Ngjarje e vërteë: Mendoja se isha në prag të vdekjes, prandaj ua thashë të gjithëve të vërtetën në sy (2)

  • 22 November 2019 - 15:07
Ngjarje e vërteë: Mendoja se isha në prag të vdekjes, prandaj ua thashë të gjithëve të vërtetën në sy (2)

Meqë i habitur ngrita vetullat, shefi vazhdoi: - E di. E di se të habis. Por, a e sheh tani pse këtu shfryhesha dhe iu imponohesha si autoritet. Unë mund të jem gjithçka, por vetëm autoritet, jo! Ke plotësisht të drejtë, e sikur të mos ishe duke vdekur, kurrë askush nuk do ta merrte vesh. Edhe sa të ka mbetur? - Mjeku thotë edhe disa muaj, trekatër. - Mirë, d.m.th për ty gjithçka është rrafsh. Për këtë pak kohë mund të vazhdosh të punosh për mua, por në një mënyrë tjetër. Këtu relativisht të donë të gjithë, meqë ke qenë i vyeshëm. Tani e tutje nuk të duhet ta bësh punën tënde, por të spiunosh gruan dhe vajzën time.

E unë familjes tënde do t’ia paguaj një shumë të madhe, që të mundë të jetojnë me nder, edhe pasi ti të kesh vdekur. Mund të mendosh deri nesër. Por, çka ke për të menduar këtu? As deri tani nuk ke menduar, por ke punuar. Merre këtë si një punë që paguhet më mirë. Si punën më të fundit në jetë, si një mënyrë për t’i ndihmuar familjes. Meqë unë vazhdoja ta shikoja, pa thënë asgjë, ai vazhdoi: - Raportin do të ma japësh çdo disa ditë. Ti mund ta bësh këtë, do të shohësh. Nuk kisha ndërmend t’iu tregoja të mive për këtë. Fundja, kush do të mund të ma jepte ndonjë këshillë? Doja që ata të jetonin më mirë, prandaj nuk më kushtonte asgjë që ta luaja rolin e detektivit privat. Kështu, ditët e fundit të jetës do të më ishin më interesante sesa tërë jeta ime e mërzitshme.

Atëherë vendosa ta bëja një pyetje: - A do të mi japësh ato para derisa të jem ende gjallë? - Shiko! Një të tretën mund të t’i jap menjëherë, kurse dy pjesët e tjera, ku nuk është e thënë të jenë në sasi të njëjtë, por në bazë të angazhimit tënd dhe kënaqësisë time, do t’ia jap familjes tënde pasi që do të vdesësh ti. Nuk kam për qëllim që të të mashtroj. Ishte e premte, kurse të hënën në bankomat vërejta se në llogarinë time gjendej një shumë thuajse sa rroga ime vjetore. Është e qartë se menjëherë ia nisa punës. Automobili im i vogël, që nuk binte në sy, tani do të jetë pjesa më e rëndësishme e punës, bashkë me fotoaparatin dhe celularin. Në shtëpi mbretëronte heshtja. Dreni nuk kishte dëshirë të bënte pyetje. Edhe Bardha ia kishte shpjeguar, mesa e dëgjova një ditë, se më të rëndësishëm janë prindërit që të rritin, sesa prindërit biologjikë, meqë këta të parët përjetojnë me ty të gjitha momentet e mira dhe të këqija. Më dukej se as Dëshirën tani Dreni nuk e shikonte me sy të keq. Ndoshta përfundimisht kishte kuptuar se atë e kishte motër të vogël, e jo ndonjë keqbërëse. Më dukej se sëmundja ime e kishte përmirësuar gjendjen në shtëpi.

E, sa i përket punës, as që më kishte shkuar mendja se shefin e atillë ishte e mundur ta mbushja mend aq lehtë. As ai nuk e kishte lehtë. Shumë shpejt kuptova se ishte vështirë të gjeje dy persona tjerë, sikur që ishin gruaja dhe vajza e tij. Ato me gjasë e kishin ndonjë gjen të keq, meqë përpos që ishin shumë të shëmtuara, të trasha dhe të pacipa, të gjitha gjërat në jetë i arrinin me para. Sikur të ishin në kërkim të meshkujve pa para, për të bërë gjithçka për të. Nuk kaluan shumë ditë dhe filloi të më vinte keq për shefin. Vëllai i tij më i ri nuk kishte karakter dhe nuk ishte në gjendje që vet të fitonte për jetë. Ishte më i pashëm dhe bukurinë e tij e shiste me para. Kurse shoku më i vjetër i shefit, që tani ishte bërë “shok” edhe i vajzës së shefit, ishte matufosur krejtësisht, kështu që vogëlushja tani pjesërisht i hakmerrej të atit, e pjesërisht kjo kishte të bënte përsëri me para. Ajo ishte në gjendje të harxhonte aq shumë sa që prindërit nuk mundeshin t’i jepnin.

Vajza ishte e pacipë, me gjasë këtë e kishte trashëguar nga xhaxhai, prandaj pëlqente gjithçka, nga rrobat e shtrenjta, deri te parfumet, këpucët dhe automobilat. Asaj do t’i duhen me miliona të tjerë, që të bëhet paksa më e lumtur. Përpos kësaj, të dyja ato ishin mishërim i vërtetë i jofemërores. Duke i shikuar, mendoja për gruan dhe vajzën time dhe më vinte mirë që bëja këtë punë, për t’iu dhënë atyre më shumë. Ato meritojnë një jetë më të mirë. Ishte dëm që nuk e kisha zgjidhur punën e detektivit si profesion. Mendoj se më shkon. Në ndonjë jetë tjetër, pas reinkarnimit, me gjasë do të bëhem detektiv privat. Pas disa muajsh pune, mora edhe një rrogë tjetër vjetore, ku me të vërtetë jepja çdo gjë nga vetja, pa orar të punës, vazhdimisht i angazhuar. Kur mora vesh për sëmundjen time, gjëja e parë që më shkoi mendja, ishte si ta “rehatoja” familjen time. Por, tani del se më duhet ta rehatoj familjen e shefit, e tek pas kësaj, të mund të vdes i qetë. Nëse kjo nënkupton lumturinë e familjes time, atëherë jam i gatshëm ta pranoj. Më pas shefi më tregoi se unë faktikisht isha duke i ndihmuar që nga gruaja të siguronte shkurorëzimin, e më pas t’ia fillonte një jete të re.

Tash e një kohë të gjatë ai donte të ikte nga gruaja dhe e bija, por donte që të mos largohej duarthatë. Donte t’i rripte dhe të merrte sa më shumë. Do të largohej në Itali, ku edhe kishte kryer një pjesë të shkollimit, për degustator të kafes. Nuk e dija se unë dhe ai kishim ndonjë gjë të përbashkët. Edhe mua më pëlqen kafja, jo çdo kafe dosido por ajo e forta, paksa e thartë. Në fakt, kafen e kam “ves” të vetëm. E kuptoja gjithnjë e më mirë dhe miratoja vendimet e tij. Sikur të kisha më shumë ymër, ndoshta do të bëheshim edhe shokë. (vijon)

(Kosova Sot Online)