar të kisha frikë se do të mbeteshim të huaj deri në fund të jetës, prandaj ia kisha shkruar një letër ku e ftoja që, ta merrte tërë familjen dhe të vinte te unë, derisa të qetësohet situata te ju. Nuk mund t'ia falë vetes katër dekada, që i kemi çuar kot, duke besuar se ajo nuk do të ma falë largimin tim nga atdheu. Unë nuk doja që të jetoja nën hijen e së kaluarës. Ne fëmijët nuk kemi asnjë faj për atë që kanë bërë prindërit tanë.

Për dallim nga motra ime, unë që në fillim pash se do të konsiderohesha fajtor gjatë tërë jetës, pa bërë as edhe më të voglin faj. Kur ma refuzuan vendosjen në konvikt të studentëve, duke më thënë se ato vende ishin rezervuar për fëmijët e prindërve meritorë, sikur mu mbush kupa. Vendosa që të largohesha nga atdheu. Isha i detyruar të largohesha pa u përshëndetur, sikur që e kërkonte situata e largimit ilegal nga vendi. Sikur që e di, nënën time kurrë nuk e pashë më. Meqë nëna jote, e motra ime, punonte në shërbimin shtetëror, i cili ishte nën kontrollin e regjimit, nuk i lajmërohesha që të mos ia prishja punët. Kështu kaluan dyzet vjet. Por, ta lëmë të kaluarën anash. Le t'i gëzohemi takimit tonë këtu. (vijon)

(Kosova Sot)