Ngjarje e vërtetë: Më poshtëronte, sepse nuk mund t’ia lindja një djalë (2)

  • 02 December 2019 - 15:05
Ngjarje e vërtetë: Më poshtëronte, sepse nuk mund t’ia lindja një djalë (2)

Nuk mund të them se në fillim ishte lehtë. Përkundër të gjithave, Ardiani më mungonte tepër. Mu për këtë, vendosa edhe më vendosmërisht që ta rregulloja jetën time. Për fat të keq, shkova në ekstremin tjetër, duke u dhënë tepër shumë pas punës. Thuajse nuk dilja kurrë nga zyra. Punoja edhe fundjavave dhe një temp i tillë nuk mund të kalonte pa rezultate. Për një kohë të shkurtër u bëra njëra ndër avokatet më të kërkuara në qytet. Vazhdimisht isha në punë, në mbledhje, apo në udhëtime. Fitoja mirë dhe, vetëm pak muaj më vonë, bleva një banesë më të madhe dhe e rregullova sipas shijes sime. Shikuar nga jashtë, jeta ime dukej ideale, gjë që në fakt edhe ishte dëshira ime, në mënyrë që të tjerët, por edhe veten, ta bindja më lehtë se jam e lumtur dhe kam krejt çka dua. Se isha duke e mashtruar veten, mu bë e qartë në momentet kur fëmijëve të tjerë iu blija dhurata, apo i çoja në shëtitje dhe kur, sado e marrë që të dukej, dëshiroja që kalimtarët e rastit të mendonin se fëmija, të cilit ia ledhatoja flokët, ishte imi. Edhe pse vetmia më hante për së gjalli, nuk shihja asnjë rrugëdalje. Isha tepër e lënduar dhe e dëshpëruar, kështu që nuk mund ta merrja guximin e ta filloja një jetë të re. Ardiani dhe unë ishim dashur fort dikur. Nëse një lidhje e tillë kishte dështuar, atëherë çka mund të prisja nga lidhjet e tjera? - thosha me vete. Meshkujt që i takoja ose nuk më pëlqenin, ose nuk kishim interesa të përbashkët, apo, sikur që ndodhte më së shpeshti, ata nuk ishin të lirë. Natyrisht, kjo nuk ishte asgjë e jashtëzakonshme për meshkujt e asaj moshe. Disa kishin martesa të lumtura, e disa të tjerë jo të lumtura.

Disa të tjerë kishin lidhje serioze, në të cilat as që më shkonte mendja të përzihesha. Mendoja se, duke u përzier, vetëm sa do t'ia komplikoja vetes jetën. Përkundër një rrethi të gjerë miqsh, shpesh ndihesha e vetmuar. Më së keqi ndihesha gjatë festave. Pjesa më e madhe e njerëzve që i njihja, festat i kalonin në rrethin familjar dhe, përkundër asaj që më ftonin shpesh të shkoja te ta, nuk kisha dëshirë t'iu bashkohesha. Pa marrë parasysh çka doja, në rrethana të tilla shpesh ndihesha e tepërt. Rreja kinse kisha të planifikuar diçka, e më pas rrija në shtëpi, duke shikuar TV-në, apo duke lexuar ndonjë libër të mirë. Ishte fundi i dhjetorit dhe Viti i ri ishte afër. E dija se kjo ishte vetëm edhe një festë, të cilën do ta kaloja në vetmi. - Edhe ashtu rreth tërë kësaj bëhet zhurmë e tepërt. Njerëzit vrapojnë për qendra tregtare, në mesnatë puthen, e më pas dehen. Thënë sinqerisht, kjo disi më është neveritur dhe mezi pres që të kalojnë festat - i thashë një ditë shoqes sime Hana, kur më pyeti se a kisha ndonjë plan për pritjen e Vitit të ri. Në fakt, kjo ishte një rrenë e madhe. Atmosfera festive zakonisht më bënte për vete. Kënaqesha në atë atmosferë me drita të shumta dhe me tollovi në rrugë, blija stoli dhe dhurata festive, duke u munduar kështu që, sadopak, të fusja gëzim edhe në shtëpinë time. Përkundër të gjithave, përsëri nuk isha e lumtur. E dija se kur ora do të shënonte 12 të mesnatës, përsëri do të vazhdoja të isha qyqe vetëm... Më pas, thuajse papritur, në kokë më lindi ideja që, përfundimisht, të ndryshoj diçka. - Shpresoja që nuk isha personi i vetmuar në qytet. Me siguri ekzistojnë agjenci të cilat organizojnë takime dhe shoqërim.

Ndoshta mund të shkoj në ndonjërën nga to dhe - le të bëhet çka të bëhet. Duke menduar kështu, ndjeva një rrymë adrenaline që ma përshkoi trupin. Nuk ishte bash ashtu si mu duk në fillim. Ky ishte sekreti im, për realizimin e të cilit me ditë mblidhja guximin, por në fund u shpagua. Në takimin e parë të organizuar nga agjencia "Zemra e vetmuar" shkova kah mesi i dhjetorit. Mendoja se të gjithë do të m'i ngulnin sytë, por trema u zhduk pas pak minutash. Në shoqërinë e këndshme ia dola që menjëherë të relaksohesha. Kuptova se, përfundimisht, kisha bërë gjënë e duhur për veten time. Do të njoftohesha me shumë njerëz të rinj, me interesime dhe profesione të ndryshme. Më pëlqente që të bisedoja rreth gjërave të rëndomta, e sidomos më pëlqente fakti që atyre nuk isha e detyruar t'ua shpjegoja vetminë time. - Sanije, çdo vit ne organizojmë pritjen e Vitit të ri. nëse nuk keni asgjë të planifikuar, a doni të vini edhe ju? Do të ketë muzikë të mirë, një shoqëri dhe ushqim të mrekullueshëm. Nuk do t'i bini pishman. Ju duhet vetëm të lajmëroheni me kohë - më tha me mirësjellje Rina, udhëheqësja e agjencisë. - Duket shumë mirë! E, pse jo? - iu përgjigja me ngazëllim. - Ja, do të regjistrohem qysh sonte - premtova solemnisht. - E, këtë e kërkojmë ne! Jam e sigurt se do t'ia kalojmë për mrekulli - më tha Rina me një gëzim të sinqertë. Nuk e dija se, vendimi të cilin sapo e mora, do të ma ndryshonte jetën rrënjësisht. Sepse, në atë pritje të Vitit të ri do të njoftohesha me Veliun. (vijon) 


(Kosova Sot Online)