Ngjarje e vërtetë: Më braktisi për shkak të një reklame! (7)

  • 30 April 2019 - 15:31
Ngjarje e vërtetë: Më braktisi për shkak të një reklame! (7)

Kishte ditë kur zgjohesha me buzëqeshje në fytyrë, por shpesh e pyesja veten, mos kishte pasur të drejtë Samiri. Ndoshta me të vërtetë e kam lënë veten pas dore. Për këtë shkak, atë ditë vendosa që të shkoja te floktarja dhe ta ndryshoja pamjen time në mënyrë drastike. Por, më pas mu duk se nuk kisha nevojë për një gjë të tillë dhe se më mjaftonte që të isha e fuqishme dhe të kisha shumë arsye për jetë. Vetëbesimi, përkundër gjërave të këqija që më kishin ndodhur, pashë se kishte rëndësi tepër të madhe për mua. E thirra fotografin dhe me vëmendje dëgjova qëllimet e tij. U takuam të njëjtën ditë në studion e tij. Së pari mi bëri ca fotografi, të cilat pasi që i shikoi për disa momente, më tha se ishte i kënaqur. Më pas ma ofroi kontratën për punë honorar. E lexova tërë kontratën dhe e nënshkrova. Më pas më la në duart e bashkëpunëtoreve të tij.

Njëra m'i rregullonte flokët, e tjetra ma vinte grimin, e e treta më ndihmonte në ndërrimin e gardërobës. I ndoqa të gjitha këshillat e tyre, buzëqeshja dhe mërrolesha, sikur që më thoshin ata. Kur përfundimisht mbaruam me incizimet dhe fotografimet, isha më e lodhur sesa pas ndonjë pune tjetër, që mund të kisha bërë në jetë. Edhe për ditët e ardhshme caktuam seanca të tjera fotografish. Disa javë më vonë, mora pjesë në një revy mode. Fëmijët dhe prindërit e mi ishin në publik dhe më jepnin kurajë. Ecja e manekines ishte e vështirë dhe kërkonte stërvitje, sidomos në taka të larta, por disi e përvetësova. Thënë sinqerisht, isha krenare me veten time. Fotografitë të cilat mi dhanë mua, ishin të mrekullueshme. Derisa i shikoja edhe vetë habitesha me pamjen time. Grimi, veshja dhe të gjitha ato imtësi, me të vërtetë kishin bërë mrekulli. Edhe vetes në ato fotografi i dukesha sikur ato aktoret dhe bukuroshet nga ekrani TV. Natyrisht, tërë kjo që më kishte ndodhur nuk do të kishte kurrfarë rëndësie, nëse nuk do ta shihte Samiri. Nuk dija si të sigurohesha që ai t'i shihte fotot e mia. - Mami, më duhet të të tregoj diçka - më tha vajza, kur u kthyem në shtëpi, nga revyja e modës. Zemra m'u shtrëngua. Nuk e di pse, por kisha parandjenjën se ajo do të më thoshte diçka të tmerrshme. - Bija ime e dashur. Lirisht thuaj çka ke për të thënë. Çkado që të më thuash, do të mundohem të të ndihmoj - i thash, sa për t'i dhënë kurajë. - Sot t'i mora disa fotografi. I çova në zyrën e babit dhe i thash sekretares së tij që t'ia jepte atij - tha ajo me frikë, duke mos më shikuar në sy.

- E, pse e bëre këtë? - e pyeta, duke u bërë kinse isha serioze edhe pse më vinte që t'ia krisja gazit. M'u zhduk tërë frika fillestare. E tërhoqa vajzën kah vetja dhe e putha në flokë dhe fytyrë. Ajo dhe vëllai i saj ishin engjëjt e mi. - Që edhe ai të shohë çka ka humbur. Sikur të mund të shndërrohesha në mizë, të hyja në zyrën e tij dhe t'ia shihja shprehjen e fytyrës, kur ta kuptojë se çfarë bukurosheje ka braktisur - më thoshte ajo. Me këtë veprim të vajzës sime, hakmarrja ime kishte marrë fund. - Nuk duhet të jemi njerëz të këqij. Jeta vazhdon tutje, duhet të shikojmë kah ardhmëria. T'i harrojmë të gjitha gjërat e këqija. Ne mund ta bëjmë këtë. Ne të tre, së bashku, jemi një ekip i pamposhtur. Mund të durojmë më shumë sesa që mund të na e marrë mendja - i jepja kurajë vajzës, por edhe vetes. (vijon)

(Kosova Sot)