Ngjarje e vërtetë: Me çdo kusht do të mbetem dashnorja e tij (2)

  • 05 June 2019 - 13:55
Ngjarje e vërtetë: Me çdo kusht do të mbetem dashnorja e tij (2)

E shikova pa kuptuar gjë. - Çka janë këta çelësa? - Eja me mua, do të të tregoj diçka. - Çka? - edhe pse isha e mërzitur, sjellja e tij ma kishte zgjuar kërshërinë. Çka kishte aq shumë rëndësi, sa që nuk mund të priste deri nesër? Ai më donte. Çdo ditë ma demonstronte dashurinë e tij, por unë nuk isha e kënaqur. U vesha dhe u nisa pas tij. Ndërgjegjja më brente. - Më përcill me veturën tënde - tha i qetë, derisa e hapte derën. U ktheva, i mora çelësat dhe shumë shpejt hyra në veturë. E përcolla deri te pjesa elitare e qytetit, ku ai u parkua para një ndërtese të re, gjë që bëra edhe unë. Ende nuk mund ta kuptoja pse më kishte sjellë këtu. Dola. Doli edhe ai. Shkuam drejt hyrjes, e më pas u ngjitëm në katin e parë. U ndal para një dere dhe e hapi atë. Më shikonte vazhdimisht. Hymë në banesë dhe mbeta e mahnitur. Çdo gjë ishte e re dhe e mobiluar me shije. U ktheva kah Liraku. - Ende nuk kuptoj asgjë - thash me nervozizëm, derisa peshoja herë në njërën, e herë në këmbën tjetër. Kurrë nuk më kanë pëlqyer situatat misterioze, meqë sekretet te unë shkaktonin frikë. Ma tregoi tërë banesën. Me të vërtetë, kurrë nuk kisha parë banesë më të bukur. - Kjo është e jotja - më tha në fund. - E kujt? - m'u duk sikur nuk e kisha dëgjuar mirë. E tunda kokën dhe shikova përreth. Me siguri kisha dëgjuar gabimisht. Kjo kurrsesi nuk mund të ishte imja. Ai vetëm mund ta ketë gjetur një banesë më të rehatshme, ku do të takoheshim. - Kjo është jotja. Nuk mund të marr nga ti shumë, e të të mos jap asgjë. Pa marrë parasysh përfundimin e lidhjes tonë, dua të të ndihmoj. Këtë kuptoje si "të dua", por që preket. Ngela pa fjalë. Fytyra m'u skuq nga ngazëllimi. - Unë… unë… - u mundova të thosha diçka, por nuk arrita. - Mos thuaj asgjë. Nesër do t'i marrësh edhe dokumentet. Krejt në emrin tënd. Më vjen keq, por tani më duhet të shkoj me të vërtetë. Të dua, Sofie. Kurrë mos e harro këtë. Prejse të kam njohur ty, unë jam njeri tjetër. Më puthi shpejt e shpejt, e më pas shkoi. Nuk e di sa qëndrova ashtu, pa lëvizur. Isha e tronditur. Shkova dhe e mbylla derën. Përsëri shëtita nëpër tërë banesën. Ky veprim i Lirakut më preku aty ku isha më së shumti e ndjeshme. Gjithnjë e më shumë më lidhte për vete. Edhe po të doja, nuk do të mund ta lija. Ai për mua ishte sikur drogë. Shkova në dhomë dhe u shtriva në shtrat. I futa duart nën kokë dhe i ngula sytë në tavan. Kjo ngjarje më ktheu në fillimin e lidhjes tonë. Kuptova se çdo gjë ishte duke ndodhur me arsye. Kam lindur 28 vjet më parë në një familje e cila nuk mërzitej fort për mua, prandaj kur kisha pasur tri vjet, punëtorët socialë më kishin çuar në shtëpi të fëmijëve të braktisur. Që nga vegjëlia më ishte dashur që të luftoja për vendin tim nën diell. E dija që në shtëpinë e fëmijëve nuk mund të qëndroja përgjithmonë, prandaj që tepër e re fillova të merresha me manekinizëm. Më pas, kjo m'u bë profesion. Punoja dhe kurseja paratë. Ia dija vleftën çdo qindarke që e merrja. Paratë nuk i harxhoja në qytet, sikur që bënin moshatarët e mi. Blija gjërat më elementare. Kurrë nuk kisha pasur asgjë timen, prandaj me xhelozi ruaja ato pak para që i merrja. Duke jetuar në shtëpinë e fëmijëve të braktisur, mësova që t'i vlerësoja njerëzit për nga shpirti, e jo për nga pamja.  (vijon)

(Kosova Sot Online)