Shumë rrezikova, lidhja e pashkëputur por edhe fitova (13)

  • 19 September 2019 - 16:03
Shumë rrezikova, lidhja e pashkëputur por edhe fitova (13)

- Muharrem, çka po thua? Sapo u takuam, e ti po flet sikur do të martohemi nesër - i thashë e tmerruar. - Nuk e ke idenë sa do të doja të ishte kështu. Kam ndjenjën sikur tërë jetën të kam pritur. Ti je ajo e vërteta. Rri me mua dhe martohu me mua, tha ai, sikur të ishte për ngutë. - Urdhëro? - thashë me një zë të ulët. - A nuk po sheh që fati na ka bashkuar? Nuk u sëmure rastësisht dhe nuk trokite rastësisht në derën e ordinancës time.

Prej se të kam parë, nuk kam shti gjumë në sy. Të lutem, vetëm mos më thuaj se ke nevojë që të mendosh për gjithçka. Meqë nëse të lejoj që të kthehesh në kryeqytet, nuk besoj se do të të shoh më. E di që je shumë e re, por nëse nuk të pengon ky dallim prej dhjetë vjetësh midis nesh, atëherë mos më refuzo. - Shuaj, të lutem! - i thashë, duke ia prekur buzët me gishta. - Hesht, që të mos vdes nga lumturia.



Po, do të martohem me ty - ia vura kokën në gjoks dhe vërejta se zemrat na rrihnin me të njëjtin ritëm. Isha femra më e lumtur në botë. Qëndruam ashtu shtrirë deri në orët e vona të natës, duke planifikuar ardhmërinë e përbashkët, e më pas arrita deri te përfundimi se më duhej që të kthehesha në hotel, në mënyrë që bashkudhëtarët e mi të mos bëheshin merak për mua. - E di sa është ora? Pas pak do të agojë! - bërtiti Diellza kur hyra në dhomë, e më pas aty u paraqitën edhe prindërit e saj. - Nuk do të të pyes ku ishe, sepse kjo po shihet, por nuk do të lejoj që kjo të përsëritet edhe një herë - tha Veliu, duke u munduar që ta ruante qetësinë, por kjo nuk i shkonte assesi për dore gruas së tij. - Si, si?! Nuk do ta pyesësh ku ishte? - bërtiti ajo. - Shiko si i janë fryrë sytë, bile edhe po qeshë... Po kjo qenka e dehur, more. Më trego menjëherë ku ishe deri tani! - vazhdonte ajo të bërtiste.

O Zot, sa e thjeshtë është gjithçka kur njeriu është i lumtur, mendova. Bile më konvenonte që të grindesha me të, në mënyrë që të shfryhesha me të gjithë. - E, kush je ti, që unë të rrëfehem para teje? - e pyeta me ftohtësi dhe qetësi, me të njëjtën buzëqeshje në fytyrë. - Kush jam unë?! Kjo është e padurueshme! E merr si fëmijën tënd, e ajo, në rastin e parë që i jepet, ta ngulë thikën në shpinë! - Më fal, si fëmijë të kujt? - nuk mund të besoja. - Si fëmijën tim! Prindërve tuaj, iu kam premtuar se do të përkujdesem për ty dhe nuk do të lejoj që, nesër pasnesër, ata të më pështyjnë për shkak të sjelljeve tua të përdala - tha ajo tepër e shqetësuar. - E, ku u zhduket atëherë të gjithë ju kur digjesha nga zjarrmia? Mund të fitoja shok të penicilinës, mund të vdisja, e ju gjatë asaj kohe laheshit dhe rreziteshit, e gjatë mbrëmjes dilnit në qytet! - Pa, dikush duhej të ishte me Diellzën… - … që unë, rastësisht, të mos i thosha Festimit se ajo ka dalë vetëm - thash me ironi. - E ajo me të vërtetë kishte nevojë që të dilte edhe kur unë rrija e shtrirë në shtrat, e sëmurë, e etur për një fjalë të ëmbël. Një kunatë e sakrifikuar, nuk ka fjalë.


Thjesht, shkrihem nga kënaqësia kur mendoj se do të jemi një familje. - Do të shkrihesh ti nesër, kur t'iu tregoj prindërve tu sesi sillesh, moj xhadi! - tha Hana, duke u kthyer kah dera, por jam e sigurt që më dëgjoi kur i thashë: - Mos harro t'iu tregosh se tani jam e moshës madhore! Me gjasë nga frika se mos i prishej "rehatia" vajzës së vet, ajo nuk iu telefonoi prindërve të mi, por këtë e bëri Veliu edhe atë vetëm pse edhe të nesërmen mbrëma përsërita "gabimin" e njëjtë, duke qëndruar me Muharremin deri në ferk të sabahut. (vijon)

(Kosova Sot Online)