Roman dashurie: Në kohë të duhur (11)

  • 21 November 2019 - 14:55
Roman dashurie: Në kohë të duhur (11)

 Nëna jote është një grua shumë e këndshme, por më duket se nuk e ka vërejtur parehatinë tënde. Nuk të pëlqen fakti që jam këtu, apo jo? I vinte turp që nuk mund ta shprehte mirënjohjen, por në fyt i kishte ngecur diçka dhe sërish vetëm pohoi me kokë. Petriti mori frymë thellë duke mos e larguar shikimin nga ajo. - Të premtoj që kafenë do ta pi të ngrohtë, madje edhe nëse ma djeg gjuhën, vetëm që ta respektoj mikpritjen e nënës sate. Albulena ia doli që të flasë. - Më fal nëse po sillem si mosmirënjohëse... Vetëm nuk mund të jem e lumtur që e shoh dikë që ka qenë dëshmitar... -Të kuptoj, nuk ke nevojë që të ma sqarosh. Ia kapi dorën. Edhe pse shtrëngimi nuk ishte i fortë, ajo e ndjeu tërë forcën e tij. U dridh, por nuk mundi që ta tërheqë dorën.

- Nuk mendoj që je mosmirënjohëse ose e paedukuar. E kam ditur se do të ndihesh ashtu. Kur më thirrën policët dje dhe më thanë që të të vizitoj, u thashë se kjo është një gjë absurde dhe se nuk ka nevojë që të të pengoj. Më së miri është që ta harrosh sa më shpejtë që të jetë e mundur. Por sot isha në një takim dhe papritmas mu kujtove, dëshirova që të të shoh dhe vendosa të vij, të njoftohemi në mënyrë normale, e jo në atë mënyrë siç jemi njoftuar, për fat të keq ose të mirë. E sheh, aq që i kam ndërruar rrobat, erdha me kostum dhe kravatë, si ndonjë zyrtar taksash. Buzëqeshi përkundër dëshirës së saj. Derisa po fliste, kishte shprehje dhe aq simpatike të fytyrës, thjesht nuk mund të rezistonte e të mos ia ofroj një buzëqeshje. -Mirë është, je duke buzëqeshur, do të thotë që megjithatë nuk do të dal nga këtu sikur ndonjë përbindësh. -Nuk je ti përbindësh... përbindësh është ai që ma bëri këtë. Shtrëngimi i dorës përnjëherë u bë më i fortë. -E tërë ajo ka kaluar. Provo që ta harrosh sa më parë. Albulena filloi që të ndihej më e lirë me të. Zërin dhe shikimin i kishte të butë, i dukej sikur ishte ndonjë mik. E ishte edhe i parezistueshëm sikur mashkull. Për këtë arsye iu desh që së paku ta pyesë për gjërat, të cilat dëshironte t'i dinte. -Më trego... si më... si erdhe deri tek unë? Shikimi i Petritit u bë më serioz, ndërsa nga fytyra iu zhduk buzëqeshja. Dukej se po hezitonte a t'ia tregojë të gjitha. -A je e sigurt që dëshiron ta dish? Ndoshta edhe nuk ka rëndësi, ndoshta është më mirë që të mos kthehesh në atë natë.

-Jo, dëshiroj ta di. Më duhet ta di. - Në rregull. Ajo shtëpi në të cilën të tërhoqi gjendet në truallin që e kam blerë për ta ndërtuar atë shtëpi për prindërit e mi. E di që nuk është ndonjë lagje e mirë, por jam rritur aty para se babai im t'ia dilte që të gjejë punë më të mirë dhe të na shpërngulë në një pjesë më të civilizuar të qytetit. Por për prindërit e mi, veçanërisht për nënën, ajo lagje është një kujtim për një kohë të bukur, vitet e para të martesës, lindja ime, disa gjëra që më pas u zhdukën. Lena u çudit pse ky mashkull ishte aq i hapur ndaj saj dhe pse po i tregonte gjithçka në hollësi për familjen e tij kur detyrë e kishte që vetëm t'i tregojë se si kishte ndodhur ngjarja. Por, i interesonte rrëfimi i tij dhe dëshironte që ta dëgjonte vazhdimin. /Vijon

(Kosova Sot Online)