Ngjarje e vërtetë: Pas ndarjes nga i fejuari mora vesh se isha shtatëzënë (5)

  • 18 May 2019 - 13:12
Ngjarje e vërtetë: Pas ndarjes nga i fejuari mora vesh se isha shtatëzënë (5)

A di çka, Elena? Ndoshta do të duhej që t'ia ktheje unazën atij, shpresoj, ish të fejuarit tënd? Sidomos pasi që ka një vleftë kaq të madhe - më propozoi Gëzimi pasi që dielli tanimë ishte lart në qiell dhe na duhej ta gjenim një hije. - Jo, more! Ka ai plot para dhe e di se nuk do ta merrte unazën edhe po t'ia ktheja.

- Le të bëjë ai çka të dojë me të. - Ke të drejtë, vogëlush… - i thash, por ai ma mbylli gojën me puthje, sikur të më qortonte pse i isha drejtuar me 'vogëlush'. Sa i këndshëm që është! Një dashuri e vërtetë verore! Por, më pas mendova.

Çka nëse ai do të dashurohej seriozisht në mua? Më dukej se kjo kishte shumë gjasa që të ndodhte, pasi që ai më tha se ishte i papërvojë në dashuri. qysh pas puthjes së parë në fakt e kisha joshur, duke bërë me qëllim gjithçka që i kishte pëlqyer atij, duke u kënaqur në netët verore po aq sa edhe ai. Shumë e doja, por nuk e mendoja veten me të për një kohë të gjatë. Ishte tepër i ri. disi automatikisht ndaj tij sillesha si nënë. Kjo tani për tani nuk i pengonte, por një lidhje e tillë nuk ka të ardhme. I telefonova Aleksandërit dhe i thash se doja ta prishja fejesën. I thash se unazën do t'ia dërgoja me postë. Ai nuk më mori seriozisht. - Hajde, mori! Çka ke?! Kthehu sa më parë dhe do ta shohësh se midis nesh nuk ka asgjë të keqe. Çdo gjë ishte në rregull para se ty të vinte dëshira e çmendur që ta shikoje perëndimin e diellit në plazh.

- Ja, e sheh? Vetë i jep arsyet për ndarje! Nuk mund të rri me një njeri i cili e urren detin, e perëndimin e diellit e konsideron marrëzi! Vetëm sa ma lehtësove këtë vendim. Shumë faleminderit - ai nuk thoshte asgjë, duke menduar se isha duke u tallë me të. Vazhdova, e habitur që nuk më ndërpriste, apo ofendonte. - E sheh, gjatë periudhës prej afro një viti, ti ke qenë më i rëndësishmi për mua, e menjëherë pas teje, fotografitë e mia dhe perëndimi i diellit. Ti di gjithçka rreth dashurisë sime ndaj detit, si dhe rreth lidhshmërisë që kam me motrën. Prej se u largove doja të të tregoja që jam bërë teze, por ti sikur nuk je askund. Ti nuk më do mua, sepse, po të më doje, do ta respektoje atë që më pëlqen mua. As unë nuk të dua ty më, vetëm pse je i këtillë. - Ej, unë mund të ndryshojë. Kurrë nuk është vonë. Dua të them, vetëm tani fillova t'i kuptoj disa gjëra... - Jo, nuk do të ndryshosh. Edhe po të tentoje, e edhe po t'ia dilje deri diku, nuk do të ishe i lumtur, ashtu i ndryshuar. Jemi tepër të ndryshëm. Duhet të ndahemi. Tanimë kisha filluar të mendoja sesi do të dukej ai po të ndryshonte, kur dëgjova bërtitjen e tij në telefon:

- A e ke idenë se sa vjet i ke? Kujdes që të të mos kapë klimaksi para se ta gjesh dikë. Dëshiron të kesh fëmijë, a? Mesa di unë, nuk ke aq fat me meshkujt … - ia mbylla telefonin, duke ndërprerë me të lidhjen telefonike dhe çdo lidhje tjetër. E fika celularin. Gëzimi më shikonte me keqardhje. E përqafova dhe ia krisa vajit: - Më fal për shkak të këtyre lotëve. Kjo është përshëndetja ime përfundimtare me të. Në fakt, këta janë lot gëzimi, që po ndahem edhe nga një budalla, si ai… Pas kafes së mëngjesit dhe kafjallit, shkuam dorë për dore në postë dhe ia dërguam unazën Aleksandërit.

Pas pesë ditësh, unaza u kthye përsëri. Ia dhashë Gëzimit dhe i thash që ta shiste sa të donte, e paratë le t'i harxhonte me shoqërinë e vet. Ai pranoi. Gjatë tërë kohës rrinim bashkë, përpos disa orëve kur unë shkoja te motra, e ai shkonte te shoqëria e vet. Nuk pranoi që ta paguaja për fotografitë dhe nuk donte që të pozonte i përqafuar me dikë tjetër, pos me mua. Fotot i bënte një shok i tij. Më pëlqente gjithnjë e më shumë, e edhe ai mua. Shokët e tallnin që kishte një të dashur më të moshuar, por ne qeshnim me shakatë e tilla, pa asnjë kompleks. (vijon)

(Kosova Sot Online)