Ngjarje e vërtetë: Si u dashurova në gruan e shokut më të ngushtë? (8)

  • 02 July 2019 - 14:50
Ngjarje e vërtetë: Si u dashurova në gruan e shokut më të ngushtë? (8)

Besimi i saj te burri ishte thuajse i palëkundur. Si kisha mundur ta dëshpëroja? - Pra, ti me të vërtetë e do … më shpëtoi. - Po. Nga ai takim i ynë kaloi shumë kohë. Ish-shoku im nuk ndryshoi. Fëmija nuk ishte asgjëkund, e Ariani nuk hiqte dorë nga jeta e natës. Nuk mund të pushoja së dashuri Ganen, edhe pse e bindja veten time se kjo nuk kishte lidhje dhe se më mirë do ta kem sikur t'i shikoj punët e mia dhe të merrem me telashet e mia. Kishte ardhur koha që të mos ëndërroja më me sy çelë. Duhej që sa më parë ta harroja gruan e shokut tim. Por, më pas ndodhi diçka e tmerrshme. Të hënën në mëngjes, derisa isha në zyrë, më telefonoi një shok, derisa fliste, qante. - Ariani vdiq mbrëmë. - Çka?! - Mbrëmë doli me shoqëri dhe shkuan jashtë qytetit, në një klub të natës dhe... kushedi se çka ndodhi atje. Thuhet se e kishte tepruar me raki. Pasi që kishte dalë nga klubi i natës, hyri në veturë me femrën të cilën e kishte njoftuar atje.

Pas disa kilometrash e humbi kontrollin ndaj veturës dhe doli nga rruga. Mbeti i vdekur në vend. Edhe ajo femra, po ashtu. Ky ishte një lajm i tmerrshëm. Menjëherë më shkoi mendja te Ganja dhe se si shoku im e pagoi shtrenjtë mendjelehtësinë e vet. Shkova me vrap tek ajo dhe e gjeta tërësisht të thyer. Njerëzit filluan që të vinin dhe banesa e saj u mbush me njerëz të cilët mundoheshin që ta ngushëllonin atë. Por, dukej se prania e njerëzve asaj vetëm sa i pengonte edhe më shumë. Ndjeva se si e doja edhe më shumë se më parë. Si kishte mundur Ariani të hiqte dorë nga tërë ajo lumturi, të cilën e kishte pasur? Sikur ta kishte dashur gruan e vet, aq sa ajo e kishte merituar, tani ai do të ishte gjallë... Vdekja e tij më tronditi shumë, por më shumë më vinte keq për gruan e tij. Mundohesha që t'i ndihmoja sa të mundja; e thërrisja çdo mbrëmje; e vizitoja që të mos ndihej e vetmuar. Isha i bindur që ajo do të ndihej më mirë, po ta nxirrte tërë atë mërzi nga vetja, derisa, pas tre muajsh, ma tha haptazi: - Më fal, Mal! Më vjen keq që më duhet të ta them haptazi, por nuk mund të shihemi më. Ngela i tmerruar. - Nuk dëshiron që të shihemi? E, pse? Çka të bëra? - u habita. - Kuptova çka ndien ndaj meje, prandaj nuk dua të të lëndoj dhe mashtroj. - Gane… ndjenjat e mia kanë të bëjnë vetëm me mua. - Jo, kanë të bëjnë edhe me mua. Më sjell në një situatë të palakmueshme. - Por, unë nuk kërkoj asgjë nga ti!

- E di, je shumë diskret. Por, mua në këtë moment më duhet miqësia, e ti nuk mund të jesh vetëm mik për mua... - Kaq shumë të pengon fakti që të dua? - Nuk është momenti i duhur! Të lutem, më lër të qetë! Nga këto fjalë të saj mora vesh se ajo nuk është indiferente ndaj meje dhe se ka frikë ta pranojë këtë, meqë nuk kishte shumë kohë që kishte varrosur burrin. - Si të duash. Por, a mund të të telefonoj kohë pas kohe? - Prit derisa të thërras unë e para. Më beso, më mirë është kështu - më tha. Më pas më përqafoi dhe u përshëndetëm. Derisa dilja nga banesa e saj, isha i sigurt se ajo nuk ishte ndarje e përjetshme, por e përkohshme. Më parë kisha menduar që Ganja kurrë nuk do të ishte e imja, por tani më ishte zgjuar njëfarë shprese. Isha i gatshëm që t'i ofroja Ganes krejt atë që Ariani nuk ia kishte ofruar.

(Kosova Sot Online)