Ngjarje e vërtetë: Më braktisi për shkak të një reklame! (2)

  • 24 April 2019 - 15:41
Ngjarje e vërtetë: Më braktisi për shkak të një reklame! (2)

Fëmijët ishin të shëndetshëm, të dëgjueshëm, karrierat tona ishin në ngritje e sipër, e ne shkonim shumë mirë midis veti. I kishim të gjitha parakushtet për një jetë të lumtur. Gjithçka filloi një mbrëmje kur Samiri erdhi në shtëpi, e në këmishë i shiheshin shenjat e buzëkuqit të femrave. - Kush të paska puthur? - e pyeta ashtu, më shumë për shaka, sesa që besoja se kishte ndodhur ndonjë gjë. - E, kush do të më puthte? Nuk kuptoj çfarë marrëzish flet. Ti dhe shpifjet e tua - më tha me zemërim. - Dua ta dëgjoj nga goja jote. Kush të ka puthur? - vazhdova. - Albana, më nervozon. Kohëve të fundit sikur je bërë paranoike. Nuk di se çka është duke ndodhur me ty. Mos po ndikojnë koleget tua të zyrës?

Të gjitha ato kanë probleme me burrat e tyre, prandaj edhe te ti ndikojnë duke të futur mosbesim edhe te ti - vazhdoi ai kështu duke më bërë që t'i ngriheshin flokët në kokë. Nëse deri tani edhe nuk kisha dyshuar në shenjat e buzëkuqit në këmishën e tij, toni me të cilin më drejtohej bënte me dije se ai ndihej fajtor. E hodhi laptopin sikur ai të ishte i pathyeshëm. - Kompjuteri nuk ka faj që ti ndihesh me faj. Për herë të fundit po të pyes, kush të ka puthur? Do të bëje mirë të mendosh mirë para se të më përgjigjesh. Nga përgjigja jote varet vazhdimi i lidhjes tonë. Jam grua e rritur, e kupton situatën e kolegeve tua, por nuk lejoj dhe kurrë nuk kam lejuar që problemet e tyre të kenë ndonjë ndikim te ne - intuita femërore më thoshte se ishte duke ndodhur diçka e pakëndshme për mua. - Kam pasur një ditë të tmerrshme në punë. A mundemi që këtë diskutim ta shtyjmë për ndonjë ditë tjetër, kur të ndihem më mirë? Sot nuk kam fuqi që të të bind se sa burrë i mirë jam. Përpos kësaj, jam i lodhur nga dyshimet. U nervozova edhe më shumë. Refuzimi i tij vetëm sa ma konfirmonte dyshimin se diçka nuk kishte shkuar sipas planeve të tij. - Ky nuk është një diskutim i marrë. Dua një përgjigje të menjëhershme! A më mashtron, apo jo? Përgjigjja është shumë e thjeshtë dhe e qartë. Dhe, kush të ka puthur sot? - e ngrita tonin sikur kurrë më parë. Ai mbeti i shtanguar, i pamësuar me një sjellje të këtillë. - Nuk të mashtroj. Askush, përpos teje, askush nuk më ka puthur - ma ktheu, duke e ulur shikimin dhe duke u nisur kah banja. Në atë moment m'u rrënuan të gjitha ëndrrat, të gjitha bindjet rreth jetës së lumtur martesore. Ishte më se evidente se ishte duke më rrejtur.

Kur njeriu përjeton një moment të tillë, ndihet sikur përnjëherë është braktisur, është hedhur në një planet të braktisur, ku gjithçka është e shkretë, por e vërtetë në ashpërsinë e vet. Mora frymë thellë. - Ndal, mos e bëj as edhe një hap më tej. Hiqe këmishën tënde, shikoje, e më pas mendo pse të pyeta kush të ka puthur. Unë kurrë nuk ta puth jakën e këmishës, meqë më pas vet duhet t'i laj - bërtita sikur të më kafshonte gjarpri. Samiri u shtang. Vërejta sesi i dridheshin supet. E dinte se e kisha zënë me pelë për dore. E, unë e dija se ai ishte duke planifikuar një teknikë të re të mbrojtjes, ndonjë rrenë të pakuptimtë të cilës nuk do t'i besonte as edhe një fëmijë. - Çka pret? Pse nuk e heqë atë këmishë, për t'i parë edhe vetë shenjat e pabesisë tënde? - bërtita. Në vend të përgjigjes, ai filloi që ta hapte këmishën e tij ngadalë, pullë pas pulle. Kur e hoqi, ai menjëherë shikoi te vendi ku gjendeshin gjurmët e buzëve të dikujt dhe ma hodhi para këmbëve. Veprimi i tij më zemëroi, prandaj e mora këmishën e tij, e bëra duq dhe ia hodha në fytyrë. 

(Kosova Sot)