Ngjarje e vërtetë: Më braktisi për shkak të një reklame! (3)

  • 25 prill 2019 - 15:41
Ngjarje e vërtetë: Më braktisi për shkak të një reklame! (3)

- I mallkuar! Si e merr guximin? Humb nga kjo shtëpi. Këtu nuk janë të mirëseardhur rrenacakët, e as mashtruesit. Nga jashtë melaqe, e nga brenda dreq me lara. Ti je i tillë - thjesht isha jashtë vetes nga zemërimi, por edhe nga dëshpërimi rreth tërë asaj që ndodhte. Përnjëherë u zhduk burri im i mirë, babai i fëmijëve tanë, e para meje qëndronte një i huaj i pacipë. - Vetëm më ofendo. Më quaj si të duash. Nuk mërzitem për komentet tua. Sikur të ishe përkujdesur më shumë për veten, si femër, atëherë ndoshta kurrë nuk do të kërkoja që të më puthte një femër tjetër - më tha me cinizëm, duke më matur me sy nga koka deri te këmbët. Fakti që ai as nuk merrte mundin ta mohonte mashtrimin, më shkaktonte dhembje shtesë.

Sikur të mos isha paralizuar nga befasia tepër e madhe, me gjasë do t'i gjuhesha si panterë, duke e sulmuar me tërë fuqitë e mia. Thuajse isha paralizuar e tëra. Në atë moment u kthye vajza jonë nga trajnimi i basketbollit. Na përshëndeti, por kur pa se nuk reaguam në përshëndetjen e saj, na përshëndeti edhe një herë. As kësaj here nuk folëm asnjëri. Ajo që kishte ndodhur midis nesh disa momente më parë ishte e tmerrshme. - Alo, a jeni duke u bërë gati për dhomë të gjumit, a? Prindërit e mi të dashur, do të duhej që të ishit më të kujdesshëm. Megjithatë, ju e keni një vajzë adoleshente dhe një djalë të vogël që jetojnë me ju. Zhveshjen do të duhej ta linit për dhomë të gjumit. Pastaj thonë se ne, gjeneratat e reja, jemi të pasjellshëm dhe mendtë i kemi vetëm te një gjë - bënte shaka vajza jonë 13- vjeçare. - Shko në dhomën tënde. Unë dhe babai jemi duke bërë një bisedë serioze - u mundova që të thosha me qetësinë më të madhe të mundshme. Vajza në fillim e shikoi të atin e saj, e më pas edhe mua. Ishte e qartë se ajo nuk e kuptonte këtë situatë, por nuk isha në gjendje t'i jepja ndonjë shpjegim. Për fat, ishte fëmijë i dëgjueshëm dhe shkoi në dhomë. - Unë paskam faj që ti ngrehesh me të tjerat? Pasi që më akuzon, atëherë më trego se çka duhej të bëja unë, meqë është evidente se nuk jam duke kuptuar - më nuk mund ta mbaja zemërimin që e kisha brenda. - Shikoji pak reklamat TV, apo reklamat në revistat e grave. Do të duhej që të dukeshe, p.sh., si ajo biondja, e cila e reklamon llakun e flokëve, apo si ajo zeshkania e cila reklamon shampon. Këta janë vetëm disa shembuj.

Fundja, ti i blen të gjitha ato revista - ma tha troç. - Unë nuk jam modele, as manekine apo aktore. I kam kaluar të dyzetat. Nuk mund të dukem sikur femrat që janë me vite më të reja sesa unë. Fundja, ato kanë shërbëtore në shtëpi dhe e kanë tërë kohën e mundshme që të përkushtohen ndaj vetes. E unë, pasi që kthehem nga puna, nuk kam kohë për veten time. Më duhet të gatuaj, të pastroj, t'i hekurosi këmishët e tua të mallkuara. Më duhet të jem nënë, grua, punëtore. Kur arrin mbrëmja, nuk më shkon ndërmend që të shkoj te ndonjë floktar. E tëra që dua, është që të ngihem gjumë. Nëse nuk të pëlqen pamja ime, atëherë lirisht shko te ajo lavirja jote. Unë nuk kam lindur që të reklamoj llak për flokë, apo shampo, e as brekë e sutjena. Samiri më shikoi për një kohë. Shikimi i tij më ishte i neveritshëm. E mallkova në vetvete. E urreja nga thellësia e shpirtit tim. (vijon)

(Kosova Sot)