Ngjarje e vërtetë: Më vardiset kunati (1)

  • 22 May 2019 - 15:21
Ngjarje e vërtetë: Më vardiset kunati (1)

Në fytyrë m'u paraqit një buzëqeshje e gjerë, derisa shikoja buqetën e bukur të luleve në duart e Agimit. Po, më pëlqente vëmendja e tij. Kunati im ma ofronte atë ndjenjën e mirë se jam e dëshiruar dhe se vlej shumë, si dhe që jam e ndryshme nga të tjerët. Por, Agimin kurrë nuk e merrja seriozisht. Ai ishte lajkatar dhe tërësisht i ndryshëm nga burri im, Roberti. Gjestet e tij të pasherr më entuziazmonin dhe i isha falënderuese për to. - Lea - më tha Agimi duke mu përkulur. - Kërkova diçka të denjë për bukurinë tënde - më tha ai, duke theksuar çdo fjalë veç e veç. - Mos e tepro - i thash, duke qeshur me zë. - Dreka sa s'është gati - i thash duke marrë buqetën me lule. Agimi u ul. Derisa ia bëja kafen, ndjeva sesi ia kishte ngulur sytë trupit tim. U ktheva me të shpejtë. Diçka në shikimin e tij ma tërhoqi vërejtjen që të isha e kujdesshme.

Por, mendja ime nuk e pranoi këtë ide. Nuk isha një grua që i zmadhon gjërat. Ndoshta vetëm ishte duke menduar, e kishte fiksuar shikimin? Kërkoja shpjegime të ndryshme për shikimin e tij plot pasion dhe tërë fajin ia vija vetes. Me të vërtetë ishte e pamundur që Agimi të mendonte apo të bënte diçka të tillë. Ai kalonte shumë mirë me Robertin, e unë isha dëshmitare e raportit të tyre të përkryer. - Je tepër e bukur - për herë të parë fjalët e tij i kuptova ndryshe. As vet nuk e di pse. Ndoshta në zërin e tij kishte ndonjë ndryshim? Pasi që vloi uji, e qita kafen dhe aroma e saj u përhap në tërë ambientin. E përzjeva drekën dhe mezi prisja që, pas gjysmë ore, të vinte Roberti. - Ti je kuzhinierja më e mirë në botë. Vëllai im me të vërtetë ka qenë me fat - Agimi vazhdoi me lajka. Nuk mund të them që ato fjalë nuk më pëlqenin. Isha grua dhe, çdo gruaje i pëlqejnë komplimentet. Buzëqesha. Ia solla kafen në tryezë dhe u ula përballë tij. E shikova me vëmendje dhe kujdes edhe pse tanimë njihja çdo vi në fytyrën e tij. Ai ishte tepër i bukur, gati i përkryer, sipas shijes sime. Sytë e kaltër si qielli, flokët futë të zeza, vijat e rregullta të fytyrës, me një shtat të hedhur dhe plot muskuj.

- Edhe ti, një ditë, do ta kesh një fat të mirë. Vetëm të duhet të dashurohesh - thash e kredhur në mendime. Edhe pse Agimi ishte shumë më i bukur sesa Roberti, burrin tim e doja më së shumti në botë. Ai ishte aq i qetë, i pjekur dhe aspak i egër, sikur vëllai i tij. Derisa Agimi jetonte për aventura. Roberti preferonte një jetë të qetë, sikurse unë. - Tanimë jam dashuruar - tha Agimi. - Oh! - kjo pasthirrmë më shpëtoi nga goja pa dashje. - Ajo duhet të jetë e veçantë - thash, duke buzëqeshur. - Edhe është - tha ai, disi në mënyrë të mistershme. Sjellja e tij disi më ishte e çuditshme. Ai kurrë nuk mbante sekrete nga unë. E konsideroja shok të mirë, por disi kisha përshtypjen sikur kishte ndryshuar. - Do të ishte mirë sikur ta kisha një shoqe. Shpresoj t'ia kaloj mirë me gruan tënde të ardhshme - thash me zë të qetë. - Ajo është e martuar - fjalët e tij më erdhën si reja në të kthjelltë. Jo vetëm që qenka dashuruar kodoshi, por dashuria e tij është e pamundur. Nuk mundesha e të mos mendoja sesi fati e ndëshkonte për të gjithë ata lot që kishin derdhur femrat e lëna nga ai. Ndoshta nuk ishte kjo mirë për mua, por këtë e ndjeja me të vërtetë. E, unë isha ndër ata persona që sinqeritetin e vlerësoja më së shumti edhe pse shumë herë më kishte ndodhur që të pendohesha për atë që kisha thënë. Një mënyrë tjetër e jetës për mua nuk vinte në shprehje. (vijon)

(Kosova Sot Online)