Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (84)

  • 17 prill 2019 - 15:32
Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (84)

Hyra në zyrën e Henry-t ku ai tanimë ishte dhe e mbylla derën prapa vetes. Ai u ul në një karrige prapa tavolinës dhe e pastroi fytin. Gjëja e parë që pashë ishte fotografia e Ryanit dhe motrës së tij, që gjendej mbi tavolinë. Ashlyn dhe Gabby nuk dukeshin gjëkundi. "Faleminderit që erdhe… " Zëri i tij ishte nervoz. Shumë më nervoz sesa që do të ishte zëri i një babai që kishte marrë vesh lidhjen e së bijës me një profesor. Ai nuk e dinte. "Doja t'ua kërkoja një favor". Ngrita njërën vetull dhe u mbështeta në karrige."Çka mund të bëj për ju"? "Epo, sikur që e dini…" Ai e mori një fotografi e cila gjendej para tij dhe ia nguli sytë asaj. Pasi që e lëshoi poshtë, pashë se çfarë fotografie ishte - binjaket. Ato ishin aty gjatë tërë kohës, me fytyrë të kthyer kah Henry. "Ashlyn është vajza ime. Ka përjetuar shumëçka pas vdekjes së motrës së saj..."

"Më vjen keq", pëshpërita dhe me të vërtetë mendova kështu. Ai e pastroi zërin dhe vazhdoi. "Faleminderit. Por, puna është se, nëna e Ashlyn-it ka disa probleme personale, kështu që kishte nevojë për vetmi. Për këtë shkak, Ashlyn erdhi për të jetuar te unë. E ëma e saj, Kim, sapo më thirri dhe më tregoi se kishte mbërritur një letër nga kolegji i saj i preferuar, në Kaliforni. Ata janë duke kërkuar një letër tjetër të rekomandimit. Ajo ka përjetuar kaq shumë gjëra...".

Kalifornia. Kjo fjalë tingëlloi disa herë në mendjen time. Pohova ngadalë me kokë, duke dashur që të dilja sa më parë nga zyra e tij, ta gjeja Ashlynin dhe ta përqafoja atë. Doja t'i thosha se nuk mund të shkonte. Se duhej të rrinte me mua. Se, pas përfundimit të vitit shkollor, do të mund të bëheshim bashkë. Por, nuk mundja. Henry vazhdoi. "Dhe, e di se kjo mund të jetë jashtë kontekstit... por, nuk besoj se ajo mund ta durojë edhe një dështim. Kjo do të ishte tepër për të. Planifikoj që t'i tregoj për letrën gjatë javës. Por, a mendon, vetëm nëse nuk të pengon, që do të mund t'ia shkruaje një letër të rekomandimit? Nuk je i detyruar ta bësh këtë". I vendosa duart në skaj të tavolinës së tij. A mund t'ia shkruaja një letër të rekomandimit, për t'i ndihmuar që të shkonte në kolegjin e ëndrrave të saj në Kaliforni? Fyti mu ter dhe doja që me tërë fuqinë time të bërtisja: "Jo! Ajo nuk mund të shkojë! Nuk mund të më lërë"! Përsëri i mbylla sytë, e kur i rihapa, thashë OK. U pajtova t'i ndihmoja Ashlynit që të largohej, ta jetonte jetën e saj.

"Do të jetë nder për mua". Kur u ktheva kah tryeza ku Ashlyn drekonte, sytë e saj u drejtuan kah unë. Një shenjë lehtësimi u pa në buzët e saj, pasi që kuptoi se çdo gjë do të ishte në rregull me Henry-n. Këmbët më çuan te tryeza e saj, ku me të ishin duke ngrënë edhe Ryan dhe Hailey. "Tung, z. D, dëshironi të na bashkoheni për drekë"?, bëri shaka Ryan. Unë buzëqesha dhe mohova me kokë. Pash Ashlyn-in që buzëqeshi. "Ashlyn, duhet të vish me mua në zyrën e zëvendësdrejtorit". Hailey pyeti pse. Unë u bëra kinse nuk dija asgjë. "Nuk e di. Ai nuk më tregoi". "Ndoshta Henry ia pa shenjën në qafë", tha Ryan duke qeshur me ironi. Pash se si faqet e Ashlyn-it u skuqën dhe ajo instinktivisht mbuloi qafën me flokë. Ajo u ngrit dhe erdhi pas meje. (vijon)

(Kosova Sot)