Ngjarje e vërtetë: Në shenjë hakmarrjeje, u lidha me shokun e tij më të mirë (4)

  • 08 dhjetor 2019 - 15:05
Ngjarje e vërtetë: Në shenjë hakmarrjeje, u lidha me shokun e tij më të mirë (4)

- Ke të drejtë. Nuk do të ndaheshe nga ai, sikur të ndieje ndonjë gjë për të. Dhe, pas këtyre fjalëve, fytyra e tij papritmas u mërrol, e shikimi u bë kërcënues. Dora i fluturoi përtej tavolinës, duke shtrënguar fuqishëm dorën time. Unë ulërita nga dhembja. - Urrej kur dikush më shikon në sy dhe më gënjen! E di se Bujari të ka lënë ty. E di edhe se në ç'mënyrë të pahijshme e ka bërë këtë. Kam biseduar me të dhe e kam qortuar rëndë. Prandaj, nuk ke nevojë të shtiresh para meje. Ma mori fytyrën, por më rëndë më erdhi që ma dështoi planin tim, sikur kullë letrash. Gëzimi më lëshoi po aq me vrull, sikur që më kapi. - Pse nuk e pranon se ende je e dashuruar në të? Do të ishte më e sinqertë sesa të luash me ndjenjat e mia - më tha dhe më la të vetme dhe të tronditur. U mundova ta kuptoja se çka kishte ndodhur. A kishte mundësi që Gëzimi të ishte dashuruar në mua? Pas asaj nate, isha e sigurt se, herët apo vonë, do ta bëja për vete Gëzimin dhe, kështu, do ta ktheja përsëri Bujarin. Si fëmijë i gëzohesha ditës kur Bujari do të vinte duke mu lutur që t'i kthehesha. Por, para kësaj, më duhet që ta bind Gëzimin se jam femër ideale.

E, ai në kazino vinte çdo të dytën, tretën mbrëmje. Shtirej kinse nuk më shihte, por unë hetoja shikimet e tij dhe e dija se ai vinte kaq shpesh vetëm për mua. Vazhdimisht e pyesja diçka, me shikime i tregoja se sa e doja, kurse ai disi përmbahej nga e tërë kjo. Kishte kërkuar që të isha e sinqertë ndaj tij, e unë aq shumë isha dhënë pas rolit tim, sa që rrenat vet më dilnin nga goja, njëra pas tjetrës. Një mëngjes më çoi në shtëpi, pasi mbaruam punën. As që tentoi të më puthte. Atë "ditën e mirë" e tha me aq shpejtësi, sa që as nuk e fiku motorin e veturës. - Si po kalon në punë? Kohëve të fundit asgjë nuk thua, e vjen më herët sesa rëndom - më pyeti Kastrioti mëngjesin tjetër. - Na e kanë shkurtuar ndërrimin e natës - e rrejta. Ai më shikoi me dyshim, prandaj menjëherë e ndërrova temën. - E, te ti, si shkojnë gjërat? A do të dalësh ndonjëherë në takim me ndonjë vajzë, qoftë edhe me ato nga bota jote virtuale? - E, si mendon të takohem me dikë, derisa ti je këtu? - Dëshiron të thuash se të pengoj? - Po, ke filluar të më pengosh. E di, unë jam mësuar të jetoj vetëm - mu përgjigj ftohtë. - Pajtohem, tepër gjatë jam duke qëndruar këtu. Që nesër do të filloj ta kërkoj një banesë. E putha në faqe dhe ika në banjë. Pa përvojë në kërkim të banesës, shumë shpejt pash se një gjë e tillë nuk ishte aspak e thjeshtë. Kryesisht kisha të bëja me agjenci të cilat i donin paratë që në fillim. Banesat e tjera ose ishin tepër të shtrenjta, ose ishin në gjendje shumë të keqe. Pesë ditë pas fillimit të kërkimit të banesës, rashë në depresion. Por, kisha vendosur që njëherë e mirë të dilja nga banesa e Kastriotit. Në banesën e re, ku do të jem e vetme, do të mund ta ftoja Gëzimin. Kur një mëngjes Gëzimi përsëri më çoi nga puna në shtëpi, ai vërejti nxirjen e pjesës së syve në fytyrën time. - E di se ti punon gjatë natës, por më duket se as ditët nuk i ke të qeta - tha ai. - Kështu me gjasë duken të gjithë ata që janë në kërkim të një banese.

- Për kë? - Për vete. Gëzimi sërish heshti, e unë hetoja sesi i shkrihej akulli përreth zemrës. Më shikonte me një sy të ndryshëm sesa përpara. - Ti ende nuk e di se sa më pëlqen? - më pyeti kur arritëm para ndërtesës. Mezi u përmbajta që të mos qeshja. - Jo, nuk jam e vetëdijshme. Si ka mundësi që tani të pëlqej, e nuk të pëlqeja derisa isha me Bujarin? Kjo ishte një pyetje me dredhi, në mënyrë që ta çoja ujin në mullirin tim. Me kuriozitet prisja përgjigjen e tij. - Më ke pëlqyer që ditën e parë që të pashë, por e dija se atë buzëqeshje, të cilën ma dhurove derisa ma jepje dorën, e kishte shkaktuar miku im, e jo unë. - Do të doja të të kisha takuar para Bujarit - i thash me gjysmë zëri. Kjo rrenë ishte goditje e vërtetë. Gëzimi më rrëmbeu dhe më puthi me afsh. I mbylla sytë dhe ia ktheva puthjen, duke menduar vetëm për faktin sesi, një ditë, Bujari do të më puthte sërish. Më hutuan duart e tij, të cilat ma ledhatuan trupin. Nevoja për prekjet mashkullore më ishte bërë e madhe. Pasi që përfundimisht më lëshoi, Gëzimi ishte mbushur frymë dhe në fytyrë i shihej epshi. Më shikonte me admirim, ashtu, i skuqur në fytyrë, me buzët që i dridheshin. (vijon)


(Kosova Sot Online)