Roman dashurie: Lulet e djegura (7)

  • 23 July 2019 - 15:24
Roman dashurie: Lulet e djegura (7)

"Të rëndomtën, të lutem Joe". "Një e rëndomtë vjen për Clarke"! Joe i thirri një femre të reje, të cilën Clarke e kishte parë disa herë. Ajo ishte e vetmja që nuk bartte fjalë dhe shikonte punët e veta. Ishte bërë pjesë e rutinës së saj që stafi i kafenesë të grindej me të. "Pra, a je gati që të dalësh me mua"?, pyeti Joe, me mjekrën e mbështetur në dorë. "Meqë, nëse je, atëherë nuk kemi nevojë të shkojmë askund. Ti mund të vish dhe të drekojmë këtu bashkë. Ndoshta mund të ta bëj një kapuçino të mirë, apo një kafe me akull dhe, më pas vetëm të bisedojmë". Është vështirë që ai të merret seriozisht derisa gjatë tërë kohës e ka një buzëqeshje në fytyrë. Clarke mezi përmbahej që të mos qeshte, meqë nuk donte që ta inkurajonte atë. Ajo vetëm pohoi me kokë dhe shkoi te pjesa ku do t'ia sillnin kafenë, pasi që t'ia bënin. Ajo e mbante kokën ulur dhe injoronte çdo shikim që Joe ose të tjerët mund t'ia drejtonin. Ajo tanimë ishte në zonë, e shqetësuar se çka do të mund të gjente kur do të shkonte te dyqani i luleve.

Ata sapo kishin bërë një ndryshim gjatë fundjavës, për t'u përgatitur për sezonin promocional dhe për Pashkët. Kjo ishte njëra ndër kohët më të zëna të vitit për dyqanin. Dhe, çdo gjë duhej të ishte perfekte. Ajo dëgjoi zhurmën që bën filxhani kur të lëshohet në një sipërfaqe të fortë. "Faleminderit", i tha ajo vajzës së re që ia bëri kafenë, para se ajo të kthehej e të largohej. Ajo mund ta dëgjonte Joe-in duke i folur nga prapa. "E di, një ditë do të ta tundë botën dhe ti do të dëshirosh që të më kishe thënë 'po' më parë"! Ajo mund të thoshte se, në zërin e tij, kishte edhe një si të qeshur. "Sot nuk është ajo ditë, Joe"!, i tha ajo, para se ta hapte derën dhe të zhdukej në rrugë.

Ishte mëngjes dhe ende bënte freskët. Pritej se do të ngrohej së shpejti. Clarke ishte e gatshme që, e shoqëruar nga ato rreze të mëngjesit, të shkonte deri në dyqan. Pasi arriti atje, për një moment vetëm shikoi, pa thënë gjë. Asaj i pëlqeu mbishkrimi "Virginia Clarke's Petals". Emri i kafenesë gjithmonë tingëllonte si një roman, dhe si i tillë, asaj i pëlqente edhe më shumë. Ajo donte që ai vend të ofronte diçka më shumë sesa vetëm edhe një vend për ta pirë një kafe. Ajo donte që ai vend ta tregonte rrëfimin e tij. Clarke ofshau dhe e hoqi çelësin ngjyrë ari nga çanta, duke e hapur derën e qelqtë hyrëse të dyqanit. Ajo hyri brenda dhe i ndezi dritat, për të parë se çka kishin bërë me të vërtetë mjeshtrit. Ajo e vari çantën në një varëse dhe pa me kujdes të vetmin dekorim që gjendej në muret e bardha. Ajo vazhdimisht donte që të bënte diçka me zyrën, por nuk dinte çka. Të paktën punëtorët e mbanin murin me fotot e punëtorit të muajit, me myshterinjtë e lumtur dhe me buqetat e tyre të preferuara çdo muaj. Kishte edhe foto nga dasmat dhe konferencat. Sikur ishte jeta e saj, e tkurrur në hapësirën e një muri. (vijon)


(Kosova Sot Online)