Shumë rrezikova, lidhja e pashkëputur por edhe fitova (11)

  • 17 September 2019 - 14:56
Shumë rrezikova, lidhja e pashkëputur por edhe fitova (11)

Po qëndroja para derës së ordinancës dhe me nervozizëm po trokitja me këmbë. Nuk po pritja radhën, por mjekun. Isha pacienti i vetëm. Kam menduar rreth asaj se si e gjithë kjo ishte një turp total. Së paku të kisha shkelur sipër iriqit të detit apo një meduze, por unë kisha pësuar ftohje në fyt thuajse isha 3 vjeçe! E dhe kur u shfaq mjeku, i hijshëm dhe zeshkan, më erdhi të rrëzohem nga turpi në tokë. - Hm… Diana… - po shikonte në udhëzimin tim pasi ma kishte shikuar fytin. Mundem t'i përshkruaj disa ilaçe por ilaçe të buta.

Që sa kohë keni arritur këtu? - Sot është dita e tretë - iu përgjigja. - Atëherë propozoj injeksione. Pesë ditë, në mëngjes dhe mbrëmje. Natyrisht, pa rrezitje apo larje në det, dhe pa akullore - buzëqeshi butë, e te un gjithçka po lëvizte. Vetëm kështu tash e tutje mund të kënaqesh me gjysmën e pushimit këtu. Në rregull - pranova duke e ulur kokën dhe kam menduar pse mua më ndodh diçka e tillë. Ah sikur ta kisha njohur në plazh, po më sillej nëpër mendje.

Shpejt e kam marrë recetën e barnave dhe kam fluturuar nga ordinanca e tij. Injeksioni i parë që e pranova nuk ndikoi që sëmundja të ikte, përkundrazi, atë pasdite jam djegur nga temperatura. Tezja Hanë më ka sjellë ushqimin nga restoranti, por unë kisha kaq shumë dhimbje sa që nuk mund ta përpija. Nuk kisha frikë nga sëmundja, sepse kjo më kishte ndodhur që kur isha e vogël. Por më kishte zemëruar fakti pse kjo po më ndodhte pikërisht tani, në pushimet verore. Nuk isha zemëruar në veten time, por edhe në Diellzen.

Pikërisht kur jam kthyer nga injeksioni i mbrëmjes, kishte filluar me tharjen e flokut, duke më pyetur nëse nuk po bëhesha gati për dalje natën. - Kështu e sëmurë? kurrsesi - po lëvizja kokën dhe jam rrotulluar e lodhur në shtrat. Me të vërtetë nuk më kishte qejfi asgjë. - Epo nuk është faji im se je sëmurë tani! A mos dhe unë duhet të qëndroj brenda tani - tha ashtu me vrazhdësi. Sa shumë më vinte inat se duhet të qëndroja në banesë. Por, unë në ato momente, e zemëruar, ia thashë: - Nuk thashë se ti i ke fajet.

Natyrisht se nuk kam pritur nga ajo që gjithë ditën të më qëndronte pranë shtratit në dhomë, por së paku atë mbrëmje kishte mundur të më bënte shoqëri. Kemi mundur të dëgjojmë muzikë, të luajmë me letra apo të kënaqemi duke biseduar në aromën e mbrëmjeve verore, e ajo sillej si një fshatare thuajse për të parën here kishte pare detin. Ajo doli, e prindërit e saj as që u kthyen të shikojnë se si jam, ndërsa që dhoma e tyre ishte përballë dhomës time. Të nesërmen gjithçka ishte njëjtë.

Diellza gjithë ditën e ka kaluar në plazh dhe përsëri doli porsa ra terri, e unë isha paksa më mirë dhe kam dashur të ulem në tarracën pranë, madje sikur shoqëri të më bënin Veliu dhe Hana. Kur shkova te ata dera ishte mbyllur, e kuptova se edhe ata kishin dalë. U futa në dhomën time dhe e përplasa derën. "Mos u brengosni, do ta ruajmë Dianën tuaj sikurse të ishte e jona", ishin fjalët e Hanës që ia kishte thënë të mive, ishte zëri i Hanës, e fjalët i kishte thënë kur ishim nisur për në rrugë.

Si kanë mundur të thoshin ashtu, e këtu të mos mi lëshojnë sytë kurrë. E kanë bërë këtë vetëm që familja ime të binin në rrjetë. S'ka lidhje, do të duroj edhe ndonjë ditë, e më pas secili në llogarinë e vet. Po i thosha këto fjalë me veten time, e mbushur plot mllef dhe zemërim. (vijon)

(Kosova Sot Online)