Ngjarje e vërtetë: E zënë rob në martesë (4)

  • 08 May 2019 - 15:49
Ngjarje e vërtetë: E zënë rob në martesë (4)

Tërë kohën e lirë e kaloja duke u munduar që t'ia bëja qejfin atij. E vetmja gjë që ai kërkonte ishte që vazhdimisht të dukesha përkryer, që të isha e bukur vetëm për të dhe që buka të ishte e gatshme me kohë. Tërë kjo më pëlqente në fillim, por me kalimin e kohës mu mërzit. Derisa mua më pëlqente muzika, ai preferonte romantikën. Megjithatë, ai më lëshonte pe, derisa u martuam. Kur u bëmë çift bashkëshortor, sapo u kthyem nga muaji mjaltit, më përjashtuan nga puna. Nuk ma dhanë asnjë shpjegim të logjikshëm. Vetëm ma dhanë librezën e punës në dorë. Kjo ishte një goditje e madhe për mua. Urreja ditët që i kaloja duke mos bërë gjë. Gjatë asaj kohe edhe Roberti filloi ta tregonte fytyrën e tij të vërtetë. Gjithnjë e më pak punonte, apo punën e merrte në shtëpi, e gjithnjë e më shumë e kalonte kohën me mua. Dashuria e tij mori një pamje krejt tjetër. Më ishte bërë si hije. As në shitore nuk mund të shkoja pa e ditur ai.

Gjithnjë e më shumë më bëhej e qartë se kisha rënë në kurth. Edhe pse e doja marrëzisht, edhe pse më pëlqente statusi që kisha fituar duke u martuar me të, fillova që të bëhesha gjithnjë e më pak e lumtur. Në anën tjetër, Roberti me një taktikë të veçantë më ndau nga shoqëria. Mora vesh se ai kishte qenë shkaktar që më kishin qitë nga puna. Thjesht, kishte shkuar në butik dhe, duke mos kursyer as kërcënimet, kishte kërkuar që të më pushonin nga puna. Kur e mora vesh këtë, u zemërova pa masë. - Më pushuan nga puna shkaku yt? - ia thashë troç. - Jo - më tha Roberti me vendosmëri. - Jo për fajin tim - mundohej të më bindte edhe pse unë e dija se ishte duke më gënjyer dhe duke i fshehur me mjeshtëri arsyet e një veprimi të tillë. - Por, pse atëherë? - assesi nuk më largohej zemërimi. - Nuk e di. Këtë desha të të pyes ty - më tha ai, duke më shikuar me një pafajësi false. I mëshova dyshemesë me këmbë. Ndihesha e zemëruar, por edhe e pafuqishme. Assesi nuk më largohej përshtypja se më kishte mashtruar dhe kishte luajtur me mua. Dashuria ime e madhe zvogëlohej nga dita në ditë. Roberti ishte një njeri posesiv, xheloz, ku atë xhelozi nuk mund ta kontrollonte asnjëherë. Më dukej tepër i kompleksuar dhe i pasigurt. E, kush nuk do të ishte i tillë në vendin e tij? Ai ishte një njeri në moshë, e unë një femër në lule të rinisë, duke joshur sytë e çdo mashkulli që më shihte. - Nuk besoj se mund të vazhdojmë gjatë kështu - i thashë me ashpërsi. - Për çka e ke fjalën? - Roberti u ngrit dhe mu avit në fytyrë. - E di çka kërkoje nga unë, atë je edhe duke e marrë. Nuk jam i marrë unë. Nuk mund të më thuash se ishe dashuruar në mua. Këtë nuk do ta besonte askush, e nuk e besoj as unë. Këtu jemi që ta plotësojmë njëri-tjetrin. Ti ma jep atë që më duhet mua, e unë atë që ti e dëshiron. Me para e kam blerë bukurinë tënde. Në fakt, të kam blerë të tërën, kështu që tani ti më përket mua.

Por, këtë e kam përligjur në mënyrë të ndershme, gjë që ndoshta nuk do të duhej ta bëja, meqë je duke shfaqur shenja të mos falënderimit. Fjalët e tij i dëgjoja me tmerr. Nuk dija si t'i përgjigjesha. Ai kishte të drejtë edhe pse jo në tërësi. Ishte e vërtetë që, si e magjepsur, kisha rënë pre e dhuratave të tij të shtrenjta. Askush nuk ma kishte përkushtuar një vëmendje të tillë më parë dhe askush nuk ishte sjellë ndaj meje sikur të isha e veçantë, përpos tij. Kjo edhe më kishte bërë për vete. Por, tani idili u zhduk dhe kuptova se kisha qenë vetëm një gjësend të cilin ai e kishte blerë dhe që donte ta mbante afër vetes. Besimi im në dashuri u shkatërrua, sikur që u zhduk edhe dashuria të cilën dikur e ndjeja ndaj tij. (vijon)

(Kosova Sot)