Roman dashurie: Në kohë të duhur (12)

  • 22 November 2019 - 15:05
Roman dashurie: Në kohë të duhur (12)

- Cilat gjësende kanë humbur? - Babai im është kirurg. Gjatë kohës sa jetonim këtu, nuk mund të gjente punë në profesionin e vet, prandaj punonte si taksist. Më pas u punësua në spitalin e qytetit, e disa vjet pas shpërnguljes, u bë partner me një koleg, me të cilin hapën një ordinancë private. Nga ky moment ai filloi të fitonte më shumë, kështu që shumë shpejt u bëmë familje mesatarisht e pasur. Por, paratë janë si droga. Sa më shumë që fiton, dëshiron të fitosh edhe më tepër.

Ai kishte gjithnjë e më pak kohë për mua dhe nënën time, filloi të bëhej nervoz, me teke dhe agresiv. Ishte vazhdimisht i nënshtruar ndaj stresit dhe alkooli e kishte bërë për vete. Kur para disa vitesh doli në pension, ai kishte mbetur si një rrënojë, gërmadhë e madhe. Nëna ime ia doli me dashurinë e saj që, të paktën ditët e pensionit t'i ishin më të lehta, prandaj tani dëshiron që të bëjë edhe diçka të tillë, sikur që është shpërngulja këtu, në këtë vend ku mendon se i ati im ishte më i lumturi dhe më i liri. Ata shesin banesën në qendër, e unë ua bleva një truall, në shenjë falënderimi se, përkundër problemeve, më kishin drejtuar në rrugë të drejtë. Një ditë pasi që të sulmoi ai njeriu, ata duhej të vinin e ta shikonin truallin.

Atë natë u mora vesh me shokët që të shkonim te një klub, prandaj në udhë e sipër u ktheva për të shikuar a ishte çdo gjë në rregull. Kishte diçka që më detyroi të ndalesha, të dilja nga vetura dhe t'i afrohesha truallit. Më pas dëgjova zëra të çuditshëm dhe desha të shihja për çka bëhej fjalë. Kështu e pashë edhe atë... - Çka ishte duke më bërë? Lena e bëri këtë pyetje me hezitim, e frikësuar nga përgjigjja. Petriti deshi të përgjigjej, por në atë moment e ndërpreu hyrja e Ganës, e cila në tabaka kishte një filxhan kafe dhe një enë me sheqer. - Nuk e dija çfarë kafeje pi, prandaj e bëra të hidhur. Urdhëroni! Petriti u falënderua dhe e shikoi Albulenën. Sytë e saj flisnin më shumë se fjalët. E dinte se nuk mund t'i përgjigjej në prani të së ëmës, por nuk mund ta merrte me mend se edhe Lena ishte ndier më mirë pasi që ishte evituar përgjigjja në pyetjen që e kishte bërë.

KAPITULLI I NJËMBËDHJETË

E piu kafenë me të shpejtë, falënderoi me mirësjellje dhe, para se të largohej, përsëri e puthi Albulenën në faqe, duke i premtuar se përsëri do ta vizitonte. Ajo nuk mundi t'i thoshte asgjë, pos e përcolli me sy dhe priti derisa e ëma mbyllte derën pas largimit të tij. Kur Ganimetja u kthye në dhomë, e bija e saj i kishte ngulur sytë në tavan dhe ishte zhytur në mendime. - Djalë i sjellshëm ishte ky. Kur e takova në spital, pash se ishte i urtë, si melaqe. Albulena sikur u kthjell. - Ti tanimë e paske takuar atë, a? - Po, ai ishte në spital kur më lajmëruan se çka kishte ndodhur. Vazhdimisht më thoshte se çdo gjë ishte në rregull. Nuk donte të largohej derisa të merrte vesh se ishe mirë. Ndihej disi mirë që dëgjonte ato fjalë. Buzëqeshi pa dashje, ku këtë buzëqeshje e vërejti edhe nëna e saj. - I bukur Petriti, apo jo? (vijon)

(Kosova Sot Online)