Roman dashurie: Mbrojtësi (24)

  • 02 July 2019 - 14:47
Roman dashurie: Mbrojtësi (24)

KAPITULLI 20

Gjatë javës tjetër, ajo qëndroi e shtrirë, duke u shëruar. Ganja nuk e përmendte atë natë, por me përjashtim të dy ditëve sa ishte në rrugë, i ndihmoi Valdetes që të shërohej nga ftohja e rëndë. Sapo hyri në banjë që të bënte dush, sikur dëgjoi se i cingëroi celulari. Ia lëshoi një zë Ganes. - Hape telefonin, të lutem! Me gjasë është shefja, për të pyetur a do të shkoj nesër në punë. Thuaji se do të shkoj. - Në rregull! E lëshoi vrushkullin e ujit të nxehtë dhe ndjeu një kënaqësi. Ndihej më mirë, tani nuk kishte më temperaturë, vetëm muskujt i dhembnin kohë pas kohe. Pasi që doli nga banja, pa se Ganja ishte mërrolur. - Çka ndodhi? - Ishte Dreni ai që telefonoi. Valdetja ndjeu një të therur në bark. Kishte menduar për të këtyre ditëve dhe ishte munduar që ta urrente. Besonte se ajo thirrje ishte pasqyrim i të kaluarës së tij dhe disi ishte e dëshpëruar që, për shkak të një thirrjeje të tillë, kishte reaguar shumë keq ndaj saj, e cila nuk e kishte merituar një gjë të tillë. - Çka tha? - Pyeti si je. I thashë se je e sëmurë. Do të vij pas gjysmë ore, për të të vizituar. Valdetja nuk kishte fuqi të mjaftueshme për një takim të tillë. - Thirre dhe thuaj se nuk dua që ai të më vizitojë. Thuaji që kam fjetur. - Jo, jo! Thirre vetë! Zëri i Ganes ishte i zemëruar. - Pse je kaq e zemëruar? - Nuk më ke treguar që, atë natë, ke qenë me të në kinema. Valdetja u skuq. - Nuk kemi folur për këtë. - Pse nuk e pranon që ai të pëlqen? - Çfarë të pëlqyeri, mori? Vetëm shok e kam. - Nëse e ke veç shok, atëherë pse e kundërshton vizitën e tij? Pse ke fshehur nga unë faktin që takohesh në mënyrë të fshehtë me të? Tani të dy motrat ishin në gjendje që të grindeshin rreth një mashkulli. E, Valdetja nuk e donte një gjë të tillë. Për këtë shkak kishte vendosur që të tregonte gjithçka që kishte lënë pa e thënë në lidhje me njohjen e saj me Drenin.

- Të gjitha këto i ke mbajtur fshehtë pa pasur nevojë. Nuk kuptoj pse i ke mbajtur fshehtë. Vetëm nëse ai të pëlqen ty. - Unë nuk kam gjasa te ai. Jam e damkosur! Ai më njohu gjysmë të dhunuar. Cilit mashkull mund t'i jetë atraktive një gjë e tillë? - A është kjo arsyeja e vetme që më lejove mua të provoja ta bëja për vete? - Nuk e di... Ai të pëlqente dhe mendova që ti, për dallim nga unë, ke shanse te ai. Nuk doja as të mendoja se a më kishte kushtuar ai ndonjë vëmendje, apo jo. Ganja për disa qaste nuk bëri zë, vetëm luante me flokët e veta. Valdetja e veshi një xhemper sportiv dhe u ul përballë motrës së madhe. Priste që ajo të thoshte diçka. - Mirë. Nuk ka lidhje. Edhe ashtu, Dreni nuk është tipi im. Në fakt është, por unë nuk jam tipi i tij i femrës. - Gane, mos hiq dorë për shkakun tim. Nuk ke nevojë! - Nuk po heq dorë për ty, por për vete.

Nuk dua që të mundohem rreth dikujt, të cilit nuk i interesoj. E ti, sillu pak më mirë ndaj tij. Megjithatë, ai t'u gjet kur kishe nevojë për të. Atëherë ai ishte një i huaj për ty, e megjithatë t'u gjet, në mënyrë që të mos e pësoje me atë përbindëshin. Kushedi, sikur në vend të tij të ishte ndonjë taksist tjetër, ndoshta do të kaloje shumë më keq. - Ka mundësi... - Atëherë respektoje. Po shkoj që të flej. Nuk dua t'ju pengoj. - Rri, se nuk më pengon. Kjo tingëlloi si lutje e dëshpëruar. - Ti sikur ke frikë të mbetesh vetëm me të? - Nuk kam frikë... por, jemi grindur. Nuk di si të bisedoj tani, sikur nuk ka ndodhur asgjë. Megjithatë më la në mes të rrugës. - Sqarojeni këtë! Nuk do të jem unë pranë teje për tërë jetën, që të të mësoj si të komunikosh me njerëzit. Ganja shkoi në dhomën e vet, e Valdetja donte që ai, megjithatë, të mos vinte. (vijon) 

(Kosova Sot Online)