Roman dashurie: Në shikim të dytë (5)

  • 09 October 2019 - 15:11
Roman dashurie: Në shikim të dytë  (5)

Ajo e pranoi atë rol, meqë, e dashuruar në mënyrë fatale, nuk ishte në gjendje që t'i kundërvihej. U vendos në atë banesë dhe e mori rolin e Marcusit, që ai të vinte sa herë të donte aty. Në shtrat sillej ndaj saj vetëm pak më me ngrohtësi, sesa që sillej në zyrë. Ishte i kujdesshëm, zemërgjerë, një dashnor i mirë, por Jayda vërente se, me rastin e bërjes seks, ai aspak nuk angazhohej në aspektin emocional. Pra, ndaj saj nuk kishte kurrfarë ndjenjash, përpos atyre fizike. I jepte mjaft para dhe i blinte rroba të shtrenjta, e merrte me vete në udhëtime zyrtare në tërë botën dhe përkujdesej që të mos i mungonte gjë. Por, për ta dashur, nuk e donte, e as nuk e vlerësonte si person. E ajo, Jayda, e donte vetëm atë gjë, që ai ta donte. Kjo dëshirë, të cilën e konsideronte të pamundur, e kishte bërë të pikëlluar, përkundër të gjitha gjërave të bukura që përjetonte me Marcusin. Ja, edhe tani përgatitej që të shkonte me të në njërin prej qyteteve më të bukura në botë, por nuk mund t'i gëzohej këtij fakti. I vinte t'i thoshte Bonies që të mos ia kishte lakmi, meqë e dinte se ajo ishte në gjendje që të jepte gjithçka, vetëm që të ishte në vendin e saj.

Nuk do ta kishe mirë në lëkurën time, në lëkurën e gruas e cila ishte e dashuruar dhe i ishte përkushtuar në tërësi asaj dashurie, e pala tjetër nuk ia kthente me të njëjtën masë. Por, ajo nuk guxonte t'i tregonte asgjë Bonies, meqë Marcus i kishte thënë që askujt të mos i tregonte për raportin e tyre. Jayda e respektonte këtë, edhe pse të gjithë e dinin se ajo ishte dashnorja e Marcusit. Jayda mendonte se edhe gruaja e tij dinte për lidhjen e tyre, por kurrë nuk kishte guxim që ta pyeste pse ajo grua toleronte pabesinë e burrit. - E di, Bonie... - tha Jayda duke marrë frymë thellë, duke u kthjellë nga imagjinata e shkurtër - nuk është gjithçka ashtu si duhet... Ne jemi të prirë që t'i ngrisim në qiell jetët e të tjerëve, e jetën tonë ta minimalizojmë, por në të shumtën e rasteve bëhet fjalë për vlerësim të gabuar. Kurrë nuk mund ta dimë sesi ndihet ndokush, pa marrë parasysh se si duket nga jashtë, apo çfarë jete interesante dhe dinamike që mund të bëjë. - Çka dëshiron të thuash, Jayda? - e pyeti Bonie me një dëshirë të sinqertë që të depërtonte në thellësinë e problemit të shoqes së saj. - Dua të them që... Nuk ka rëndësi.

Të uroj ditë të mirë, Bonie! - Prit pak! Në zyrë të pret një zotëri... - Bonie kërkonte copën e letrës ku e kishte shkruar emrin e vizitorit. - Tray Austin. Insistoi që ta çoja në zyrën e zotëri Kontit, me arsyetim se ishte mik i vjetër i tij. A kam gabuar që e lash të hynte? - Natyrisht se jo - e qetësoi Jayda. - Po shkoj të shoh për çka bëhet fjalë. Tray Austin ishte një zotëri i gjatë, paksa i thinjur, sharmant dhe një njeri zotëri, për të cilin Jayda vlerësoi se ishte nja dhjetë vjet më i vjetër sesa Marcusi. E gjeti në zyrën e tij, duke qëndruar pranë dritares, duke shikuar pamjet e largëta të liqenit të trazuar. Në bazë të asaj se si e kishte varur pallton, si e kishte lënë çantën mbi tavolinë dhe si e kishte shpërthekuar pallton, ajo arriti deri te përfundimi se ai ndihej komod dhe se, sipas të gjithë treguesve, me të vërtetë ishte mik i Marcusit. (vijon)

(Kosova Sot Online)