Ngjarje e vërtetë: Fantazmat na parashikuan fatin tragjik (6)

  • 15 November 2019 - 14:54
Ngjarje e vërtetë: Fantazmat na parashikuan fatin tragjik (6)

Zemër, desha t’ju lajmëroja që u nisën pak më parë – më tregoi njëri nga vëllezërit. – Këtu bën mot i keq, prandaj kemi pritur të qetësohej pak. Duke pasur parasysh tollovinë në trafik, do të duhej të ishim në shtëpi pas rreth dy orësh. Iu falënderova për informatë dhe u çlirova paksa. U luta në vetvete për Bukurinë dhe Linditën dhe u ula para TV-së. Transmetohej një film dokumentar, të cilin e shikoja vetëm me bisht të syrit. Në anën tjetër nuk ia ndaja sytë orës të varur në mur. Koha sikur nuk kalonte fare. Pasi që ora tregoi mesnatën, e Bukuria e Lindita nuk u kthyen ende, tezen Remzije dhe mua filloi që të na kapte paniku. A kishte të drejtë pllaka me të vërtetë?

A duhej ai të ishte udhëtimi i tyre i fundit? Pak më vonë, pasi që para ndërtesës tonë u ndal një automjet i policisë, e dija pse erdhën. - Vdiqën, apo jo? Në autostradë? – belbëzoi Remzia. Polici na shikoi me habi. - Si e ditët? Na u tha që të kërkonim të afërmit më të ngushtë të tyre. Emrat tuaj ishin të shkruar në librin e adresave të njërës nga viktimave. Pasi që na treguan sesi kishte ndodhur fatkeqësia dhe pasi që ua dhamë numrat e telefonit të prindërve të vajzave të vdekura, policët dolën nga banesa jonë. Por, njëri ndër ta, derisa ishte duke dalë, u ndal dhe u kthye nga ne. - Më intereson si e ditët çka ndodhi me shoqet tuaja? E di se në këto orë të vona policia nuk të vjen për ndonjë të mirë, por ju i ditët të gjitha detajet. I ati yt e përcolli policin deri jashtë. Më vonë na tregoi sesi i kishte treguar policit shkurtimisht se çka kishte ndodhur, për tabelën dhe të gjitha. Ai na tregoi sesi polici qenka habitur aq shumë, sa që nuk kishte ditur çka të thoshte.

Vajzat më shikonin me sy të zgurdulluar. As ato nuk mund të besonin në atë ngjarje të rëndësishme. E, ai tregim në fakt ishte i vërtetë. - I ati yt, tezja Remzije, daja Bahri me vite të tëra jemi munduar ta merrnim veten nga pikëllimi i asaj dite. Sesi ishin ndier prindërit e vajzave, të dashurit e tyre dhe të afërmit e tjerë, as që ka nevojë të thuhet. Pikëllimi i thellë preku shumë njerëz. Por, unë gjithmonë e kam pyetur veten se a kishte qenë pllaka ajo që ua caktoi fatin e zi, apo ajo në fakt ua fshehu atë. Në atë profeci kishte diçka të tmerrshme. Kur më kujtohet ai djalë i cili erdhi në ndejë dhe e solli atë pllakë. E më pas kur u fik drita vetvetiu… - A mendon me të vërtetë se ajo pllakë e kishte fajin për fatkeqësinë që ndodhi? – sytë e Emës u hapën edhe më shumë. - Nuk e di – i thash dhe, me të vërtetë nuk e dija sesi mund të ishte e mundur një gjë e tillë. Por, aspak më misterioz nuk ishte as mendimi se pllaka mund ta parashikonte vdekjen e ndokujt. - E vetmja gjë për të cilën jam e sigurt, është se nuk duhet të merremi me gjëra të këtilla.

Dhe, përsëri ju them, vajza, sikur Zoti të donte ta dimë fatin, atëherë edhe do ta dinim një gjë të tillë. - Unë nuk dua ta di fundin tim – tha Doruntina e tmerruar. - As unë – u pajtua edhe Ema ime. - Këtë nuk e dëshiron askush. Këtu edhe qëndron poenta. Por, a e patë se çka mund të ndodhë nëse e fusim hundën aty ku nuk na takon. Me disa gjëra nuk duhet bërë shaka, e thirrja e shpirtrave është njëra ndër ato gjëra, sipas vet përvojës sime personale – shtova, duke shpresuar se fjalët e mia me të vërtetë kishin depërtuar deri te vajzat. - E, çka u bë me atë djalin i cili e solli pllakën në ndejë? A e takuat më? Do të duhej ta pyesnit pse e kishte bërë një gjë aq të marrë! Unë fillova të mendoja për atë që më pyetën. - Kjo është edhe pjesa më e çuditshme. Atë djalë, i cili na e prishi ndejën, kurrë më nuk e kemi parë. Edhe atë jo vetëm unë dhe babai, tezja Remzije, daja Bahri, por as Bukuria dhe Lindita.

Edhe pse ai punonte në të njëjtën fabrikë me Bukurinë, më pas kurrë nuk ishte parë në punë. Sikur ta kishte përpirë dheu! - Brrr – vajzat u dridhen. E dija se tregimi ngjante me filmat e tmerrit, por për fat të keq, ai ishte tërësisht i vërtetë. - Unë më nuk dua ta kem këtë pllakë. Më mirë ta djeg – tha me frikë Doruntina, duke shikuar me kujdes pllakën që gjendej para nesh. - A do të të bërtasin prindërit? – e pyeta, më shumë sa për sy e faqe. Në fakt, isha e bindur se nuk kishte prindër që do të bërtisnin për një “lodër” të tillë. Atë ditë, kur bashkë me vajzat dogjëm pllakën në oborr, pas shtëpisë, më dukej se afër meje qëndronin Bukuria dhe Lindita, duke më buzëqeshur me kënaqësi. E dija se bëra mirë që ua tregova storien e tyre vajzave. Disa gjëra, thjesht, nuk duhen bërë, ku bën pjesë edhe thirrja e shpirtrave. Pas tërë kësaj, në këtë jam plotësisht e sigurt. FUND

(Kosova Sot Online)