Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (89)

  • 22 prill 2019 - 15:42
Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (89)

"Jo". Ajo u largua nga përqafimi im. "Nuk do ta bësh këtë. Nuk të lejoj që të më lëndosh dhe të më mbash, Daniel". Ajo mori thellësisht frymë dhe fshiu lotët që vazhdonin të dilnin nga sytë e saj. "Kjo bile është hera e parë që i the këto fjalë. Nuk mund të thuash se më do, e më pas të ma thyesh zemrën. Prandaj, ma thua atë që të duhet të ma thuash. Ma thuaj dhe unë do të iki". Edhe unë mora frymë dhe i ngula sytë në tokë. Kur e ngrita shikimin, e pashë se ajo më analizonte duke më shikuar. E nxora frymën. "Po ndahem me ty, Ashlyn". Ajo ofshau lehtazi, para se t'i zbehej fytyra, si e xhenazes. Trupi i saj u dridh paksa. Ajo u kthye kah dalja dhe filloi që të largohej. "Vafsh në djall, Daniel."

KAPITULLI 24

Mos u beso rrenave. ~ "Romeo's Quest" Cili është ai idiot i cili të braktis, pasi që të thotë se të do? Më duhej një dush i ftohtë për t'u qetësuar, meqë gjatë tërë ditës më kishte vluar gjaku. U nisa në drejtim të banjës për t'u larë dhe u ndala, kur dëgjova zërin e Henry-t brenda. "E di... jo, ajo nuk e di. Kim, nuk ka lidhje! Ajo do të rrijë me mua". Në fyt m'u formua një duq. Kim. Kim quhej nëna ime. "OK, OK. Mirupafshim"! Zëri i tij u ndal dhe dera u hap. Kur ai më pa, u zmbraps nga habia. "Ashlyn! Çka po bën këtu"? "Prej kur ti e përdor banjën lart, Henry?" Ai kaloi pranë meje, duke i rrudhur supet. "Rebecca e kishte zënë banjën poshtë". "Oh"! Mundohesha që ta zbuloja ndonjë emocion në gjuhën e tij trupore, por asgjë. "Atëherë, pse flisje me nënën time"? Ai u kthye sërish nga unë. goja e tij u drodh paksa, ndërsa shikimi i lëvizte. "Universiteti i Kalifornisë jugore është i interesuar për ty. Z. Daniels do të shkruajë një rekomandim për ty". "Mos e ndërro temën! Dhe, unë nuk e dua atë ndihmë!" , bërtita si fëmijë. Këtë edhe e mendoja. Henry duhet të jetë habitur nga përgjigjja ime. Habia i shihej në fytyrë. "Qetësohu, Ashlyn." Nuk mundja. Si kishte mundësi që nëna t'i telefononte Henry-t, e jo mua? Bile, as një mesazh nuk ma kishte dërguar. "Nuk do të qetësohem! U mërzita nga të gjithë që duan të më ndihmojnë, derisa unë nuk kam kërkuar ndihmën e askujt. Askush nga ju nuk e di se çka është më së miri për mua. Nuk kam dashur të jetoj këtu. Nuk kam dashur që ta vijoj këtë shkollë të mesme të mutit. Nuk kam dashur të kem asgjë të bëjë me ju. Pse nuk flisni me mua?

Jam 19-vjeçare, e jo 5! Kam moshë të rritur! Jeni duke ma shkatërruar jetën!" Dola jashtë me nxitim, duke e përplasur derën e dhomës sime të gjumit. Hailey rrinte ulur në shtrat, me ilaçet në dorë. Gjatë 5 ditëve të kaluara ka qenë e sëmurë, ku tani hunda e saj ishte më e kuqe sesa ndonjëherë më parë. "Ashlyn, çka u bë?" Para se të arrija të përgjigjesha, u hap dera e dhomës dhe Henry hyri brenda. "Hailey, Ashlyn dhe unë duhet të bisedojmë". "Nuk dua të flas me ty!", thash duke bërtitur, duke ndier lotët sesi më rridhnin faqeve. U hodha në shtrat dhe fillova ta njomja jastëkun me lot. "Nuk kuptoj se nuk ma thoni të vërtetën! Ju lutem, ma thoni të vërtetën!" "Ajo është në një qendër rehabilitimi, Ashlyn". Fjalët e tij mu dukën të pakuptimta në fillim. E shikova e habitur, derisa Hailey mbante e habitur ilaçin e saj në dorë. (vijon)

(Kosova Sot)