Roman dashurie: Mbrojtësi (33)

  • 12 July 2019 - 15:29
Roman dashurie: Mbrojtësi (33)

KAPITULLI 31

Restoranti i vogël në periferi kishte një ndriçim romantik dhe ishte i qetë. Dreni kishte veshur pantallona elegantë dhe një këmishë, prandaj dukej edhe më i bukur sesa që ishte. Porositën për të ngrënë dhe filluan që të bisedonin rreth një emisioni TV, i cili atyre ditëve kishte ngjallë një interesim të madh. Drenit i cingëroi telefoni. U mërrol kur pa se kush e thërriste. - Më fal, por më duhet që të lajmërohem. Të kërkoj falje që tani, meqë kjo nuk do të jetë një bisedë e këndshme. - Nuk ka problem. Ajo e shikonte sesi ai kaplohej gjithnjë e më shumë nga nervozizmi. - Alo? Çka ka tash? Nuk më intereson, jam i zënë... Mjaft me këto broçkulla, nuk jam unë i detyruar që të të nxjerr nga problemet sa herë që ti bie në to... Të kam thënë... por, kujt t'i them?! Jo, a më dëgjove?! Valdetja kuptoi se ai bisedonte me një femër. Dreni ishte tepër i zemëruar, bërtiste, në ballë i ishte fryrë damari. Por, më pas papritmas u qetësua dhe e uli zërin, duke marrë frymë thellë. - Mirë... vetëm edhe kësaj here! Por, nuk mund të vij të të marr. Ti e ke çelësin, shko vet... po... nuk e di kur do të vij. Me gjasë do të punoj tërë natën. Në banesë ke gjithçka që të duhet... tung! Pasi e mbaroi bisedën, ai e shikoi Valdeten. Ajo priti që ai, përfundimisht, t'ia jepte ndonjë shpjegim, kush ishte ajo femër, a ishte Lulja dhe pse ajo e kishte çelësin e shtëpisë së tij. - Bukur të rrinë flokët e gjata. Mos i prej më! Edhe ashtu dukeshe bukur, por disi fëmijërore. Tani je më femërore. Ajo nuk mund të besonte që ai bëhej kinse nuk kishte ndodhur asgjë.

Por, i duhej të shtirej kinse nuk i interesonte kjo. Për këtë shkak buzëqeshi dhe i ledhatoi flokët me dorë. - Kam vendosur t'i rris! Nuk dua më të jem djalë!

KAPITULLI 32

Kur ai e dërgoi deri para banesës, ajo ndihej e thyer. Gjatë tërë mbrëmjes kishte buzëqeshur dhe ishte shtirur, e në anën tjetër e mundonin pyetjet në të cilat nuk kishte përgjigje. Edhe pse Dreni dukej në disponim, ajo e vërente nervozizmin e tij të fshehur. - Kalova shumë mirë! - Edhe unë. Por, më zemërove që nuk më le të paguaja unë! - Jam burrë dhe burrat gjithmonë paguajnë. Ti mund t'i blesh dy bileta për ndonjë film të mirë. Nesër, psh? Ajo do t'i gëzohej kësaj ftese, sikur të mos vazhdonte ta mundonte biseda e tij me atë femrën në telefon. E mundonte fakti që nuk dinte asgjë rreth Drenit. - Për nesër nuk e di. I kam premtuar shoqes se do t'i ndihmojë ta gëlqerosë banesën. - A është kjo e vërtetë, apo vetëm arsyetim i rremë? Ajo u skuq përsëri. - E vërtetë është. - Në rregull, atëherë një herë tjetër. Po dal të punoj. Kjo është një natë e mirë për vozitje nëpër qytet. E, ti fli mirë dhe më ëndërro mua. Ajo ia bëri me dorë pasi doli nga vetura. Ai nuk u largua derisa ajo hyri në hyrjen e ndërtesës. Kur hyri në banesë, ajo pa një pamje jo të rëndomtë.

Erxhani përgatiste gjellën në kuzhinë, e Ganja me një shoqe luanin letra në dhomën e ditës. Valdetja e pyeti Ganen prej nga ish-i dashuri i saj kishte ardhur këtu. - Do t'ia jap edhe një shans. Megjithatë, kuptova se e dua dhe kjo për mua tani ka më së shumti rëndësi. Më vonë, derisa rrinte në shtrat dhe e luste gjumin, Valdetja e pyeste veten pse edhe ajo, sikur motra më e madhe e saj, nuk ishte ndonjëherë spontane?! Dëgjoi të qeshurat nga dhoma tjetër. Të paktën njëra prej tyre ishin të lumtura, tha ajo. As kjo nuk duhej injoruar. (vijon)

(Kosova Sot Online)