Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (132)

  • 08 qershor 2019 - 11:21
Roman dashurie: Kur e shijon dashurinë (132)

Dera u hap dhe brenda hynë dy njerëz, me kuti në duar. Ishin Jace dhe Bentley. Ata kishin veshur kostume dhe dukeshin mirë të rregulluar. Kur më panë mua, më bënë që të turpërohesha nga habia, goja e hapur e tyre. "Ashlyn, dukesh…" tha Bentley duke buzëqeshur, me ç'rast iu formuan dy bira në faqe. "E përkryer", e mbaroi fjalinë Jace, me sytë e tij më të kaltër sesa qielli veror. "Na falni. Do t'ju lëmë që të përgatiteni. Vetëm deshëm t'ua japim disa gjëra". Bentley m'u afrua dhe e hapi kutinë e parë. "Diçka të vjetër dhe diçka të re. Kitara e preferuar e Gabby-t me një qafore të re diamanti". Sytë më shkëlqyen derisa Hailey mi ngriti flokët, e Bentley ma vuri qaforen në qafë. I falënderova me nga një puthje në faqe. Jace u afrua me një kuti më të vogël. "Diçka e huazuar dhe diçka e kaltër". Pasi ai e hapi kutinë, nuk munda e të mos ofshaja. "Ishin vathët e preferuar të diamantit të kaltër, të nënës tonë. Nuk ke nevojë t'i vësh, vetëm mendova..." Menjëherë ia largova shqetësimet, meqë i hoqa kopsat nga veshët dhe i vura këta vathë të mrekullueshëm. Jace më përqafoi dhe më shtrëngoi fort. "Sa me fat është bastardi".

"A është nervoz?" Jace vetëm më buzëqeshi dhe e futi dorën në xhepin e tij të pasmë. Pasi e nxori një zarf, ma dha mua. "Ai më tha të ta jap këtë". E mora letrën dhe buzëqesha, meqë e dija se ajo ishte letra që ai kishte shkruar vite më parë, rreth asaj se si e paramendonte veten pas pesë vjetësh. Unë tanimë ia kisha dhënë Henry-t letrën time, për t'ia dhënë Danielit. Nëna iu buzëqeshi të gjithëve. "Çka thoni sikur t'ia japim nuses së ardhshme disa minuta, që ta lexojë letrën në vetmi?" Që të gjithë pranuan dhe u larguan nga dhoma. U ula në një karrige dhe e hapa letrën. E dashura ime, Më pyete se si e shoh veten pas pesë vjetësh dhe përgjigjja e vetme që më bie ndërmend, është - me ty! Do të jemi aq thellë të dashuruar saqë bota do të na ketë lakmi. Do të jemi aq të lumtur saqë lulet do të çelin nga qeshjet tona. Pas pesë vjetësh, ti do të jesh e imja, e unë do të jem i yti. Nëse gjërat shkojnë ashtu si ma do zemra mua, atëherë ti do të jesh gruaja ime. Nuk e di a do të kemi fëmijë deri atëherë, por në të ardhmen tonë do të ketë fëmijë. Çdo mëngjes do të zgjohem me buzëqeshjen tënde të ëmbël dhe me shkëlqimin e syve të tu.

Gjumi do të më marrë me prekjen tënde, ngrohtësinë tënde. Kështu që, në ditën kur do të martohemi, duhet ta dish se sa të dua. Në këtë thënie nuk ka fije dyshimi. Nga sot e tutje, e vetmja gjë që dua ta bëj, është të të dua. Gjithmonë! Z. Daniels Fjalët e tij u gdhendën në shpirtin tim. Daniel Daniels tani ishte pjesë e imja. Më dukej sikur e kam njohur gjithmonë, bile edhe para se të lindja. Pas pak, tek unë erdhën nëna dhe Henry. Filloi që të dëgjohej një muzikë e lehtë, romantike. Dera e kishës iu hap ngadalë. Henry ma kapi dorën. Që të gjithë dashamirët tanë ngritën në këmbë, duke fiksuar shikimin te unë. Por, sytë e mi ishin përqendruar te një njeri i pashëm që qëndronte në fund të sallës. Ai ma dhuronte buzëqeshjen më të mirë në univers, e mua nuk më mbetej asgjë tjetër, pos që t'ia ktheja edhe unë me buzëqeshje. I bukur. Asi që ta ndalë frymën. I shkëlqyeshëm. Sykaltër. Dhe, për herë të parë kuptova se, pa marrë parasysh të gjitha - pa marrë parasysh rëniet gjatë jetës, pengesat sfidat - ne do t'ia dalim. Ai ishte premia ime e artë, sikur që edhe unë isha e tija. Gjithmonë, sa të jetë jeta me njerëz! FUND

(Kosova Sot Online)