Roman dashuri: Në kohë të duhur (10)

  • 20 November 2019 - 15:00
Roman dashuri: Në kohë të duhur (10)

KAPITULLI I DHJETË

Së pari dëgjoi se si nëna ftonte me mirësjellje mysafirin e paftuar që të hynte brenda. Më pas dëgjoi edhe zërin e tij tingëllues, i cili e shqetësoi pa masë. I ishte i njohur. U mundua që ta kujtonte, por paniku sa vinte e i shtohej, sa më shumë që afroheshin hapat e tij. Tanimë mund ta dëgjonte të ëmën duke thënë se vajza e saj ndihej më mirë dhe se, me siguri, do të gëzohej kur të shihte kush i kishte ardhur në vizitë. Dera u hap papritmas, e më pas u paraqit një mashkull shtatlartë, me një buqetë lulesh dhe një bonbonierë në dorë. Albulena mbeti pa fjalë. Ai për të ishte plotësisht i panjohur, por paraqitja e tij e paralizoi. Kishte rreth 30 vjet, sy të pjerrët të kaltër, një fytyrë të rruar mirë dhe mollëza të theksuara të faqeve. Rrobat i rrinin për mrekulli dhe, në to, ai dukej si një biznesmen shumë i suksesshëm. Albulenës iu duk sikur ëndërronte. Një njeri i tillë me siguri nuk kishte arsye të vinte në vizitë te ajo.

– E dashur, ky është Petriti. Ai të ka shpëtuar. Zoti e ruajttë dhe ia dhashë të gjitha të mirat! Albulena u zbeh. Ndjenja e fajit iu largua sapo e pa. Por, kur mori vesh se kush ishte ai, gjithçka iu kthye përsëri. Ai e kishte parë lakuriqe, ai mund ta ketë parë një skenë shumë më të keqe sesa që ajo mund ta merrte me mend. Nga të gjithë njerëzit në botë, atë e kishte shpëtuar më i bukuri. Petriti iu afrua shtratit, u përkul dhe ia dha një puthje në faqe. Ndjeu aromën e parfumit të tij të shtrenjtë dhe, pasi i ra ndërmend se, me gjasë do t’i vinte era djersë, meqë nuk ishte larë tash e disa ditë, i erdhi dëshira të zhdukej aty për aty.

E, nga puthja që mori, iu duk sikur një copë dielli hyri në dhomën e saj. – Përshëndetje, Albulena. Të kërkova sot në spital, por më thanë se të kishin lëshuar në shtëpi. Kjo d.m.th. se ndihesh mirë, apo jo? Vetëm pohoi me kokë. Shikimi i tij ishte aq depërtues, sa që nuk ia dilte t’ia lexonte mendimet. I interesonte shumë ta dinte se çka mendonte ai për të. A i ngjallte keqardhje? Apo ndoshta, neveri? E ëma e ndërpreu këtë situatë të pakëndshme në të cilën u gjet Lena, duke e lutur mysafirin me kafe. – Ju faleminderit, zonjë! Por, më duket se Albulena qenka tepër e lodhur që ta durojë praninë time. Ndoshta më së miri është që ta lë të qetë. Nuk dua që të duket sikur dua të përfitoj nga fakti se i kam ndihmuar, e ndoshta prania ime nuk i pëlqen. Në atë moment Albulena donte që e ëma të kuptonte sesi ndihej dhe të mos insistonte që ta ndalte shpëtimtarin e saj me çdo kusht. Por, Ganimetja bëri mu atë nga e cila frikësohej Lena. – Jo, nuk keni të drejtë! Unë mendoj se Albulena ime është falënderuese aq sa edhe unë dhe se aspak nuk e pengoni. Apo jo, e dashur? Albulenës nuk i mbeti tjetër rrugëdalje. Përsëri pohoi me kokë, e Ganja menjëherë doli nga dhoma, duke i lënë dy të rinjtë vetëm. Petriti mori karrigen që gjendej te dera dhe u ul afër shtratit. (vijon)

(Kosova Sot Online)