Shumë rrezikova, lidhja e pashkëputur por edhe fitova (12)

  • 18 September 2019 - 14:58
Shumë rrezikova, lidhja e pashkëputur por edhe fitova (12)

Kur ditën e pestë në mbrëmje mora injeksionin e fundit, vendosa që t'iu hakmerresha dhe ta qerasja veten. Nuk shkova në dhomë, por në shëtitje, e më pas u ula në një kafene në breg të detit, duke u kënaqur me pamjen që na ofrohej. Gjithçka u zhvillua shumë shpejt.

Sapo kamerierja lëshoi limonadën para meje, dikush e mori gotën dhe tha: - Vetëm desha që të shikoja a është e ftohtë! E ngrita shikimin dhe ngela e shtanguar. Para vetes pashë mjekun tim të pashëm. - Jo, nuk është e ftohtë. Iu thashë që të ma sillnin pa akull - belbëzova dhe e largova shikimin, por as kjo nuk më ndihmoi.

Para meje qëndronte një mashkull, të tillë sikur që e kisha ëndërruar gjatë tërë jetës sime, e mua nga barku m'u përhap një ngrohtësi e çuditshme në tërë trupin. Zemra më rrihte si e marrë. - Kah dolët ju? - përfundimisht e pyeta. - Ja, ndonjëherë më vjen dëshira që t'i përcjell pacientët, tha duke buzëqeshur me zë të këndshëm. - Hmmm… një opsesion i çuditshëm - thashë duke bërë me kokë dhe duke buzëqeshur. - Po bëj shaka, natyrisht. Edhe unë jam njeri i rëndomtë, por jo aq i vjetër, saqë të më drejtohesh me "ju".

A nuk do të më ofrosh që të ulem? - më pas më tha me emër. Mendova: O Zot, ai ma paska mbajtur mend emrin. Vetëm sikur ta dijë edhe sa herë kam menduar për të derisa qëndroja vetëm dhe e sëmurë. - Po, urdhëro. ulu - thashë me zahmet. - Faleminderit. Unë jam Muharremi - ma zgjati dorën. - E di… - Ti je nga kryeqyteti, apo jo? - Po. Shehërlie, ha-ha-ha… - Një shehërlie e bukur! - më tha ai. - A do të shëtisje pak me mua? - pëshpëriti ai.

NË fyt mu bë një duq. Krejt çka kisha ëndërruar tani më realizohej, por nuk doja që ai të mendonte sesi jam "vajzë për argëtim", për vetëm një natë. Sesi m'u kujtuan fjalët e nënës sime: "Mos bëj asgjë derisa të bëhesh e moshës madhore". Pak muaj më parë kisha mbushur të tetëmbëdhjetat, e afër meje rrinte ulur mashkulli më i pashëm që kisha parë ndonjëherë.

E pyesja veten a do të pendohesha ndonjëherë po të mos shkoja me të dhe, a do të më thoshte ndokush "faleminderit" po të mos shkoja. U ngrita nga karrigia dhe ia dhashë dorën në mënyrë teatrore që të më merrte në shëtitje. Që të dy buzëqeshëm. Ishte kjo njëra ndër ato net që mbahen mend gjatë tërë jetës. Muharremi ishte dashnor i rryer, shumë i butë dhe i kujdesshëm, e unë si flluska shkrihesha në duart e tij të ngrohta.

Më vonë, derisa rrija e shtrirë mbi gjoksin e tij, më tha: - Më fal, nuk e dija që ishe e virgjër. - Nuk ke nevojë që të kërkosh falje, pasi edhe unë doja të ndodhte kjo. Fundja, tanimë nuk jam e virgjër. - e nguca. - Je e mrekullueshme - më puthi në flokë dhe shtoi: - Më duhet të të them se jam i nderuar. Edhe unë mora titullin e mashkullit të parë të ndokujt. E, kjo nuk është gjë e vogël, ta dish. - Me të vërtetë? - e ngrita shikimin kah ai. - Për Zotin, po. Meshkujt janë të çmendur për këtë nder. Por, unë jam mjek dhe e di se edhe për ty kjo ngjarje është e veçantë. (vijon)

(Kosova Sot Online)