Ngjarje e vërtetë: Jeta e re pas të dyzetave (8)

  • 19 August 2019 - 15:26
Ngjarje e vërtetë: Jeta e re pas të dyzetave (8)

Dhe kështu, e kam shtyrë për më vonë. Përse? Në fakt, kisha frikë nga dallimi në vite dhe kisha frikë se do të pikëllohem nëse i jepem qind për qind, e më pas ai më braktis mua. Nuk isha e bindur se mund të më dashuronte në shtigje të gjata, mua, zonjën e "vjetër", kur mund të kishte vajzat që për mua ato mund të ishin vajza. Edhe më shumë për faktin se ishte muzikant, me mbrëmje të shpeshta. E dihet çfarë magneti për vajzat janë muzikantët. Kam menduar se nëse nuk i dorëzohem e tëra, vuajtja në rast të ndarjes ishte më e vogël. Për të më treguar se ai mendon seriozisht, më kishte njoftuar me vëllanë e tij, i cili ishte pothuajse viteve të mija, por përsëri ishte më i ri, si dhe me prindërit e tij. Me vëllanë jam takuar edhe disa herë, por me prindërit e tij ishte një fiasko e vërtetë. Edhe ata kanë menduar se unë nuk isha e duhura për djalin e tyre - e vejë, me fëmijë dhe më e vjetër. Nuk ma kishin thënë këtë në mënyrë të hapur, por në bazë të qëndrimit e kam kuptuar. Për lidhjen tonë flitej edhe në rrethin tim, e në fakt kam hasur në pakuptim te njerëzit që më së paku e kam pritur. E nga të tjerët, prej të cilëve kam pritur paragjykime, kam marrë përkrahje. Në gjithë këtë mes që jam gjendur, nga shikimet qesharake dhe dyshimet që edhe vetë i ushqeja edhe më tutje, kam vendosur ta ndërpresë lidhjen. Këtë e kishte forcuar edhe thirrja në telefon e nënës së tij, që kërkonte ta lë rehat djalin e saj. A mos vallë qenka kështu?

Kur të mendoj më mirë, ajo kishte të drejtë! Ai do të duhej të kërkonte grua shumë më të re se mua. E dua dhe i dëshiroj çdo të mirë në jetë por duhet të largohem nga jeta e tij, kisha vendosur. Unë jam më e moshuar dhe pritet nga unë që të marr vendime të tilla, më ët pjekura. Gjithçka kam ndërprerë një mbrëmje në të cilën ai ishte larguar pa kurrfarë dyshimi, duke mos ditur asgjë. Përnjëherë e kishte vërejtur se isha e heshtur. - Më thuaj çfarë ke, disi më dukesh shumë e brengosur? Ndaje këtë brengë me mua, do ta kesh më të lehtë. - Zukë, unë…

Ne… - nuk po mund ta shikoja në sy derisa ia thosha. - Më vjen keq, unë nuk mundem më me ty. - Si, për çfarë bëhet fjalë, çfarë janë këto fjalë? - Po provoj të ta them se po ndahem me ty, kjo më nuk ka . . . - Çfarë po flet? Ti asgjë nuk kupton ! Por unë të dua më së shumti në botë dhe dua që jetën ta kaloj me ty, çfarë ka ndodhur kështu - sytë i kishte hapur ndërsa pikëllimi po i dukej në fytyrë. Kam duruar edhe disa minuta, sepse kam dashur t'i them se isha e vendosur në këtë vendim. Sikur të qëndroja më gjatë dhe të dëgjoja përgjërimet e tija, do ta pranoja se edhe unë e dashuroj më së shumti në botë dhe se vetëm përkrah tij jeta ime kishte kuptim. Por jo, unë duhet të isha e fortë për të dy neve, për të ishte më mirë pa mua në jetën e tij. E edhe për mua, për periudhë të gjatë, sepse me siguri do të më linte herët a vonë dhe do të vuaja. Edhe tash me siguri se do të vuaj, por ndoshta më pak nëse mësohem pa të. Pas disa minutave jam ngritur duke ia lënë fjalën në gjysmë dhe i thashë përfundimisht: - Lamtumirë, mos më kërko as mos më thirr. Kështu është më së miri!

Nuk jam kthyer, sepse lotët ma kishin mbuluar fytyrën. Kur duke vrapuar jam futur në veturë, lejova lotët që të rrjedhin edhe më shumë dhe po qaja me zë. Kam qarë si kurrë në jetën time më parë dhe kam ndjerë një dhimbje fizike në zemrën time. Mendova se po vdisja. Natyrisht, nuk vdiqa, por disi isha e vrarë. Vetëm djali më mbante në jetë dhe me vullnet për të jetuar. Ai përnjëherë e kishte kuptuar se diçka kishte ndodhur. (vijon)

(Kosova Sot Online)