Ngjarje e vërtetë: Kurrë nuk do të besoja se do të martohesha me të (6)

  • 22 April 2019 - 15:47
Ngjarje e vërtetë: Kurrë nuk do të besoja se do të martohesha me të (6)

Kam bërë gabime të shumta në jetë, e gabimi im më i madh ishte martesa me Silvion. Gabimet e tjera të mia ishin idetë rreth emancipimit. Mendoja se mundja e vetme të përballesha me valët e jetës, e vetëm tani kam kuptuar se prekja e ndokujt, një fjalë e ëmbël, janë gjërat e vetme që më duhen për të qenë e lumtur. Të gjitha këto i kisha me Luftimin, të cilin e lash. Italia, ky vend i bukur ku jetova kaq vite, përnjëherë më dukej si një vend i largët. Vendin e kam këtu, me Luftimin në shtëpinë e tij. Pasi që e kuptova këtë, u thellova edhe më shumë në përqafimin e tij. - Më nuk mund ta paramendoj jetën pa ty. Nëse ikën edhe një herë, do të ma thyesh zemrën. Me vite kam ëndërruar sesi do të bisedonim dhe, në fund, të të pyes a dëshiron të martohesh me mua - më befasoi ai. Nuk e kisha as edhe hezitimin më të vogël. - Natyrisht se dua. Edhe atë qysh nesër. Më vjen keq që kemi humbur kaq shumë kohë - i thash. Pas tërë atyre viteve isha e mbushur me qetësi, meqë tani e dija se isha duke bërë gjënë e duhur. Nuk e di se edhe sa kohë do të qëndronim në atë kopsht, ashtu të ulur në ulëse duke u puthur, sikur të mos na ndërpriste një zhurmë që vinte nga rruga.

Miqtë e tij të dehur, me gjasë të mërzitur nga festa e beqarisë pa beqarin kryesor, kishin ardhur për ta marrë. Kurrë nuk do ta harroj shprehjen e tyre të fytyrës, kur në vend të Marisë, në përqafimin e tij më gjetën mua. Të nesërmen në mëngjes shkuam në ofiqari. Ofiqarja, përndryshe mikeshë jona nga fëmijëria, vetëm buzëqeshi. Edhe ajo e dinte rrëfimin tonë, prandaj nuk bëri asnjë pyetje. Shpejt e nxori certifikatën time të lindjes dhe i rregulloi të gjitha dokumentet e nevojshme për kurorëzim. Kurorëzimi, i cili do të duhej të ishte i Marisë, u bë imi. Një kurorëzim luksoz me shumë të ftuar. Maria gjatë tërë ditës nuk ndahej nga ne. Mundohej shumë që të ishte dasmorja më e lumtur në dasmë, duke ua mbyllur gojën kështu të gjithëve. E, në fytyrën e çdo dasmori vërehej habia. Një ditë pas dasmës, Luftimi dhe unë vizituam prindërit e Amirit. Biseduam gjatë dhe mbetëm të kënaqur nga kjo vizitë. Prindërit e tij, në fakt, pranuan për martesë, duke nënshkruar që të martoheshin dy të miturit. Edhe pse të pasur dhe të fuqishëm, ata u dorëzuan para frikës që djali i tyre i hasretit mund të bënte vetëvrasje. Isha tepër e lumtur, meqë fitoi dashuria e dy njerëzve të rinj. Amiri që atë muaj u kthye në gjimnaz, e dasmën e caktuan pas lindjes së fëmijës. Luftimi dhe unë shkuam për muaj të mjaltit në Itali, e shitëm shtëpinë tonë dhe i morëm gjësendet e nevojshme.

Një pjesë të parave ia dhurova Marisë dhe burrit të saj të ardhshëm. Me ato para ata blenë një shtëpi. Luftimi i bindi prindërit e Amirit se martesa nuk do ta pengonte të birin e tyre që të shkollohej. Derisa Amiri do të studionte, Maria do të mbetej në shtëpi dhe do ta ruante fëmijën. Ajo planifikon që studimet t'i kryejë me korrespodencë, e unë i premtova që do t'ia paguaja të gjitha shpenzimet. Shumë shpejt Maria u bë nënë. Vajzës ia vuri emrin tim. E, unë dhe Luftimi presim ditën kur edhe vetë do të bëhemi prindër. FUND.

 

(Kosova Sot)