Ngjarje e vërtetë: Për pesëmdhjetë vjet nuk dola nga shtëpia (5)

  • 25 October 2019 - 16:04
Ngjarje e vërtetë: Për pesëmdhjetë vjet nuk dola nga shtëpia (5)

U tërhoqa. Ajo kishte të drejtë. Sado që kundërshtoja, apo doja të kundërshtoja vitet, ato ishin renditur sikur margaritarët në zinxhir. Mendja nuk më ishte plakur, e as dëshira në mua, por fytyra? Ajo ishte duke u bërë gjithnjë e më e rrudhosur. As që mund ta shikoja veten në pasqyrë. Doja që të tjerët të më mbanin mend sikur që isha dikur, e jo të këtillë sikur që isha tani. Pa marrë parasysh sa përkujdesesha për trupin tim, gjurmët e viteve nuk mund t'i fshihja. Isha tërhequr në tërësi. Më vinte turp nga vetvetja, nga ajo që isha bërë dhe me asnjë kusht nuk do të dilja para të tjerëve ashtu sikur që isha. Në fillim vetmia mu duk e vështirë.

Kisha një shërbëtore e cila më blinte ushqime, e cila ndonjëherë bënte edhe ca pastrime, por unë isha bërë aq i aftë në punët e shtëpisë, sa që as që kisha nevojë për të. më duhej vetëm dikush që të ma binte ushqimin deri te shtëpia. Shpesh e kujtoja të kaluarën, krejt atë që kisha përjetuar. Sikur Domina ime të ishte afër meje, gjithçka do të ishte ndryshe. Isha i vetëm, sikur kurrë më parë në jetën time. Thirrjet e miqve, të cilat dikur ishin të shpeshta,ishin rralluar krejt. Ndonjëherë silleshin sikur nuk kuptonin si ndihesha, e ndoshta kjo ishte edhe e vërtetë. Ata ecnin si zombi nëpër qytet, e unë nuk mund ta bëja këtë. Diçka në mua ishte më e fuqishme sesa dëshira për të dalë.

Bile as në terr, gjatë natës, nuk dilja më larg sesa tarraca ime. Për 15 vjet isha rob i shtëpisë sime, rob i vetvetes, rob i viteve dhe i trupit të deformuar. Sikur, të paktën, të plakej edhe shpirti, sikurse trupi, me siguri do ta kisha më lehtë, por kjo nuk ishte kështu. Kisha përshtypjen që përsëri do të mund ta bëja një jetë sikur më parë, por rrudhat, ato rrudha tradhtare që më kishin shndërruar në diçka që më parë nuk kisha qenë, ato kishin ndryshuar çdo gjë. Askush nuk më kishte përgatitur për pleqëri. Ashtu sikur që, dikur unë neveritesha ndaj të moshuarve, po ashtu tani ata ndjenin neveri ndaj meje. E, unë nuk e doja një gjë të tillë. I kisha premtuar vetes se, për të njohshmit e mi, të mbetesha ai që kisha qenë dikur. Duhej të kisha konsideratë ndaj njerëzve dhe unë e kisha atë. jeta që bëja ishte vendim imi. Sado që të më vinte vështirë, ky ishte realiteti.

Çka është jeta, në çka transformohet ajo? Kur jemi të ri, mendojmë se rinia është e përjetshme. Por, kjo nuk është kështu. Ndoshta bukuria ime ishte edhe mallkimi im. Sa herë kisha menduar që t'i jepja fund çdo gjëje, por nuk kisha pasur guxim. Drita e vetme në jetën time, ishte biri im, i cili më vizitonte herë pas here. Ai dhe shërbëtorja ishin për mua kontakti i vetëm imi me botën e jashtme. Sikur të mos kisha qenë tepër i bukur, ndoshta as që do t'i merrja gjërat kaq tragjike. Ata që nuk ishin aty, nuk kishin çka të humbnin, e unë isha humbësi më i madh në botë. - Z. Visar! - dëgjova sesi më thërriste shërbëtorja. - Ushqimet janë përgatitur. Po shkoj unë. A ju duhet edhe ndonjë gjë tjetër... - kjo pyetje ishte bërë me zë zyrtar, thuajse pa asnjë emocion. - Jo, faleminderit! - bërtita që të më dëgjonte. U lehtësova kur me t'u larguar, ajo e mbylli derën prapa vetes. (vijon).

(Kosova Sot Online)