Ngjarje e vërtetë: U dashurova në shtratin e vdekjes (2)

  • 03 August 2019 - 15:14
Ngjarje e vërtetë: U dashurova në shtratin e vdekjes (2)

- E, mua më vjen mirë që ai ka trashëguar nga babai shijen e mirë kur flitet për femrat - tha, duke ma bërë me sy. Zemra mu dridh nga gëzimi. Por, çka jam duke bërë unë?! Për këtë as që guxoj të mendoj! Por, eksitimi në trupin tim nuk shuhej as pasi që kishte kaluar një orë, kur të tre ne qëndronim ulur pranë një tryeze të madhe nga druri i lisit në dhomën e ditës, për darkë.

Armando në fillim më njoftoi me shërbëtoren dhe ma tregoi shtëpinë. Unë ndihesha e turpëruar nga ajo që ndjeja papritmas ndaj të atit të burrit tim të ardhshëm. Pas darke, derisa Diego bënte dush, Armando më çoi në atelienë e tij jo fort larg shtëpisë, afër malit. - Kjo është oaza ime, ku e kaloj pjesën më të madhe të kohës - tha ai, derisa e hapte derën me një çelës të madh. Pasi që hymë, ishte e qartë se Armando ishte një njeri me imagjinatë të zhvilluar, meqë pikturat e tij kishin ngjyra të llojllojshme, ku simbolizmi ishte në rend të parë. Drita e hënës, qeni i vetmuar që ulërinë, një vajzë e hijshme me shpatë në dorë, një horizont i errët, para se të binte shi... - Njeriu i vetmuar është artisti më i mirë - tha ai, e mua mu desh që të pajtohesha me të. Nga të gjitha ato piktura vinte në pah në vetmi e madhe.

Në ato çaste më erdhi në dëshirë e madhe që ta përqafoja dhe të mos e lija të më ikte kurrë, por nuk e bëra këtë. Isha një qyqe e madhe dhe mendoja se kjo ishte vetëm edhe një marrëzi e imja, e cila do të më kalonte shpejt. Por, kjo nuk ndodhi. E hutuar deri në thellësi të shpirtit, pas dy ditësh u largova nga shtëpia e tyre. Duhej përgatitur çdo gjë për ardhjen e prindërve në dasmë. Diegos as që i shkonte në mend se me mua nuk ishte diçka në rregull. Ai mendonte se isha nervoze për shkak të martesës. U martuam dhe u bëmë një çift i mrekullueshëm. Bile edhe prindërit e mi më thanë se "më të mirë nuk kam mundur ta gjeja". Iu treguam se do të jetonim në shtëpinë e babait të tij. - Shtëpia është e madhe dhe ka vend për të gjithë - dëgjova Diegon, duke i thënë tim atë me entuziazëm.

Besoja se mendimet e mia mëkatare rreth vjehrrit do të largoheshin, por ato vetëm sa bëheshin edhe më të forta. As tani, dy vjet pas martesës, nuk mund ta heq nga mendja. Jeta me të, por ndaras nga ai, për mua paraqet një torturë të vërtetë. Por, Diego as që do të dëgjojë që të shkojmë gjetiu për të jetuar. Nuk e ka të qartë pse do ta linim atë rehati, për ndonjë banesë të vogël në Londër. E unë? Jam e mjerë. Mbi të gjitha, më duket se Armando ka kuptuar se e dua. Për më tepër, ai ka filluar që të më shikojë fshehurazi. M'i ngul sytë, kur mendon se nuk jam duke e shikuar.

(Kosova Sot Online)