Roman dashurie: Batica e dashurisë (13)

  • 11 shtator 2019 - 15:27
Roman dashurie: Batica e dashurisë (13)

Hera e parë dhe e vetme kur u largova nga qendra e rehabilitimit, gati dy vjet më parë kur kisha kaluar 90 ditë në një program luksoz i cili ishte si "Four Seasons" për të varurit, qëndrova gati gjashtë orë para se të blija mjaft drogë sa që të më zgjaste për tre muaj. Por, bashkë me shoqen time, Jessica, ajo sasi e drogës nuk na dolën as për një javë. "Më fal", tha Cooper me një zë të ngjirur, duke m'i ndërprerë mendimet. Ai dëshironte të bisedonte, falë Zotit. E shikova atë dhe ai shikonte çantën time. Më erdhi ideja që ta vendosja lart. Në rregull, ai nuk kishte asgjë që të më thoshte mua. "Në rregull", i thashë, vetëm sa për të thënë diçka dhe i lidha duart kryq. Kur ai u ul pak më pas afër meje, automatikisht nga xhepi i pasmë nxori një revistë "Surfing". - A di çka, Cooper? Nuk mërzitem aspak për atë që mendon ti. Natyrisht, kjo ishte një rrenë e madhe. Mërzitesha, bile mërzitesha tepër rreth asaj çka mendonin të tjerët për mua, sado që mundohesha ta bindja veten se nuk ishte kështu. Prandaj, u ula aty, prapa Cooperit në klasë të parë, tërësisht e mjerë nga ajo çka ndodhi në aeroport dhe nga heshtja e cila tani sikur zukaste midis nesh.

Pas dy orësh të heshtjes, duke evituar shikimin tim, Cooper përfundimisht ofshau dhe pëshpëriti. "Nuk dukesh aq mirë". E shastisur, ia hodha shikimin. Sytë e tij ishin të drejtuar kah dritarja, duke shikuar në asgjë. Ai kaloi orën e ardhshme duke ndarë vëmendjen e vet midis dritares dhe revistës së tij, për dallim nga Miller, i cili kishte rënë në gjumë dhe nuk lëvizte fare. "A do të jesh në rregull?", pyeti Cooper. "Edhe ky po flet", i thashë. "Si nuk u lodhe nga të shtirët se unë nuk ekzistoj?" "Mos fillo me këtë, Wills", tha ai, duke vendosur dorën e tij mbi gotën e ftohtë, duke mos u mërzitur për atë që kishte thënë. Më vinte mirë që nuk e kisha falur. I rrudha sytë dhe numërova deri në tre. "Nuk më pëlqen që të udhëtoj me avion mbi ujë", thashë, kurse Cooper lëshoi një ulërimë të mërzitshme.

"Të lutem, mos më thuaj se ke frikë nga uji". Sikur të gjendeshim në tokë, dhe sikur të mos ekzistonte ai tensioni midis nesh, do të mund të thosha 'po'. Në vend të kësaj, tunda kokën dhe thash 'jo'. Fluturimi mbi ujë ishte i treti në listën e gjërave nga të cilat kisha më së shumti frikë, kur terapeuti më kishte thënë ta përpiloja atë listë, disa muaj më parë. Heshtja gjendej e para në atë listë, por nuk e kishte numrin 1, por 2. Isha frikësuar që ta përdorja numrin 1. Sot isha ballafaquar me tri gjërat të cilat gjithmonë dukej se më copëtonin dhe këtë e kisha bërë pa marrë ilaçe. Mund ta bëja këtë. Ndoshta... ndoshta nuk isha aq e dobët sa që botoja.

(Kosova Sot Online)